Logjika “peçiane” dhe përgatitja teorike e një studenti të Kompozicionit

Para disa ditësh në hollin e Radios, orkestra simfonike e këtij institucioni ekzekutoi një Koncert për klarinetë të një studenti diplomat.

Çuditërisht vepra quhej “Insektoidal”. Në diskutimet e semestrit të parë, në komision,  parashtrova vërejtjen se ky titull, i pazakontë dhe negativist duhej të ndryshohej pasi në historinë e muzikës, që mbështetet në veprat më të arrira të literaturës muzikore ku veprojnë parimet estetike të “së bukurës” e jo ato të “së shëmtuarës” kjo kërcet fort dhe përbën risi negative.

Së dyti, një krijues i çartun mund të shpikë marrëzitë më të mëdha të botës e të marrë poza, por didaktika pedagogjike na detyron tu mësojmë studentëve ligjet themelore të kompozicionit apo profesionin jashtë futurizmave dhe eksperimenteve krijuese. Sipas mendimit “peçian” përgjigja ishte se Dante kishte shkruar “Ferrin”. Kjo, sipas tij, ishte njëlloj me “Insektoidaliu” Këtij “argumenti” të një profesori pa kulturë ju përgjigje shkurt se vepra nuk titullohej “Ferri” por “Komedia Hyjnore”. “Ferri” ishte vetëm kapitulli i parë i kësaj vepre madhështore të Aligerit dhe kjo në funksion të një ideje alegorike që do të ndihmonte moralin dhe etikën e njerëzve të asaj epoke mesjetare. Edhe po ta dinte këtë profesori nuk duhej të kapej tek një pjesë, për të përgjithësuar apo përligjur tek studenti i tij titullin “Insektoidal”. Duket qartë se është një sugjerim i profesorit të çartun si shkarje e madhe sofiste apo të paktën ç’oreintim estetik i tij.

Në platformën e tij studenti shkruan: Insektoidal = botë insektesh. Pra titulli mund të ishte dhe “Botë insektesh”. Pa u marrë me vlerën e konfigurimin estetik apo moral të këtij titulli veçoj një aspekt tjetër kultural: -Kam përshtypjen se ky titull, si një pozë e “bukur” e një subjekti të shëmtuar, me tendencën e tjetërsimit në gjuhë të huaj të kuptimit shqip është vetëm shprehje injorance dhe boshllëku kulturor. Do të isha dakort më tepër me një titull të një niveli të reduktuar kulturor, se sa me tullumbace të tilla, që jo vetëm nuk thonë gjë, por çorentojnë studentin në rrugën e tij nesër, pengojnë e turbullojnë komunikimin me dëgjuesin për të fshehur gjurmët e injorancës. Çfarë u mësojmë studentëve? Sigurisht, kjo tendencë është e përgjithshme (një emër dyqani është quajtur edhe Kali i çmendur (Crazy Horse) dhe ekstreme të tilla janë shtuar shumë kohët e fundit, por në nivelet akademike kjo tendencë nuk duhet dhe nuk mund të ketë vend.

Do të mjaftonin vetëm këto, që të kuptohen nivelet me të cilat  operohet në didaktikën kompozicionale, ku, në emër të modernes, hidhen poshtë të gjitha teoritë estetike, etike, morale dhe në fund të fundit ato profesionale.

Për të mos u thelluar më tepër, pasi edhe lexuesi mund të na ndjekë me vështirësi le të kalojmë në një plan të një analize më të theshtuar.

Në platformën ideore që paraqiti studenti dhe, sigurisht, nën drejtimin e profesorit të tij shkruhet:

Koncert për klarinetë dhe orkestër

“Insektoidal”

Koha e parë – Insektoidal

Koha e dytë Flutura e plagosur

Koha e tretë Tornado

Më poshtë vazhdon: “Duke u referuar tek fabula (nuk dihet se ku është fabula dhe në këto raste fabula është program dhe duhet të paraqitet në publik për ta orientuar atë siç ka ndodhur shekujt e fundit në historinë e muzikës, në të kundërt nuk ka pse përmendet fjala “fabul”), ku instektet kryesore janë merimanga dhe flutura. Formimi i rrjetës së merimangës (kurthi), ku bie flutura”. Teksti është marrë  siç është paraqitur edhe për të kuptuar thatësirën e mendimit dhe të shprehjes së studentit, por dhe të “tolerancave” të profesorit të tij.

