Panem et circenses! (Bukë e cirk!)

Dje, fillimjava e dytë e muajit korrik, nisi trishtueshem dhe zymtë si vetë ky vit i mbrapshtë 2020 me lajmin e hidhur të shuarjes së gjeniut dhe një prej ikonave më të mëdha të muzikës së filmit të shekullit të shkuar, Maestro Ennio Morricone. Nuk është e nevojshme të bëhet një nekrologji apo jetëshkrim për jetën e tij sepse ai ishte, është dhe do mbetet një nga emrat më të mëdhenj të artit botëror edhe për shekujt e ardhshëm. Nuk ka fëmijë, adoleshentë, të rinj a të vjetër që nuk e kanë dëgjuar një herë të vetme (qoftë edhe shkarazi) muzikën e tij. Muzikën e tij e gjejmë në filmat “Western” të viteve ’60, tek këngët e Mia-s, nëpër reklama e sigla televizionesh, dokumentaresh, nëpër drama teatrosh, kasetofona makinash, nëpër restorante e bare, në “youtube” e deri tek filmi i tij i fundit “The hateful eight”, me regjisor Tarantinon, film i cili rastësisht qelloi të ishte gjithashtu “Western”. Më këtë film u shpërblye dhe me çmim “Oscar” si “muzika origjinale më e mirë” e edicionit të 88-të të tij. Gjithsesi, në vendin tonë vëmendja e institucioneve kryesore të kulturës kryesisht Ministria e Kulturës, në këto 30 vite ndaj këtyre personaliteteve, por sidomos ndaj artit të tyre, ka qenë zero, nul, si vetë përfaqësuesit e institucionit më të lartë kulturor në vend. Mos flasim për bizneset e mëdha (monopole) apo biznesmenët (oligarkë) që në vend të sponsorizojnë koncerte gjigande të këtyre personaliteteve botërore që një herë në jetë bie rasti ti shijosh, orvaten lart e poshtë për të pastruar paratë e tyre të pista nëpërmjet financimeve të emisioneve televizive, në “real estate”, qendra tregtare apo restorante e hotele kudo nëpër bregdet. Kur niveli kulturor i ministrave të kulturës ka qenë mediokër, imagjinohet vete se si është i këtyre të tjerëve. Nuk mund të presësh që këta biznese apo biznesmenë të investojnë në art e kulturë të mirëfilltë, kur nuk e bën vetë ministria këtë detyrë që ka. Sa për informacion: Morricone ka bërë dy herë koncert në Athinë, i pari më 4 dhe 5 Korrik 2005 në Akropoli (Parthenon) dhe i dyti më 28 dhe 29 Nëntor të vitit 2008 në teatrin “Herodion”. Më pas më 27 Gusht 2008 në teatrin “Križanke” të Ljubjanës, Slloveni. Për Shën Valentin të vitit 2009, Morricone jep koncert në “Kombank Arena” të Beogradit dhe pas pesë muajsh ai rikthehet në Ballkan fare pranë nesh, vetëm 50 km larg Pogradecit, në Ohër, ku më 12 Korrik 2009 çel festivalin e famshëm veror të Ohrid, festival i cili zhvillohet pa ndërprerje që nga viti 1961, një kohëzgjatje e admirueshme, e ku kanë dhënë koncerte personalite të vërtetë me emër e peshë në artin dhe muzikën botërore, emra si: Leonid Kogan, Svyatoslav Richter, Henryk Szeryng, Mstislav Rostropovich, Gidon Kremer, Ruggiero Ricci, Viktor Tretiakov, Salvatore Accardo, Maxim Vengerov, Vadim Repin, Julian Rachlin, Michel Camilo, Nigel Kennedy, Zubin Mehta etj., etj… Ky festival financohet 90% nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut dhe 10% nga sponsor të tjerë. E të mendosh se çfarë GDP-je ka Maqedonia e Veriut në raport me ne. Lëre pastaj paratë e pista, që nuk u vunë sikur njëherë të vetme në shërbim të një të mire të përbashkët, ose në këtë rast, kulturës. Pas Maqedonisë së Veriut, mbase si shenjë xhelozie ndaj këtij shteti, Morricone ftohet të japë koncert më 10 Dhjetor 2013 në “Armeets Arena” të Sofies, Bullgari. Turin e tij Ballkanik, Morricone e