Sopranoja shqiptare Nina Muho në skenën e Teatrit “Verdi”

Një ftesë artistike në kohë pandemie për Solisten e re  të TKOB-së sopranon Nina Muho solli një  pikë arritjeje jo vetëm për artisten, por një vlerë që ju shtua edhe Teatrit tonë të Operas dhe Baletit.

Ditën e enjte, më 31.12.2020 sopranoja nga Shqipëria interpretoi në skenën  skenën e Teatrit Lirik „Verdi” në qytetin e Triestes në Itali . Artistja lirike ishte e ftuar në programin e „Fundit të vitit” të këtij teatri prestigjoz. Koncerti u drejtua nga dirigjenti i njohur japonez Takayuki Yamasaki.

Programi u përcoll në kanalin televiziv „Telequattro” dhe në platformën streaming (www.telequattro.it) për të gjithë adhuruesit e muzikës dhe të kulturës që dëshironin të ndanin çastet e fundit të vitit 2020 nën tingujt e muzikës. Prej disa orësh koncerti mund të ndiqet edhe në kanalin YouTube të televizionit „Telequattro”.

Fjalën e hapjes dhe përshëndetëse të këtij koncerti e mbajti kryetari i Bashkisë së Triestes Roberto DIPIAZA. Në koncertin që zgjati përafërsisht dy orë mbajtur në mbrëmjen e 31 dhjetorit u përcollën numra humori, baleti dhe pjesë për kor dhe orkestër.

Koncerti i fundvitit solli një program të pasur veprash të kompozitorëve të njohur si: G.Puccini, G.Verdi, Ch.Gound, Offenbach,Rossini  etj. Kur shumë koncerte janë pezull dhe kur pandemia vijon të kufizojë mbajtjen e kalendarëve muzikorë në shumë vende, shteti fqinj dhe qyteti i njohur që ka mirëpritur shumë artistë, dhuroi në mesnatë një program të pasur dhe të kujdesur në çdo detaj.

E ftuara e kësaj mbrëmjeje, sopranoja shqiptare Nina Muho u ngjit në skenë për të interpretuar disa pjesë të njohura për të kulmuar me duetin nga „La Traviata” pikërisht në çastin e ndërrimit të viteve.

Ajo nisi prezantimin e saj skenik me një pjesë premiere të shkruar  nga kompozitori Italian Marco Taralli. Pjesa e komisionuar nga Teatri ju besua  sopranos shqiptare nën shoqërimin edhe të korit e orkestrës.

Pjesa e titulluar „Tell me the tale of Christmas” ishte si një ftesë për të jetuar atmosferën që fal Krishtlindja.

Më pas Muho interpretoi „Je veux vivre” një pjesë të njohur nga Gounod shkëputur nga „Romeo dhe Zhulieta”. Në interpretimet e sopranos shqiptare përfshiheshin edhe dy duete me tenorin kinez Zi Zhao Guo dhe mezzosopranon japoneze Kimika Jamagiwa.

Në duet me artisten japoneze Jamagiwa sopranoja Muho interpretoi „Barcarolle” nga „Le contes D’Hoffman” nga  Offenbach.

Në interpretimet solistike të Muhos përfshihej edhe „Quando m’en vo, Valzer di Musetta” nga „Boheme” nga kompozitori G. Puccini.

Kur prezantuesit nisën të numëronin sekondat e fundit të 2020-ës dhe viti sapo trokiti dueti „Brindisi” nga „La Traviata” e Verdit mes sopranos Muho dhe tenorit Zi Zhao Guo solli gëzimin dhe harenë e festës.

Koncerti me titull “Koncerti i Fundit të Vitit” i Teatrit “Verdi” organizohej nën kujdesin e Bashkisë së Qytetit të Triestes.

Nisur nga shikueshmëria e lartë e këtij koncerti, televizioni e risolli edhe njëherë për shikuesit e tij  në datën 3 janar.

Për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë ta ndjekin këtë program ja dhe linku:  https://www.youtube.com/watch?v=UnGVUkipltE

Sopranoja shqiptare Nina Muho lindi në qytetin bregdetar të Vlorës. Rruga në këtë fushë nisi si nxënëse në liceun “Naim Frasheri” në Vlorë në degën e kantos. Më pas vijuan studimet në Universitetin e Arteve të Tiranës, në përfundim të të cilave ajo diplomohet me medalje ari si studente e  “Ekselencës”. Pas përfundimit të studimeve Muho është vlerësuar me disa çmime brenda dhe jashtë vendit si: ”Interpretimi më i mirë Giuseppe Verdi”­ në konkursin për zëra femërorë “Marcella Pobbe”, “Çmimi Special” dhe çmimin si “Interpretuesja më e mirë” në konkursin “Këngët e Tokës”, çmimin e parë ne konkursin “Jorgjia Truja”, çmimin e tretë në konkursin “Marie Kraja” etj.

Në karrierën e saj artistike sopranoja shqiptare ka realizuar disa role të para si rolin e Violetta Valery  nga opera “La Traviata” e G.Verdit, rolin e Mimisë nga opera “La Boheme” e G.Puccini, Michaela nga Opera “Karmen” e G.Bizet, “Rosalinde” nga “Lakuriqi i natës” e kompozitorit J.Strauss , “Contessa” nga opera “Dasma e Figaros” e V.A Moxart.

Aktualisht Nina Muho është soliste në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...