Komentoj: Shqetësimi njerëzor që paraqet studenti në një vepër të gjinisë koncertale me të cilën do të mbrojë diplomën qenka procesi i rënjes në kurth të fluturës, madje ndoshta edhe mjeshtëria e thurjes së rrjetës nga merimanga për të kapur fluturën. Ndoshta nesër do të përqëndrohet tek helmi i gjarpërit dhe do ta quajë veprën “Gjarpëroidal”. Këto këndvështrime, e sa të duash të tjera, mund të jenë objekte për zoologët që merren me studimin e ndërtimit e sjelljes së gjallesave e insekteve dhe jo shqetësim i artistit që kërkon të përgjithësojë realitetin me forma e mjete artistike. Subjektet e veprave mund të jenë çfarëdo, por ato duhet të mbërthejnë një ide që rrezaton idealin njerëzor, moralin njerëzor, etikën  apo të bukurën njerëzore, që ngjall kënaqësi e së fundi, rri përbri veprave të tjera artistike. Mendoj se tradita na ofron pikat e orientimit të cilat duhet tu referohemi.

Nga ana tjetër. Studenti shkruan: Koha e parë është formë sonate, e cila përbëhet nga dy tema që janë në kontrast me njera – tjetrën. (Po i hedh të gjitha shënimet e tij pa asnjë ndryshim, duke përfshirë edhe gabimet drejtshkrimore). Temat, harmonia, struktura melodike, akordi, dalin nga modi.

Në fillim mora Do, Reb, Mib, Mi i cili me anë të transpozicioneve, gjenerohen duke vazhduar me (Mi, Fa, Sol, Lab (përsëri) Lab, La, Si, Do // dmth.

Komentoj: Së pari, këto struktura tingëllore nuk mund të jenë temë

Komentoj: Duke iu referuar partiturës del qartë se koncepti që ka përdorur studenti në vepër është muzika strukturale e jo sipas praktikës së të menduarit tematik. Tema në vetvehte është një burim tingëllor e cila, sipas Grove Dictionary ” ka një melodi të dallueshme dhe nganjëherë të perceptueshme si një shprehje e plotë muzikore në vetvete. Struktura tingëllore që studenti apo profesori i tij (që gabimisht e quajnë “mod”) tregon në komentin teorik apo edhe në vepër se është përdorimi (i rastësishëm) i një tetrakordi (katërnotësh) që nuk mund të quhet temë. Nga ana tjetër vërehet qartë se tetrakordi bazë, apo grupi i toneve bazë, në kohën e parë është i njejtë (apo i transpozuar dy tone më lart) me atë të kohës së dytë e të tretë. Po kontrasti ku është? A mund të gjejë profesori ndonjë vepër të autorëve serialistë, me seri të ngjashme në veprat e tyre ciklike? Mos qëndron kontrasti vetëm në titujt e kohëve? Nga tri struktura të barabarta si mund të krijohen tri tablo kontrastuese? Sigurisht, nëse i referohemi rastit më të njohur e më evident, edhe Beethoven ka ditur të ruajë unitetin në simfonitë e tij në të klatër kohët por temat e kohëve të ndryshme të simfonive të tij lidhen përmes një elementi që ruan unitetin pa prishur kontrastin e përbërjes së tyre.  Studenti ka nevojë ti kuptojë këto fenomene e këto raporte, pasi ndyshe kushedi se çfarë do të shkruajë nesër.

Nuk mund të mos qeshësh kur lexon se koha e tretë titullohet “Tornado”. Po kjo nga doli Mos Merimangën që hëngri fluturën e mori era për ta rrotulluar në rrathët e fundit të Ferrit?

Deri kur me pedagogjinë e merimangës?

Detyrohemi ta kalojmë me humor por gjendja është skandaloze dhe injoranca ka marrë dhenë!

Nestor Kraja

You may also like...

1 Response

  1. Anonymous says:

    Njelloj jeni bere te gjithe prandaj jemi kaq grop dhe te pazhvilluar si vend se godasim njeri tjetrin…imagjino ca mund te thuash per xhon cage perfaqesuesi I inderteminizmit…gjithsesi uroj qe mos te gjykohen konceptet personale her tjeter

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...