The virtuoso pianist from Georgia
then skenat e botës muzikore me debutimet e saj të një repertori të gjerë. Aja ka lindur në një qytet të Gjeorgjisë, buzë Detit të Vdekur, për të ngjallur një admirim botëror për të dhe artin e saj. Duke lexuar biografinë e saj më shkoi mendja tek një vajzë shqiptare edhe ajo e bukur edhe ajo pianiste e mrekullueshme e talentuar edhe ajo nga një qytet bregdetar, që humbi në tymnajën e kohës. E bëra këtë përqasje për të nënvizuar induksionin e lumit të fatit që rrjedh poshtë nesh e na shtron apo rrënon rrugën e jetës.
Megjithatë Katia lindi me një talent të rrallë: fillon pianon në moshën 3 vjeç me të jëmëm dhe kur ishte 6 vjeç mban koncertin e parë në publik me orkestrën e Dhomës së Tbilisit. Më pas studion në Kryeqytetin Gjeorgjian për të vazhduar në Vienë e në Paris. Sot ajo është qytetare franceze e Gjeorgjiane që debuton nga të katër anët e botës dhe konkuron me figurat më të shquara të pianizmit në botë.
Çfarë është ajo që e dallon virtuozen Katia Buniatishvili nga pianistët e tjerë? Karakteristikat e interpretimit të saj janë shumë të dallueshme pasi ajo lundron në qiellin e saj i cili të mrekullon kur e prek me sytë e mendjes. Ajo ka gjetur me përsiatje apo intuitë se raportet e tempit, dinamikës, kontrastit shenjave ekspresive dhe në përgjithësi të gjitha mjeteve kompozicionale që brumosin materialin muzikor duhet të kenë vendet e tyre të reja dhe çështë më e rëndësishmja ka gjetur dhe mënyrën e realizimit të tyre përmes një studimi të kujdesshëm dhe të gjatë. Tingulli i saj ka një gamë të gjerë ngjyrash të cilat ajo i përdor me lehtësi në lakimet nga ai i kadifenjtë (Schubert: Impromptu No. 3në Sol mazhor) tek ai i errët dhe i rëndë (Tema e sonatës Si b minor të Listit – fillimi), apo edhe brenda një vepre (Rapsodia Nr 2 e Listit – fillimi).
Katja nuk ka paragjykime në thyerjet asaj ritmike që është vendosur nga praktika dhe inçizimet e pianistëve të mëdhenj të shekullit XX. (Fillimi i Rapsodisë Hungareze Nr 2 të Listit, apo shumë momente tek Campanella e Listit, etj.) Në fakt duket se ajo ka revolucionarizuar dhe ngritur shpejtësinë e ekzekutimit të disa veprave dhe të shumë momenteve të tyre. Të gjitha këto sugjestionuese, të menduara, të arsyetuara, që i japin krahë emocionit të spektatorit dhe njëkohësisht vlerë vetë artit tësaj të interpretimit.
Saktësia e saj në realizimin e pasazheve më të vështira të literaturës botërore ka thyer limite dhe ofrohet së bashku me saktësinë në nënvizimin e niveleve të ndryshme dinamike të veprës, të cilat theksojnë edhe më bukur emocionet mahnitëse që ajo përcjell.
Ajo mbahet si adhuruese e Listit, por do të thoja se vetë Listi do të ishte një adhurues i saj dhe jo vetëm kaq por dhe shumë autorë të periudhave të ndryshme kanë shkëlqyer nga interpretimit e pianistes së shekullit Katia Buniatishvili, që nga Hajden tek Debysi, që nga Mozart tek Rahmaninov, që nga Bah tek Stravinskij apo Satie.
Diskografia e saj është e pafund. Atë mund ta dëgjoni në netët e gjata të dimrit dhe të shihni mrekullitë e botës edhe kur jeni pa sy.
Përsëri i kthehem kujtimit të largët të pianistes së bukur shqiptare. Çfarë e pengoi dhe bëri të dredhojë rrugën e saj? Sigurisht shumë faktorë por më i rëndësishmi mendoj se ishte injoranca kolektive e kohës e cila sot, fatkeqësisht po thellohet.
Nestor Kraja