Shkodra Jazz Festival, një ngjarje që gjallëron qytetin

… Edhe pak, dhe fillon edicioni 2019 i festivalit Shkodra Jazz.

Ky festival mbështetet kryesisht nga bashkia e qytetit ku zhvillohet ky festival nga ku e merr edhe emrin.

Vit për vit, festivali, sjell një frymë festive në qytetin e Shkodrës. Në periudhën kur zhvillohet festivali, Shkodra i hap dyert e veta muzikantëve të ndryshëm nga bota dhe i mirëpret ato plot bujari. Tashmë ky festival është bërë si kartvizitë e këtij qyteti, mbasi shumë nga muzikantët që vijnë dhe luajnë muzikë në këtë festival, marrin me vete atmosferën magjike të këtij qyteti që dremit buzë liqenit, dhe e mbajnë atë me vete, si një kujtim i bukur për të cilin ja vlen të rikthehesh. Kështu, që nga viti 2005 e deri më sot, janë bërë nëntë edicione të këtij festivali, dhe ndërkohë që po shkruaj, Shkodra, po përgatitet për të mirëpritur edicionin e dhjetë.

Shkodra Jazz Festival, lind nga një ide fillestare e violinistit Rrok Jakaj, i cili për fat të keq, u nda nga jeta pa arritur që ta shijonte idenë e tij. Kjo ide u zhvillua dhe u realizua më tej nga vëllai i vogël i Rrokut, Florian Jakaj, i cili me mund e sakrifica arriti të realizonte festivalin në fjalë.  Rreth këtij festivali intersant, unë e kam shpesh zakon të tregoj një anekdodë, e cila lidhet me ideatorin e saj, muzikantin Rrok Jakaj:

Kur ne studionim muzikë klasike, ishin vitet e censurës të së ashtuquajturës “diktaturë e proletariatit”. Në atë kohë, muzika që studionim ishte e cunguar! Historia e saj arrinte deri tek Romanticizmi dhe më pas kishte vetëm tym, injorancë dhe zona grí! Ndër shkollat tona mungonte jeta dhe vepra e muzikantëve të shekullit të XX, dhe të fliteshe për Jazz atë kohë, as që bëhej fjalë. Jazz-i ishte i etiketuar si muzikë shthurëse, e sëmurë, … “më keq se lebra!”.

Ishte viti 1984, kur unë, për herë të parë u njoha me muzikën Jazz përmes disa partiturave të cilat im atë Gjon Kapidani i mbante të fshehura nga sytë e botës! Përmes këtyre partiturave mësova rudimentet e kësaj muzike. Më tej, këto partitura, fillova t’ia kaloj edhe miqve të mi muzikantë, të cilët i kalonin ato dorë mbas dore. Dikush i kopjonte, dikush i studionte … dhe në fund partet ktheheshin sërish tek unë. Në ato kohë të zymta rastiste që të mblidheshim bashkë: unë, Rroku, Lekë Spathari, Arjanit Balca e do shokë tjerë dhe fillonim të ëndërronim me sy hapur, sikur të luanim Jazz pa frikë të censurës së regjimit komunist. Pikërisht në këtë periudhë, Rroku kishte filluar të interesohej për muzikën Jazz. Fundi i viteve 80 dhe fillimi i viteve 90 i shekullit të kaluar, ka qënë një moment tepër delikat për brezin tim.

Kështu që, disa muaj përpara se Rroku të merrte rrugën e kurbetit, rastisi që partiturat e mija t’ia kaloja atij, mbasi kishim dëshirë të bënim një grup (klandestin). Ndërkohë për ne ishte i nevojshëm një program muzikor Jazz. Rrokut i pëlqente Stéphane Grappelli, (Stefan Grapeli). Unë (me vesh, nga disa regjistrime në magnetofon me bobina) kisha bërë disa transkriptime të violinistit në fjalë. Kështu që partet e transkriptuara bashkë me partiturat tjera Jazz të tim eti, ja kalova Rrokut.

Më kujtohet që Rroku nuk ju ndante parteve Jazz. I kishte gjithmonë me vete brenda arkës së violinës, së cilës përveç se kur shkonte të flinte, nuk ju ndante kurrë.