përfundon më 11 Prill 2015 me koncertin e tij në “Arena Zagreb” në Zagreb, Koraci. Kudo rreth nesh dhe asnjëherë tek ne! Ja pra, të gjithë shtetet tona fqinje kanë pasur dhe kanë ministri kulture dhe ministra të kulturuar, me stafet e tyre po aq të pregatitur e plot kulturë, ku kanë ditur të thithin artin e vërtetë dhe përveç se t’u dhurojnë emocione të papërsëritshme njerzve dhe publikut të tyre, ata kanë menduar edhe për turizmin kulturor por edhe për një reklamë të goditur dhe me vlera historike për vendet e tyre. Po ne…?! Si gjithmonë, të fundit në çdo aspekt dhe gjithashtu qesharakë! Sa shkon pështyma, aq shkon mendimi ynë! Këtu Ministria e Kulturës dhe Bashkia Tiranë, si dy institucione me fonde të konsiderueshme, i kanë shpërdoruar këto 30 vite paratë e taksapaguesve, duke i keqorientuar në shije e duke ftuar me shuma të ekzagjeruara parash artistë të dorës së dytë si: DJ të parëndësishëm, këngëtarë të viteve ’70-’80 që propagandoheshin si të famshëm, apo Jessie J., dhe Emeli Sande, e për të mos harruar dy ksenofobët dhe antishqiptarët famëzinj si Goran Bregoviç dhe Notis Sfakianakis. Harrojnë se në vendin tonë nuk ka vetëm rini, por ka edhe grup-mosha të tjera dhe njerëz me shije kulturore e artistike të ndryshme nga ata të qejfit dhe argëtimit të shfrenuar. Gjithashtu dhe studentë apo personalitete të cilët kanë mbaruar artet. Për artistët e huaj që përmenda më lart dhe disa rreperë drogaxhinj, butakë e injorantë që përdoren madje edhe nëpër fushata si artistë, paraja derdhet lumë dhe ka për të gjithë, ndërsa për kalibrin e Morricone-s ka vetëm nekrologji dhe lajmërime vdekjeje qesharake ashtu si ai i sotmi, ku ministria jonë e kulturës njësoj si në rastin e Zgarbit, bëri “share” postimin e vetë ministres, e cila citonte nja dy thënie të Mjeshtrit Morricone (që ja kanë servirur duke i marrë lart e poshtë nëpër internet) dhe na lajmëronte se u shua në moshën 91 vjeçare. Ky lajmërim mu duk si ato shpalljet e vdekjeve nëpër cepa pallatesh apo shtylla korenti, ku mbetej vetëm të shtonte se, vizitat për të ndjerin priten pranë shtëpisë së tij në Romë, e gjatë vizitës të vendosen maska dhe doreza duke respektuar distancimin fizik prej 2 metrash. Kjo garë e këtyre institucioneve fantazmë dhe medias për të dhënë të vetmin lajm, atë të vdekjes për këtë personalitet të kulturës mbarë botërore, ma pështiros e më ndjell neveri. Në lashtësi, politikanët dinakë romakë, ua kishin ulur aq shumë aspiratat, vetëdijen dhe nivelin kulturor qytetarëve të thjeshtë, në mënyrë për t’i shpërqëndruar ata nga detyrat e qytetarëve të denjë dhe kërkesat ndaj elitës politike, sa u jepnin vetëm bukë dhe cirk, pra argëtim. Ja pra se në çfarë gjendjeje ndodhem: Bukë dhe cirk! Për të parën kam dyshime se ka, ndërsa për të dytën jo. Është një cirk i përbashkët: Politikë-Popull! Nëse duam edukim, ai nis gjithmonë nga lart poshtë, asnjëherë nga poshtë lart. Publiku gjithmonë thith e përqafon atë që i ofrohet. Artist të bën shkolla dhe dija, jo rruga! E nëse ti i ofron publikut “art” rruge… U zgjata kot në fakt, në një kohë kur katundi jonë e ka me merak të madh se si e kaloi karantinën “X” apo “Y” dhe gjithashtu ka pikë të dobët shëmbjen e teatrove dhe kinemave, e në vend të tyre të ndërtojnë kulla, bare e restorante në të cilat të këndojnë artistë me famë nërkatundore si “Zhurmuesi” dhe “Ankthi”.

/Armand Broshka/

 

 

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...