Po prishim çdo gjë, por të paktën të ruajmë gjuhën

Gjithnjë e më shpesh vërehet se degradimi ka kapluar shumë aspekte të jetës sonë. Uroj që ky proces të jetë fytyra e vetë zhvillimit, por konkretisht shohim vetëm prishtje, shembje, krijime pa vlerë e pa koherencë e të tjera si këto. Nëse lexojmë shkrimet kritike të intelektualëve të shquar të fillimit të shek XX në Shqipëri, duken sikur problematika që ata trajtojnë bëhet çdo ditë e më aktuale. Sigurisht nuk kam ndërmend të shtjelloj problematikën e gjuhës shqipe në aktualitetin tonë, por të rrok disa aspekte të përdredhjes së saj në literaturën teorike e praktike muzikore.

Duke kërkuar disa materiale në bibliotekë vërej se shumë prej punimeve të studentëve, diploma apo edhe disertacione kanë gabime të cilat nuk duhej të figuronin  në këto nivele.

Duhet shkruar Sonata F dur e Bethovenit apo Sonata Fa mazhor e Bethovenit? Meqë ne përdorim sistemin latin për emërtimin e notave dhe jo alfabetin apo sistemin gjerman do të duhej që në shqip të shkruajmë Fa mazhor.

Emrat e njerëzve apo autorëve duhen shkruar në shqip apo në formën e tyre sipas sistemeve të gjuhëve të huaja? P. sh Schumann apo Shuman? Mendoj se e gjithë bota i “shqipëron” emrat, apo i shkruan ato në formën e tyre, siç i kemi shqipëruar edhe ne dikur. Shkruajmë: – Romeo e Zhuljeta e Shekspirit dhe jo Romeo e Juliet e Shakespeare.

 P.sh. grekët, kinezët, sllavët, arabët i shkruajnë me germat e tyre. Ne shqiptarët si dhe e gjithë bota tjetër, që shkruajmë me shkronja latine kemi specifika të dallueshme. Pikërisht për të respektuar gjuhën tonë ne duhet ti shkruajmë emrat sipas shqiptimit tonë e madje edhe duke respektuar lakimin dhe trajtat e emrit. Në këtë rast është e këshillueshme që në shfaqjen e tij të parë, pas shkrimit të emrit të shqipëruar të vendoset në kllapa emri në gjuhën përkatëse origjinale. P.sh.  – Shtëpia e Shuman-it (R. Schumann) dhe jo (siç shkruajnë disa injorantë të cilëve i është mbushur mendja se janë të kulturuar) shtëpia e Schumann. Ose – Për Mendelson-in janë bërë studime …, dhe jo “për Mendelsohn janë bërë studime…”.

Emrat e gjinive muzikore të ndryshme duhet të shkruhen në shqip. P.sh. Tokata dhe jo toccata, Skerco dhe jo scherzo,  – Minuet dhe jo minuetto apo menuet. Duhet shkruar  – Simfonia dhe jo symphonia apo sinfonia. Këto janë terma që kanë gjetur përdorim të gjerë në jetën tonë dhe janë adoptuar mirë në shqip. Referencat në gjuhën italiane njihen e duhet të njihen nga specialistët apo studentët e muzikës.

A duhet shkruar  – Muzikë dhome dhe jo muzikë kamertale? Kjo dukuri e shfaqur më tepër në Kosovë mendoj se duhet të unifikohet me shqipen duke u shkëputur nga influencat e sllavishtes.

Vihen re se shumë tituj veprash të autorëve tanë, sidomos të dekadave të fundit, janë në gjuhë të huaj. Kuptohet se një pjesë krijuesish mendojnë se kështu veprat do të jenë më të pranueshëm për tregun e huaj dhe kështu do të luhen apo do të shiten më kollaj. Kjo sigurisht është injorancë pasi bota e kulturuar vlerëson më shumë brendinë se sa shfaqjen. Të menduarit se titulli në anglisht do të bëjë të shesë veprën muzikore tregon miopi të rëndë. Madje një pjesë prej tyre kanë filluar të ndërrojnë dhe emrin apo mbiemrin mbi këto mendime. Sigurisht është e drejtë e secilit, që titujt e veprave të veta ti vendosë si të mendojë, por të paktën kur vepra vjen e shfaqet në publikun shqiptar titulli i saj duhet të shkruhet apo të njoftohet në shqip.

