Në përvjetorin e kompozitorit Rexho Mulliqi

 Rexhoja në verzionin e Zonjës Vesna Mulliq

 

…Gjithsesi Zonja Vesna Mulliq (vajza e Rexhos) është prej atyre familjarëve të shumtë të Rexhos që, për shumë arsye, ka drejt morale që ta mbron veprën e Rexhos. Si një intelektuale e vërtet me horizont të gjërë kulturor, njohëse e shkëlqyeshme e letërsisë, duke studjuar edhe muzikën një kohë, ajo e njihte në detaje veprën e Rexhos, atë e adhuronte muzikën, atë vepër e ruante në çdo pikëpamje /dhe është fat që, në atë çmendi të vitit 1999, kjo vepër nuk pësoi fatin e hidhur siq patën të disa veprave të tjera të muzikës sonë që u shkatruan. Siq dihet, është zhdukur arkivin e vlefshëm i Radio – Prishtinës e me të vepra, kopjet e të cilave nuk ekzistojnë. Ta zëmë është zhdukur opusi i kompozitorit H. Kasapolli; të njejtin fat pat edhe vepra Koncerti për piano e Orkestër simfonik të autorit të këyre rreshtave e shumë e shumë të tjera/.

Ajo ka qenë personi gjithsesi më i afërt i Rexhos në vitet e fundit të jetës së tij. Kjo kë rëndësi dhe si e till nuk është e diskutueshme. Megjithatë, ky fakt nuk i jep të drejt të pakufishme të vendos në mënyrë arbitrare për të gjitha aspektet e këtij opusi. Rexhoja është personalitet publik /meqë vepra e tij ka qenë e publikuar!/, dhe rrjedhimisht kësaj, kjo vepër i takon të gjithëve. Këtë opus, gjithsecili mund ta dëgjojë, ta adhuron, ta luan dhe ta kritikon me të njejtën të drejt si edhe ajo. Pra, shkurt, vepra e Rexhos nuk është pronë private, ajo i takon të gjithëve (pos të drejtave drejtave të autorit që parashihen me ligj, e që supozojmë se Zonja i ka të rregulluara).

Mulliqi, Mulliq apo Mullaj?

Nga kjo bisedë kuptuam se synimi kryesor i kësaj zonje ishte i thjeshte: t’i tregoj opinionit kosovar se Rexhoja nuk paska qenë asnjëherë kompozitor shqiptar/kosovar (mbase “siq po pretendokan kosovarët”). Dhe ndër argumentet “më të forta’ ajo e rendit argumentin  e vet emrit të Rexhos. Ajo thot se emri i vërtet i Rexhos është Rexho Mulliq e jo “Mulliqi”. Se ky është realisht argumenti “më i butë” dhe më i paqëndrueshmi ka shembuj të  shumtë analog, bile në masë të madhe pikërisht në botën e muzikës. Emrat në gjuhë të ndryshme shqiptohen shpeshëherë (mos të themi rëndomtë!) në mënyra të ndryshme. Emrin e kompozitorit gjerman J.S. Bah, francezët e shqiptojnë Bak, dhe për këtë gjermanët fare nuk hidhërohen e aq më pak s’bëjnë orvatje që t’a kontestojnë. Kompozitori i famshëm i polifonisë vokale Jakob Gallus, të cilin sllovenët e konsiderojnë prijës të muzikës së tyre të epokës së renesansës, në botime të ndryshme e gjejmë me shumë emra (Jakob Petelin, Jakobus Handl, Jakobus Gallus etj.). Duke qenë prejardhja e tij sllovene e kontestuar nga italianët, gjermanët etj., muzikologët sllovenë, për ta dëshmuar se ai është në të vërtet slloven, nuk marrin si argument emrin e tij por karakteristikat specifike të muzikës së tij. Madje përmes studimeve të shumta që kanë bërë për të dhe për veprën e tij, kanë zbuluar që në strukturën e kompozimeve të tij (që i takojnë ekskluzivisht një polifonie të traditës evropiane) të ketë elemente të muzikës popullore të Kranjskës, të vendlindjes së tij.