Rroku emigroi në dhè të huaj, ashtu siç ikën shumë nga ne, “hipur mbi anijet e mjerimit”, por plot me shpresë për një të ardhme më të mirë. Me vete, Rroku kishte violinën, nga e cila nuk ndahej kurrë. Brenda violinës ishin edhe partiturat e mia Jazz …

Pak vite më vonë u takova me Rrokun në Cuneo, por kohët tashmë kishin ndryshuar. Ëndrrat tona ishin të kompromentuara nga realiteti i ri i emigracionit. Kështu që as që më ra ndër mend t’ia kërkoja të m’i kthente partiturat. Më tej, mbas humbjes së Rrokut, kur mora vesht se Floriani (vëllai i vogël) po mundohej të bënte edicionin e parë të festivalit Shkodra Jazz, mu kujtuan edhe partiturat …

Morali i anekdodës: Më pëlqen të imagjinoj motivimin e Rrokut si një dëshirë për t’i rikthyer qytetit atë pjesë të kohës tonë, kur mblidheshim mes nesh … dhe fillonim të ëndërronim të luanim Jazz pa frikë të censurës së regjimit komunist.

Tashmë ka vite që Festivali i Rrokut tonë, është bërë realitet i cili (jo rastësisht) i ka rrënjët në Shkodër. Ky festival është pjesë e këtij qyteti dhe duhet të vazhdojë të jetë i tillë, mbasi Shkodra, Djep i Kulturës, kalon edhe përmes historive të tilla të cilat rikthehen me nostalgji tek ky qytet i bukur që dremit buzë liqenit, për tu bërë realitet, për tu bërë eksperiencë pozitive që e gjallëron jetën e Shkodrës tonë.

* * *

Në vitin 1992, me 21 korrik, Unë, bashkë me trompistin Lekë Spathari, kontrabasistin Aranit Balca dhe bateristin Arian Qehaja, krijuam grupin e parë Jazz në Shqipëri. Ishte hera e parë që në vendin tonë luhej kjo lloj muzike. Kuarteti ynë quhej “The Song Of Jazz”. Koncerti ynë i vetëm u mbajt në Teatrin “Migjeni”, me peripeci të mëdha, mbasi vendi sapo kishte pësuar “shokun e çlirimit” nga kthetrat e diktaturës dhe kushtet ishin të papëshkrueshme. Atë ditë s’kam për ta harruar kurrë. ..

Më tej, gjërat morën një rrugë të çuditshme! Miqtë tonë muzikantë u shpërndanë gjithandej nëpër botë, dhe bashkë me ta, ikën dhe ëndrrat e adoleshencës …

Në vitin 1997 vendosa të emigroj, mbasi vendi im (me gjithë dëshirën pozitive) nuk ishte i prirur as mendërisht dhe as materialisht të mbështeste zgjedhjet e mija artistike. …

Tashmë gjërat kanë ndryshuar shumë! Unë jetoj jashtë atdheut, por sa herë që kthehem në Shkodër, e gjej dikund një kënd, një rrugicë, një derë e cila “më flet” duke më kujtuar kohët e shkuara.

… Dhe ja ku gjendem përpara ekranit të kompjuterit, tek shkruaj këtë artikull për festivalin jazz më të bukur të Shqipërisë! Tashmë, jam pjesë e këtij aktiviteti jo vetëm si solist Jazz (përmes përformimeve të mija) por edhe përmes kurseve verore në Rrok – [CJ] Academy.

Ky është viti i tretë që përveç përformimeve muzikore në festival, mbahen edhe kurse muzikore verore. Në Rrok Academy, përveç meje që merrem me teknikën e improvizimit, është dhe violinisti i talentuar Maestro: Paçalin Pavaci, i cili punon muzikalisht dhe drejton orkestren e harqeve “Skanderbeg Chamber Orchestra”. Gjithashtu këtë vit do ketë dhe një kurs për instrumentin e fizarmonikës të mbajtur nga fizarmonicisti Bardh Jakova. Po këtë vit publikohet libri im “Shenime për Muzikantin”. Është absolutisht libri i parë i teorisë së muzikës Jazz i botuar në gjuhën shqipe.

Gjitha këto gjëra bëhen të mundshme përmes grupit të punës dhe miqve të festivalit, të cilët punojnë me pasion dhe përkushtim për realizimin e këtij projekti artistik.

Ky është “Shkodra Jazz Festival” – fundja, “kjo asht Shkodra”!

Një eveniment që gjallëron jetën e qytetit. Si murrlani i padukshëm që fryn velat e varkës që lehtazi rrëshqet përmbi liqenin pasqyrë të Shkodrës, muzika fryn ndër rrugët e qytetit tim, dhe derisa të ketë erë, do të ketë gjithmonë muzikë dhe këngë të reja për qytetin …

Markelian Kapidani

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...