Ja disa botime të literaturës muzikore me këtë dukuri:

  1. Peçi – Remodelage (New Edition / for piano), apo tjetra: The broken song A. Peçi

Mendoj se ky rregull do të duhet të ruhet edhe për  titujt e përkthyeshëm të veprave të njohura skenike që rivihen në TOB, me arsyetimin e përkthimit të tyre në të gjitha gjuhët e mëdha të botës.

  1. Lago dei cigni – italisht,
  2. Swan Lake – anglisht,
  3. Liqeni i mjelmave – shqip

Do të ishte njëlloj sikur shtëpitë botuese të botonin titujt e librave në gjuhën e huaj, por nuk ndodh kështu, pasi tradita e përkthimit siduket ka pasur gjithmonë njerëz të kulturuar në përkthime.

  1. The Paul Street Boys, – anglisht
  2. I ragazzi della via Pál – italisht
  3. A Pál utcai fiúk – hungarisht
  4. Djemtë e rrugës Pal – shqip

Mjaft më me ksenocentrizëm! Shqiptarët i mësuan të gjitha gjuhët e botës e tani për dinjitetin e identitetin e gjuhës dhe kulturës së tyre duan dhe duhet të shkruajnë shqip. Eshtë e papranueshme që në publicitetin e Teatrit të Operas për publikun shqiptar të shkruhet: “Die Fledermaus” në vend të “Lakuriqi i natës”. Mund të na tregojë dikush se edhe në Evropë Titujt e veprave të Kadaresë i vendosin në shqip? Mos kanë merak Drejtuesit e Operas se nuk do t’i lexojnë të huajt?! Programet e teatrit të Operas duhet të komunikojmë me publikun e gjerë, ta tërheqin atë dhe jo t’i shtojnë besdisjen nga të moskupütuarit. Titujt origjinalë mund të vendosen me shkronja të vogla në kllapa dhe është e mjaftueshme. Njeriu – thonë – shet atë që s’ka. Kjo shprehje na kujton ndonjë nga drejtuesit e institucioneve tona që duan të shesin kulturë përmes injorancës dhe vlerave të shuara, apo të reduktuara në lustrën e jashtme pa shije.

7 – Edhe zinxhiri i shfaqjeve ndonjëherë shkruhet në anglisht. (Më kujtohet se dikur shkruheshin në rusisht). “Performanca Soul” shkruan Drejtoria e TKOBAP. Në kokën e tyre kjo mënyrë është e “rafinuar”, “e elitës” dhe shfaq “kulturë”, por në fakt është e kundërta. A nuk do të ishte më me dinjitet sikur të shkruheshin këto tituj në shqipen e thjeshtë a thua se fjala performancë nuk mund të përkthehet me fjalën shqipe “shfaqje”. Sigurisht, mekanizmi krijues artistik i tyre nuk  arrin të përgjithësojë organizimin me një titull të përshtatshëm e të bukur në shqip. Kopjimi nga nivele populiste është bërë në modë, pikërisht nga tipa të këtij niveli që po bastardojnë gjuhën tonë në të gjitha nivelet dhe po godasin identitetin kombëtar me të gjitha mënyrat.

Në faqen e TOB shkruhet: Konkurs për dizenjimin e NEWBRAND të Teatrit të Operas…

Po nuk mund ta shqipëronin në “markë” apo më afër kuptimit në “logo”?

Në shumatoren e faqeve përfaqësuese të institucioneve të ndryshme artistike ne vend vëmendja duhet të jetë edhe më e shtuar, pasi në to gjendjet serioziteti dhe dinjiteti i vetë kulturës dhe institucioneve tona.

Nestor Kraja

18.05.2020

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...