Muzika dëfryese dhe muzika intelektuale.

Me fjalën muzikë tashmë kuptohet çdo lloj lidhjeje tingëllore, pasi sot stilet, rrymat, llojet dhe  teknikat muzikore janë kaq të shumllojshme sa që është bërë e vështirë të rroken të gjitha. Në fakt, edhe nëpër enciklopedi termi “Muzikë” trajtohet si arti, apo shkenca e organizimit të tingujve. Secili nga ne, sipas modeleve që i janë afruar, që i janë servirur, me të cilat është ushqyer, ka krijuar së bashku me shijet e veta edhe koncepte të diferencuara për muzikën. Dikush mendon se muzika është krijuar për të dëfryer njerëzit, ti bëjë ata më të gëzuar, apo të ngrejë lert humorin e tyre. Dikush tjetër mendon se muzika është krijuar për të frymëzuar njerëzit në jetën e tyre, për ti bërë më aktivë, më të fortë. Dikush tjetër e sheh muzikën si shprehje e ndjenjave më të holla në jetën e njerëzve, dhe sigurisht dikush edhe si një mjet komunikimi mbiracional, tërësisht intelektual, si një shprehje e lartë e mendjes njerëzore.

E emërtuar shpesh si një gjuhë universiale e njerëzimit muzika është përdorur deri më sot shumë pak si e tillë. Edhe kur shfaqet një koncert me veprat e Listit, Çajkovskit, apo Pendereckit shumë pak njerëz arrijnë lumturinë e të komunikuarit me këtë muzikë. Ndërkohë që sheshet e koncerteve të Lana Del Reit (Rey)  mblidhen me mijëra spektatorë euforikë të cilët paguajnë nga 75 dollarë biletën. Kjo për arsyen e thjeshtë se duhet mësuar gjuha muzikë, apo drejt këtij modeli po ecim? Në rastin e muzikës dëfryese elementi primar  – dëfrimi – është mjaft i ndjeshëm, në rastin e muzikës intelektuale të Pendereckit duhet njohur muzika si dhe filozofia e kohës së autorit për të komunikuar me idetë e tij muzikore. Madje nuk duhet mësuar jo vetëm gramatika dhe retorika e saj, jo vetëm sintaksa dhe morfologjia, por dhe një apo disa elementë të tjerë, të cilën e bëjnë atë një gjuhë tridimensionale. Kjo ndodh pasi muzika komunikon njëherësh me anë të tonalitetit, harmonisë, ritmikës, melodisë, orkestracionit, strukturës muzikore, aplikacioneve të ndryshme, regjistrave e së fundi edhe artit të interpretimit. Eshtë vërtetuar se çdo element, çdo ide kompozicionale, çdo element inteligjent që analiza muzikore zbulon ka ekzistuar dhe në mendjen e kompozitorit të saj. Madje mendohet se përveç atyre që ne perceptojmë ka dhe me dhjetra ide të tjera, që nuk mund ti vërejmë, apo që nuk shfaqen qartë, apo që nuk janë realizuar tërësisht nga kompozitori. Do ta quaja kompozitorin – poseduesin e parë të ideve që mbart muzika e tij dhe së bashku me të gjithë racën e muzikologëve të vërtetë, të cilët janë njohësit më të mirë të kësaj gjuhe humane hyjnore. Pas tyre vijnë një sërë tjetër artistësh të denjë që janë instrumentistët. Ata ekzekutojnë shenjat e pamjaftueshme që ka vendosur kompozitori në partiturë dhe së bashku me to transmetojnë dhe një pjesë të rëndësishme të inteligjencës së tyre, të dijes së tyre dhe të bravurës (zotësisë) së tyre. Nëse zotësia e tyre është e tillë që të ekzekutojë me përpikmëri lojën që është shënuar më partiturën e kompozitorit, atëherë mund të themi se loja arrin perfeksionin. Por, nëse interpretuesi përmes theksimit apo sfumimit të elementëve të ndryshëm shton idetë dhe forcën e komunikimit të tyre, shton elementët e shumtë të rëndësishëm duke i vënë në ekujlibra të tillë të cilët përcaktohen nga kultura dhe inteligjenca e tij e rëndësishme, atëherë mund të themi se instrumentisti e rikrijoi veprën mrekullisht.