Se një muzikë, një vepër ka elemente nacionale përcaktuese, apo afërsi  me një muzikë nacionale konkrete, është çështje përherë e debatueshme. Që një muzikë të jetë shqiptare, franceze, apo gjermane, nuk është çështje e deklarimit  të kompozitorit por e finesave të holla që gjenden në mbrendi të vetë kësaj muzike, në karakteristikat e ndjeshme të të gjitha elementeve strukturale muzikore, të cilat i nënshtrohen analizës dhe verifikimit me parametra shkencor-muzikologjik. Megjithatë, se muzika e Rexhos është e afërt me muzikën shqiptare është lehtë e argumentueshme, dhe se ajo s’ka të bëjë fare me muzikën serbe apo malazeze, këtë mund ta vëren edhe një amator dhe për këtë nuk na nevojitet çertifikata e lindjes së kompozitorit, meqë kjo nuk është kjo punë ofiçerije.

Të shtojmë se, kur është fjala për Rexhon, sa i përket emrit, ai vet këtë detaj e ka pasë të papërcaktuar apo me vetëdije e ka lënë të papërcaktuar dhe qëllimisht mjegulluar (për arsyra të ndryshme, mbase edhe politike!) Në disa botime, (partitura të shaptillografuara të Radio-Beogradit-të  këngës shqipe të përpunuar për kor dhe orkestër “Një lule”), emri i tij figuron si Rexho Mullaj! Pra thënë më më konkretisht, Vesna mund ta quan si të duan babain e vet, ndërsa ne në Kosovë, këtë kompozitor do ta qujamë thjeshtë: Rexho Mulliqi.

“Identiteti jugosllav”

Argument tjetër që kjo zonjë e prezanton është edhe më i diskutueshëm. Mbase për t’i dekurajuar kosovarët “në përvetësimin e tij”, Vesna thot se Rexhoja e ka konsideruar veten si kompozitor jugosllav (!).

Siq dihet, në histori ka raste të panumërta, kur ambientit teritorial në të cilin jeton një kompozitor/krijues, i ndryshohet emërtimi si pasojë e ndryshimt të rregullimit shoqëror, me çka ndrushon edhe përcaktimi teritorial. Në kohën e kompozitorit slloven, që e pëmendëm më lart, Jakub Gallus (vetëm ta marrim një shembull, ndër qindra të tjerë), nuk ka ekzistuar Sllovenia si shtet, dhe sigurisht që ai veten nuk e ka mundur ta quan kompozitor slloven (!).

Kjo Zonjë mund ta kishte përmendur edhe një detaj në favor të qëndrimit të saj, në përditshmërin e tij, Rexhoja flitte sërbisht (!). Edhe për këtë detaj mund të diskutohet, mund të gjenden spjegime, por me këtë mund të depërtohet lehtë në teoretizime për problemet e mëdha politike që e rrethojnë këtë vend me shekuj, e jo vetëm në rastin e Rexhos. Mendoj se këtë duhet evituar, për një arsye farë të thjeshtë. Ata që e kanë njohur Rexhon, mund ta pohojnë lehtë këtë, se ai ka qenë një artist me erudicion dhe shpirt të madh krijues. Objektivisht  për të, këto tema për të cilat flet vajza e tij, në raport me muzikën, kanë qenë efemere dhe të parëndësishme.

 

Personaliteti i tij nuk ka nevojë  të vendoset dhe  identifikohet me kontekste teritoriale-politike inekzistente dhe qesharake. Mbase të gjithë tashti e dimë se “jugosllavizmi” ishte konstrukt i trilluar serb. Është e vërtet se ka qenë për një kohë mjaft “efikas”, bile deri në absurditet. Për më tepër,  Rexhoja, i cili ka pasur probleme të hapta  me regjimin komunist të kohës (siq dihet ai është burgosur nga komunistët jugosllav, në kohën e Informbyros), mbase  ka pasur edhe kalkulimet e veta shumë praktike për të mbijetuar. Si njeri shumë inteligjent, ai ka ditur psikologjinë e këtyre matrapazëve politik. Ai e ka ditur faktin absurd dhe paradoksal se në ish Jugosllavinë komuniste,  më e sigurt ka qenë të jesh “jugosllav” se sa kumunist (!).  kjo ka qenë e vlefshme sidomos për popujt josllav(!).

