Presidenti Meta vlerëson kompozitorin Çesk Zadeja me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Presidenca shqiptare diten e entje më 22 tetor 2020  ka nderuar me Dekoratën “Nderi i Kombit” kompozitorin Çesk Zadeja.

Në një ceremoni solemne të mbajtur në sallen që mban emrin e kompozitorit Zadeja nuk mungoi muzika.

Për të pranishmit interpretuan formacioni orkestral i frymës nën drejtimin e Dekanit të Fakultetit të Muzikës Prof. Dr. Isak Shehut si dhe flautistja e njohur e Orkestrës së RTSH-së Jonela Golemi nën shoqërimin pianistik të Amir Xhakoviqit.

Ndiqni më poshtë edhe njoftimin në faqen e institucionit të presidentit:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne të zhvilluar në Universitetin e Arteve, kompozitorin dhe muzikantin e shquar shqiptar Çesk Zadeja (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”.

Titulli i lartë, iu akordua me motivacionin: “Për vlerat e çmuara si themelues i institucioneve muzikore artistike shqiptare; me vlerësim kompozitorit, që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën tonë kombëtare; dekanit të përhershëm të shkollës shqiptare të kompozimit si dhe artistit, i cili lartësoi me muzikën, veprën e tij artistike, pedagogjike dhe shkencore në mbarë botën, traditat dhe emrin e Shqipërisë”.

 Gjatë fjalës së mbajtur në prani të Rektorit të Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi, artistëve, muzikantëve e familjarëve të Profesor Zadesë, Presidenti Meta u shpreh:

“Jam shumë i lumtur që jemi sot së bashku, për të vlerësuar kompozitorin e jashtëzakonshëm të kombit tonë, Profesor Çesk Zadeja, pikërisht në këtë sallë që mban emrin e tij.

Që prej viteve ’50, emri i profesor Zadesë lidhet ngushtësisht me historinë e muzikës sonë, një herë e përgjithmonë.

 Në këtë periudhë, ai filloi jetën artistike të krijuesit të kompletuar të muzikës shqiptare me kompozicionet e tij.

Ndër veprat e para të këtij procesi krijues janë muzika legjendare e filmit Skënderbeu dhe Simfonia e parë e madhe e muzikës shqiptare.

Këto vepra, manifeste të vërteta të artit muzikor shqiptar, ishin prova më e mirë se muzika shqiptare po ridimensionohej dhe po reformohej përkrah një kuadri europian.

Vepra e Profesor Zadesë, me një identitet të spikatur, inicioi për muzikën shqiptare një ‘erë të re’ dhe njëkohësisht, kjo muzikë që përshkruhej si ‘e re’ dhe ‘moderne’ shndërrohej gradualisht në pjesë të historisë, duke zënë vend në fondin e artë të krijimtarisë sonë.

Veprat dhe kontributi i Profesor Zadesë janë një, me vetë rrugën që përshkroi historia e muzikës së vendit tonë. Brenda saj është tradita, risia dhe e ardhmja jonë.

Nëse veprat muzikore janë njëra pjesë e punës së Profesor Zadesë, pjesa tjetër është e lidhur me kontributet e tij të jashtëzakonshme pedagogjike, artistike e shkencore, të cilat janë aq të mëdha sa me të drejtë është quajtur edhe nga të huajt si ‘babai i muzikës dhe i kompozitorëve shqiptarë’.

Ne të gjithë i njohim ish-nxënësit e Profesor Zadesë, edhe ata shumë emra të mëdhenj; Tonin Harapin, Kozma Laron, Limoz Dizdarin, Shpëtim Kushtën, Aleksandër Peçin, Thoma Gaqin, Kujtim Laron dhe shumë e shumë personalitete të tjera.

Në rrugëtimin e tij, Profesor Zadeja synoi të bënte një reformim të vërtetë të muzikës sonë, duke e orientuar procesin e zhvillimit të muzikës shqiptare për nga rrёnjёt muzikore etnike tё muzikёs sonё tradicionale.

Nё vitin e fundit tё jetёs, Profesor Zadeja la nё dorёshkrim edhe librin e tij tё çmuar ‘Vetёparja e procesit’, i cili u botua pas vdekjes nёn kujdesin e familjes së Tij dhe të akademikut Vasil Tole.

Profesor Zadeja shprehet se: ‘Për të qenë në thellësi kombëtar, duhet të njohim rrënjët e mendimit të krijimtarisë popullore’.

Ky libër është njëkohësisht dëshmi e rolit të tij përbashkues si lider shpirtëror i muzikës sonë dhe pjesë integrale e trashëgimisë kulturore europiane të shqiptarëve.

Emri i Profesor Çesk Zadesё ёshtё i lidhur ngushtё me njё nga simbolet tona kombёtare, me ‘Himnin Kombёtar’.

Orkestrimi, që i madhi Zadeja, realizoi në vitin 1995, është kthyer sot nё njё standard artistik e ligjor pёr interpretimin e drejtё tё tij.

Sot, Profesor Zadeja është vërtet i larguar fizikisht, por vepra e tij është mes nesh, vepër që konsiderohet si pjesë e trashëgimisë më të mirë kulturore e artistike të Shqipërisë, në të gjitha kohët dhe që na bën krenar.

Për kontributin e jashtëzakonshëm për muzikën tonë kombëtare si dhe për gjithë veprën e tij artistike, shkencore e pedagogjike, në interes të kombit tonë, kam nderin t’i akordoj Profesor Çesk Zadesë, Dekoratën e lartë ‘Nder i Kombit’.

Faleminderit!”

 

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...