E gjithë ky sqarim kishte për qëllim të tregonte rëndësinë e personave që e kuptojnë gjuhën muzikore (paçkah se gjuhë, të cilën jo të gjithë e kuptojnë njëlloj) dhe pikërisht rëndësinë specifike të kësaj gjuhe. Për tju kthyer temës që nisëm duhet thënë se jo shumëkush  ka luksin ta kuptojë dhe të komunikojë me idetë muzikore (gjithnjë kuptimi në muzikë është i natyrës muzikore), shpesh edhe kur ato janë të thjeshta. Por gjithkush, sipas kulturës dhe peshës së gjykimit të tij mund të rrokë menjëherë elementin tjetër të muzikës: atë dëfryes.

Që një pjesë e madhe e popullsisë të dëfrehet dhe të ndjehet e kënaqur me muzikë, qoftë në salla, qoftë në sheshe, apo edhe në bare, kjo nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi. Por vlera e muzikës nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë vetëm këtu. Detyra kryesore e institucioneve artistike profesionale është pikërisht të theksojë dhe të emetojë, pikërisht këtë specifikë të muzikës. Forcën e saj për komunikim intelektual, duke menduar të afrojë sa më shumë ndjekës të saj pa ulur nivelin e komunikimit, pa u larguar nga thelbi i këtij komunikimi e madje duke e shtuar nivelin e tij.

Sigurisht drejtuesit e institucioneve dëshërojnë të ndiqen nga sa më shumë spektatorë, mundësisht nga i gjithë populli, por kjo nuk arrihet duke shtuar dozën e elementit dëfryes të muzikës. Madje strategjia kulturore e një vendi duhet të arrijë me të gjitha mjetet pikërisht rritjen e niveleve të këtij komunikimi, hapësira e të cilit është e palimituar. Por politika, e cila është e interesit për përfshirjen e një mase sa më të madhe të popullsisë, zakonisht bën të kundërtën, pa menduar të gjejë rrugë për ngritjen e natyrshme të nivelit të dëgjuesve dhe shtimin e mundësive edukuese që muzika ruan në vetvehte. Shpesh vërejmë se elementë jashtëmuzikorë vihen në plan të parë dhe superojnë jo vetëm qëllimin e vetë muzikës, që është edukimi, por krijojnë shembuj trendy (të modës) që në rastin më të mirë janë jashtëartistikë e të huaj për procesin edukativ të njeriut.

Pikërisht ky element i rëndësishëm i muzikës: edukimi ka filluar të shihet pas një xhami opak, i cili po zbehet gjithnjë e më shumë. Kjo për disa arsye: Tregu muzikor, i cili kërkon të shesë sa më shumë dhe të jetë i pandikueshëm e kësisoj i pagjykueshëm. Politika, e cila, në rastin tonë është e interesuar  të zgjojë interesin e një mase të madhe njerëzish që nuk mendojnë gjatë, veçse të brohorasin sipas parrullës së radhës. Injorancës shoqërore, miopia e së cilës nuk dallon as muzikën as edukimin e as lidhjen midis tyre.

Kështu gjendja vjen e përmirësohet për këta faktorë për të cilët sapo shkruam dhe në fakt rëndohet për të vërtetën e mendimit tim. Ka zgjidhje? Mendoj se kur trupi sëmuret mund të shërohet, sipas rastit, me medikamente apo me operacion. Dhe në rastet e sëmundjeve të rënda si kjo jona, operacioni duhet të synojë të heqë të gjithë pjesën që gjeneron sëmundjen, sado e dhimshme të jetë ajo.

Nestor Kraja

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...