Debatin për prejardhjen e Rexhos zgjatë tashmë disa decenije (nuk është ky i pari me këtë intervistë të vajzës së Rexhos!).

Por të gjitha këto tema dhe argumentime të Zonjës në fjalë, janë minore kur ju ndesheni me muzikën e kompozitorit Rexho Mulliqi. Pra, ajo që është e rëndësishme te ky personazh  është muzika e tij dhe jo provenijenca e deklaruar apo e pa deklaruar kombëtare e tij. Në të kundërtën, nëse analizohet me këtë logjikë dhe me këtë lloja agumentimi Rexhoja, ne mbase duhet edhe t’ia bëjmë testin e ADN-së që të vërtetohet se është apo s’është shqiptar. Pastaj kjo storie qesharake me “përfkatësinë jugosllave” të Rexhos mund të jetë edhe e dhembshme për këtë kompozitor, shiquar nga perspektiva e sotme historike e kohës. Kjo të përkujton në situatën groteske dhe të dhembshme të personazhit nga filmi The Terminal me Tom Hanks. I ngujuar në aeroport ai nuk mund të lëvizë jo për shkak të mungesës së pasaportës, por për shkak të mungesës së shtetit të tij (!), i cili ndërkohë është shkatruar politkisht. Rexhoja është shumë mirë i lokalizuar”teritorialisht” dhe ne mendojmë edhe kombëtarisht në ambientin tonë. Ai tërë veprën e tij e ka shkruar në Kosovë, muzika e tij tingëllon shqip.

 

Identiteti i Rexhos qëndron në muzikës e tij

Në këso debatesh që kanë qenë edhe më herët prezente, harohet elementi më substancial i origjinës së këtij kompozitori, e ky është – muzika e tij. Mendoj se vepra e një krijuesi duhet të analizohet e ndarë nga elementet përcjellëse të saj. Bile neve duhet të na interesojë (e unë mendoj se duhet edhe Vesnës t’i ineresoj gjithashtu!) vepra e kompozitorit, aspekti artistik/estetik i saj, origjina e saj, bile vepra e ndarë edhe  nga vet kompozitori. Nëse bëhet kjo me dashamirësi, do të vërehet lehtë se muzika e Rexhos është krejtësisht refleks i këtij mesi, i kasaj tradite të kultivuar këtu, i këtij folklori. Është e vërtet se në muzikën e Rexhos ndihet aspekti oriental i muzikës shqipe, por edhe kjo është dimension e evidentuar i traditës dhe kulturës sonë. Në të nuk vërehet të thuash në asnjë detaj muzika e vendeve që mëtohet t’i bashkangjitet kjo vepër  (Sërbi apo Mali i Zi).

Andaj është paradoksale dhe pikëlluese, do të thoshim, që në botimin e veprave komplete, që po e pregaditkan botuesit serbë dhe malazezë, të kësaj vepre, nuk është përfshirë ndonjë institucion i vendit  në të cilën janë shkruar të gjitha këto vepra dhe që i referohen komplet muzikës së këtij vendi dhe këtij nënqielli. Sidoqoftë një iniciativë është për t’u përshëndetur.

 

Kthimi i veprave të Rexhos dhe rëndësia “historike” e tyre

 

Një çështje që lidhet me veprën e Rexhos, dhe që s’ka të bëjë asgjë me Zonjën të apostrofuar më lartë takon një psikozeje që mbretëron të disa qarqe që pretendojnë të jenë të kulturës, për “kthimin e veprave të Rexhos”,  që nuk dihet nga opinioni më i gjërë, dhe kam guximin të them se nuk dihet edhe nga një pjesë e njërëzve të vet kësaj branshe, është se opusi i Rexhos është mjaft modest.

