Kemi përballë një botë të madhe talentesh të vullnetshëm

Quhet Giordana Angi, një nga konkurentet e talentuara të emisionit televiziv “Amici” transmetuar nga Rai 5 në Itali.  Duke u fokusuar jo mbi transmetimin por mbi figurën e kësaj vajze shumë të talentuar dhe mbi një nga këngët e krijuara nga ajo, synojmë të nxjerrim në pah atë që është më esenciale dhe më interesante nga ky fenomen, mbi të cilin mund të mësojmë mjaft.

Përveç se shumë simpatike, shumë e përmbajtur me një zë të mrekullueshëm për skenën moderne të këngës pop italiane ajo është dhe krijuese e disa prej këngëve që këndoi. Midis tyre zgjodhëm njerën të cilën ajo e këndoi në fund të shfaqjes së saj duke lënë të kuptohej edhe pesha të cilën ajo i jepte kësaj kënge. Kur u anonçua se kjo këngë i kushtohej të jatit, pakkush kuptoi brendinë e saj. Sifomos ata që nuk e kanë ndjekur emisionin e Mara de Filippit me siguri që u befasuan. Teksti i këngës është ky:

Sa herë të kam pritur

Tani ke përpara vajzën tënde, që të shtrëngon dorën
Provo të prishësh heshtjen

Heshtjen që kaloi, si uji poshtë urës

gjatë gjithë këtyre viteve.

Sa vite! Përse nuk mi tregon?

Tani që nuk ka më asgjë për të kuptuar

të shoh brenda syve dhe sytë nuk dijnë të gënjejnë.

Si ishin flokët e nënës sime kur ishte vajzë?

Si ishin ato puthje nën diellin e bukur në shesh?

Sa herë të kam pritur… dhe ti.

Ku ishe? Sa netë zgjuar… dhe ti nuk ishe?

Ref.

Do të duhej të të shtrëngoja më fort pa të lënë kurrë të ikje,

Do të dëshëroja një puthje në mesnatën përpara Nataleve

Të të bëja të kuptoje se kam nevojë për një baba.

Dhe pyes vehten çfarë mendoja në hapat e para

Që lëvizja si fëmijë brenda 20 viteve të tua.

Sa kohë ka kaluar! A të bie ndërmend?

Se vajza jote tashmë është e madhe dhe udhëton nëpër botë

Sa herë të ka pritur në atë shtëpi boshe,

Duke parë vetëm shpinën tënde që largohej,

Pa thënë asgjë, Asgjë.

Ref…

Do të duhej të të shtrëngoja më fort pa të lënë kurrë të ikje,

Do të dëshëroja një puthje në mesnatën përpara Nataleve

Të të bëja të kuptoje se kam nevojë për një baba.

Do të duhej të isha më e fortë ndërsa qëndroj e të shoh

Do të duhej të nxirrja jashtë gjithë atë që nuk arrij të të them.

Për të mos u ndjerë më keq

Akoma keq.

Finali:

Dhe tani kur s’ka më asgjë për të kuptuar

Të vështroj brenda syve,

Dhe sytë nuk dinë të gënjejnë.

Nuk do koment, megjithëse nuk mund të shijohet poezia e këngës pas përkthimit në shqip. Kënga ka në qendër ndjenjën e një bije që është rritur pa baba dhe godet pikërisht fenomenin më viral të jetës sonë: Divorcin.

Pavarësisht se poezia është pjesë integrale e vlerës së këngës le të kthejmë vështrimin analitik tek muzika: Ajo përbëhet nga dy elementë të traditës së hershme të këndimit italian: Recitativin dhe atë që mund ta quajmë “arien”, apo refrenin, apo këngën. Janë dy elementë integralë të këngës italiane kompozitorët e së cilës e kanë përdorur me sukses në forma të ndryshme dhe interesante. Kujtojmë këtu Renato Zero në këngëm “Magari”, apo Mia Martini “Uomini non cambiano” e me dhjetra shembuj të tjerë. Secili prej tyre me distanca të ndryshme midis fjalës së folur dhe asaj të kënduar. Ky fenomen ka shërbyer gjithë jetën si element që i jep mundësi ngjarjes të tregohet për të shkuar më pas tek ajo pjesë ku muzika merr në dorë fuqinë për të shfaqur pikërisht atë që është në gjendje të shfaqë më mirë se çdo lloj arti tjetër: Emocionet dhe ndjenjat e brendshme njerëzore.

E rritur dhe e edukuar në këtë ambjent kultural italian edhe Giordana Angi përvetëson natyrshëm këtë botë kulturore e madje ndoshta me vetëdije e ruan atë për ti shtuar talentin e saj, dhimbjen e saj jetësore, të cilat rrjedhin thjesht dhe natyrshëm siç rrejdh talenti i vërtetë. Kontakti i saj me kulturën Evropiane kuptohet nga një intervistë e saj në të cilën flet për poetin e filozofin francez Sharl Budler (Charles Baudelaire). Pyetini të rinjtë tanë a e njohin?…

Por ajo di edhe të ndjejë momentet e tensionit në linearitetin e tekstit që shkruan e ta harmonizoi natyrshëm me kurbën melodike për të arritur më pas po aq natyrshëm tek kulminacioni në një mënyrë që të pushton të tërin, të emocionon dhe të bën për vehte në një mënyrë që vetëm ajo di ta realizojë. Dhe sa më shumë e dëgjon këngën aq më shumë përfshihesh prej saj, dallon elementët inteligjent në melodi apo në kombinimin e fjalëve, apo edhe në zërin e timbrin e këngëtares në momente të caktuar e domethënëse.

Recitativi i Giordanës (shënuar më lart ne tekst me germa korsive) mbështetet në një bulëz melodike prej katër notash të përdorura  me shumë kursim në kombinimin e tyre e njëkohësisht të mbushura me përsëritje ku artikulimi i fjalës mbizotëron. Më pas recitativi i saj i afrohet melodisë së vërtetë (Shënuar më lart në teks me germa normale) duke bërë kështu shkrirjen midis dy mënyrave të këndimit (asaj që ne i quajmë strofës e refrenit).

Refreni buçet në regjistrin lart me po ato tinguj (Mi, fa#, sol la) në një diapazon të ngushtë që ngjan me breshërinë e plumbave të një arme automatike në zemër të problemit që shtrohet. Janë nota aq të afërta sa që nuk mund të mendohet se mund të formojnë një moment kantabël por pikërisht këtu çlirohet talenti për të bërë të pamundurën e për të ngritur piedestalin e “së bukurës” në art, të veçantën, të vlefshmen e mençur që qëndron jashtë të zakonshmes së pavlerë. Do ta quaja sensibilitet absolut dhe me këtë rast mund të kujtoj një aforizëm të Bodlerit: “Pothuaj  origjinalitet i yni vjen nga vula që koha shtampon mbi ndjeshmërinë e secilit”.

Nuk ka vlerë të diskutojmë se ku qëndron kënga jonë. E rëndësishme është se ndoshta duhet të mësojmë shumë më tepër nga zhvillimet e fundit të këngës italiane e cila si me magnet  të thith për të të futur në botën e saj të madhe, të shumllojshme dhe të pafund me elementë të mrekullueshëm të mençurisë, durimit dhe talentit njerëzor. Pëballë kësaj bote të madhe talentesh të vullnetshëm duhet të kthejmë vështrimin tek edukimi i të rinjve me vlera të vërteta.

 

Nestor  Kraja

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...