Kompozitori Krzysztof Penderecki, monument i kulturës muzikore

Bota muzikore ka përcjellë me dhimbje lajmin për largimin nga jeta të njërit prej kompozitorëve më të shquar të kësaj kohe, Krzysztof Penderecki.

Kompozitori polak është ndarë nga jeta mëngjesin e së dielës së 29 marsit 2020. Ai lindi në 23 nëntor 1933 në Debica, në juglindje të Polonisë dhe studioi në Krakovë ku edhe u diplomua në Akademinë e Muzikës.

Ai vazhdoi punën në Akademi si profesor para se të niste karriera e tij si kompozitor.

Fitoi shumë shpejt vlerësime për dy nga veprat e tij: “Trenodia për Viktimat e Hiroshimës” (Threnody to the Victims of Hiroshima 1960)  dhe veprën “Pasioni sipas San Lukës” (St Luke Passion, 1963-66).

Gjatë kësaj periudhe artisti  mori shumë vlerësime përfshirë edhe:  Medaljen e Artë Sibelius (1967),  Prix Italia (1968 – për veprën Dies irae) dhe Cmimin e Shoqatës Polake të Kompozitorëve (1970).

Në vitin 1973 karriera e Pendereckit u shtri edhe në SHBA me premierën e Simfonisë së Parë në Pittsburgh dhe me nisjen e tij si profesor në Universitetin e Jellit e cila vijoi deri në 1978.

Gjatë viteve 1970 gjuha e tij kompozicionale ndryshoi – më pak e lidhur me ndikimet e mëparshme të Webern dhe Boulez, dhe në rritje tonale me një fokus në intervalet specifike.

Simfonia e Dytë, “Krishtlindje” e vitit 1980 është një shembull i mirë i stilit të tij të ri.

Vepra e tij “Rekuiemi Polak”,  u komisionua nga “Solidariteti” për të përkujtuar ata që u vranë nga lëvizjet antiqeveritare në radhët e punonjësve të Gdanskut.  Kjo veper pati një ndikim të madh.

Kjo ishte një vepër tek e cila ai u rikthye dy herë për ta ripunuar dhe tregon angazhimin e tij shoqwror.

Vepra e tij Credo e vitit 1997-8 është një nga veprat e tij më të njohura bashkë me Koncertin e Dytë për Violoncel e vitit 1982, e shkruar për Mstislav Rostropovich-in.

Në korpusin e krijimtarisë së maestros numërohen tetë simfoni, pesë opera, një numër i madh veprash koncertante (dy nga koncertet e tij për violinë u shkruan përkatësisht për Isaac Stern dhe Anne-Sophie Mutter), vepra vokale, korale dhe muzikë dhome, përfshirë katër koncerte për kuartete harqesh. Ai ishte dhe dirigjent mjaft aktiv duke regjistruar shumë prej veprave të tij.

Në nderim të kompozitorit të shquar, një nga më të mëdhenjtë e kësaj kohe është hapur edhe një libër elektronik ngushëllimesh, ku secili dëshiron të shkruajë në nderim të tij,  mund të dërgojë mesazhin në adresën: magiczny.krakow@um.krakow.pl

Ideja për këtë lindi nga Bashkia e Krakovës, si pasojë e situatës prej koronavirusit.

Maestro Penderecki prej vitit 2013 ishte Qytetar Nderi i këtij qyteti jugor të Polonisë, qytet që ai thoshte se e “e kishte zgjedhur”.

I pari që shënoi në librin e ngushëllimeve ishte Kryetari i Bashkisë së Krakovës.

Në shumë prej mesazheve të shënuara vecohet personaliteti i tij jo vetëm si artist por edhe si njeri: “njeri madh dhe kompozitor i shquar” shkruhej në një nga shënimet.

“Polonia dhe bota ju detyrohet për disa nga përvojat e mrekullueshme që ne do të mbajmë mend”,  ishte një tjetër shënim.

Artisti i përmasave botërore do të prehet në Panteonin Kombëtar, që nodhet në Kishën e Shën Pjetrit dhe Kishen e Shen Palit në Krakovë, në një ceremoni që do të mbahet pasi të kalojnë kufizimet e kësaj krize.

Panteoni Kombëtar është themeluar në vitin 2012. Në të prehen figurat më të shquara të Polonisë të artit, shkencës, kulturës që e kanë promovuar Poloninë në skenat ndërkombëtare.

“Një nga kompozitorët më të shquar të kësaj kohe dhe një nga artistët më të mëdhenj në historinë e kulturës polake, Qytetar Nderi i Krakovës, laureat i Cracoviae Merenti, i diplomuar, profesor dhe për shumë kohë rektor i  Akademisë së Muzikës në Krakovë, e mbi të gjitha, një krakovian” , shkruante Jacek Majchrowski, kryetar i Bashkisë së Krakovës.

Kompozitori shqiptar i Kosovës Mendu Mengjiqi ka qenë student dhe i afërt me Pendereckin e madh.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...