 

Me të kthyer nga Beogradi, ku studioi në degën e kompozimit në akademinë e atëhershme, Rexhoja gjeti një nivel shumë të ulët të jetës muzikore këtu te ne, sidomos në lëmin e muzikës artistike: mungonin ansamblet muzikore, mungonte orkestra, mungonin instrumentistët, mungonte jeta, sadopak, e gjallë muzikore, që do të nxitnin kureshtjen e tij për kompozimin e veprave më ambicioze. Ai ishte i shtrënguar t’i përshtatej presionit të rrethanave ekzistuese. Së këndejmi, merret me punë më të “lehta”, si me të shkruarit e aranzhmaneve për ansamble të ndryshme, me përpunime të ndryshme, me kompozimin e veprave të thjeshta korale, me “këngë masash” etj. Një kohë u mor edhe me punë pedagogjike (si arsimtar i Shkollës së mesme të muzikës në Prizren). Ishin këto punë të rëndomta,, që nuk çonin shumë peshë në ngritjen e tij profesionale si kompozitor. S’do mend, ngarkesa me punë të ndryshme medoemos bën që të gllabërohen në një masë bindjet artistike të tij, ato që i kishte formuar gjatë studimeve e që ishin më të avancuara.

Veprat më të rëndesishme të Rexhos, përpos Simfonisë së dytë, të gjithat janë këtu (Akuarelet e Prizrenit,  Simfonia e  I, dhe vepra korale “Vjeshta” e disa të tjera!). Mungojnë dy Kantatat “Për ata” dhe “Jugosllavia”, që në të vërtet nuk kanë ndonjë vlerë artistike (kjo e dyta është është një kompilim me këngë masash të thjeshta të orkestruara), skicat për baletin e papërfunduar ‘Nita” dhe ndonjë partiturë minore.

Do të thot, nuk duhet në mënyrë naive të pritet që me këtë kthim të këtyre veprave do të ndryshon diçka esencialisht. Nuk do të zbulohet ndonjë Sonatë, ndonjë Kuartet harkor, ndonjë Kuintet i rëndësishëm frymor, ndonjë Koncerti i madh instrumental etj., Nuk do të zbulohet as ndonjë operë apo dicka tjetër e ngjashme.  Krejt kjo për faktin e thjeshtë se Rexhoja nuk i ka shkruar ato.

Vepra që ne në Kosovë jemi të interesuar ta kemi në veçanti është  Simfonia Nr. 2, e quajtur “Simfonia kosovare”. Bile edhe kur është fjala për të, duhet të dihen disa fakte që e përcaktojnë rëndësinë e saj.

Rëndësia “historike” e veprës në fjalë, nuk është aq e madhe sa mendohet në opinion të gjërë (meqë është formuar bindja se është shumë e hershme dha ka vlerë historike!). Bile do të thosha se “vlera historike” është më e vogël sesa e Simfonisë së I-rë të viteve ’50-ta (të papërfunduar!) Duhet përkujtuar se në kohën kur është shkruar Simfonia kosovare (fillimi i viteve ’70-ta), në muzikën tonë ka pasur vepra orkestrale – simfonike, bile vepra të laureuara me çmime ndërkombëtare. Në këtë  kohë  vepronin kompozitorët tanë të parë, të shkolluar në Akademitë më të mira të vendit (Fahri Beqiri, Esat Rizvanolli, Zeqirja Ballata, Rauf Dhomi, Rafet Rudi etj.). Vepra në fjalë ka vlerë artistike/estetike të caktuar, dhe duhet të kundrohet si e till.

Përfundim

Duke qenë se për një kohë ta gjatë kam qenë i afërt me të dytë: edhe me vajzën e kompozitorit tonë, Zonjën Vesna Mulliq, por edhe me kompozitorin Rexho Mulliqi (për arsye të përkrahjes së madhe që e kam pasur nga ai si kompozitor i ri që isha, pas studimeve të bëra jashtë Kosovës, në fillim të viteve shtatëdhjeta), duke e ditur për së afërmi, pikëpamjet e tyre ndaj artit, ndaj muzikës, më duket i pavend “lundrimi” në çështjet jashtë muzikore dhe jo esenciale të veprës së Rexhos, në mometin kur duhet të flitet për veprën e tij. Rrallë herë në jetë kam njohur krijues si Rexhoja, me dashuri të till, të madhe dhe të sinqertë ndaj muzikës. Për të arti /dhe vepra artistike/ ka prezentuar  vlerën absolute. Dhe kur është fjala për krijues të till, duhet respektuar veprën e tij në vet esencën e saj.

Rafet RUDI

Prishtinë 15/06/2012

/Botuar në KOHA DITORE më 16/06/2012/

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...