Mbi baketën e dirigjentes Deniola Kuraja

Në javët e fundit, me ftesë të TOB-it dirigjentja Deniola Kuraja dha katër shfaqje në Shqipëri, të operetës “Lakuriqi i Natës”. Me këtë rast opusalb i bën këtë intervistë kësaj figure në ngjitje të dirigjimit shqiptar dhe me inkurajimin  për të qenë edhe më e pranishme në skenat tona.

Opusalb: Znj. Kuraja nëse do t’ju pyesnim për një përmbledhje të aktivitetit tuaj, cilat janë veprat që ju keni dirigjuar? Cilët janë kompozitorët që i keni përcjellë publikut? Po vendi i kompozitorëve bashkëkohorë në veprat që keni dirigjuar cili është?

D. KURAJA: Nëse duhet të rendis gjithë titujt e veprave të cilat bëjnë pjesë në repertorin e dirigjimit, më duhet të thërras në ndihmë “biografinë” (megjithëse nuk kanë arritur ende shifrën për mos tu mbajtur mend (buzëqesh), për arsye të ndarjes apo finalizimit të tyre që unë do t´i klasifikoja si vepra të interpretuara – të dirigjuara – dhe vepra të studjuara, ku nënkuptojmë – asistencën, praninë, kujdesin dhe punën e gjithë procesit të provave deri në fazën përfundimtare.

Së pari po listoj veprat e dirigjuara si dhe emrat e kompozitoreve, për arsye që të tri pyetjet të marrin një përgjigje:

 

Sergei Prokofiev Baleti “Petja e ujku”,

Prokofiev Koncerti për violinë e ork. Nr 2 ne g-Moll ,op 63

Mozart: Sinfonia Nr. 31 ne D-Dur

Liszt: “Totentanz”(Danse macabre)

Pergolesi: “Stabat Mater”

Wagner Këngët e Visendokut

Saint Saens Suita  “Karneval i kafshëve”

Britten Variacione Fuga mbi një temë të Persëllit  e quajtur “Udhëheqja e të rinjve drejt orkestrës”

Lehar Opereta  “Vejusha e gëzuar”

 

Veprat e punuara  si As/dirigjente 

Kurt Weil: Opera ” Skena e ngushtë”

Offenbach Opera “Konti Hofmans”

C. Porter Muzikali  “Më puth Kejt”

Rossini: “Berberi i Seviljes”

E. Kalman Opereta  “Dukesha e Çikagos”

Mascagni: “Kavaleria Rustikane”

S. Flaherty Muzikali “Ragtime”

Leoncavallo Opera “Palaçot”

E.Humperdinck Opera “Hänseli dhe Greteli”

Puccini Opera “Madama Baterflai”

Puccini Opera  “Turandot”

Bernstein Muzikali ” Një histori nga perëndimi”

Rossini Opera  “La Cenerentola”

Mozart Opera  “Flauti magjik” dhe Opera “Kështu bëjnë të gjitha”

Lortzing Opera  “Der Wildschütz”

J.Strauss Opereta “Lakuriqi i natës”

OPUSALB: Si vendosët të bëheshit dirigjente? Në dijeninë tonë,  vitet e fundit bota ka njohur një hapje në rritje ndaj këtij profesioni, por sërish nuk është se ka shumë dirigjente në botë. Po me ju si ka ndodhur?

D. KURAJA: Kur vendosa të studjoj për dirigjim në HMTMH Hannover, nuk mendova t´i shtoja dhe një tjetër gjini femërore podit të dirigjimit, ku për hir të së vërtetës, sa tërheqës është ky fakt njëkohësisht, po aq dhe paragjykues, pasi në dekadën e fundit ende nuk është arritur një proporcion mes femrave dhe meshkujve në pult, sigurisht ka ndryshuar diçka por me hapa të ngadaltë.

Gjithsesi  kriter  i palëkundur mbetet CILESIA jo qëllimi per të arritur kuotën e femrave në podin drejtues.

Për t’ju kthyer pyetjes se si vendosa të bëhesha dirigjente, do të thoja se më shumë se sa një dëshirë ishte një nevojë e domosdoshme për të arritur një nivel tjetër dije, interesi për të zbuluar një tjetër univers, një tjetër thesar muzikor dhe ai është partitura.

OPUSALB: Nëse mendojmë veprën e fundit që ju drejtuat,”Lakuriqi i natës” cila ishte sfida më e madhe që kishit për drejtimin e  saj? Cilat ishit arsyet që ju  nxitën  t’a pranonit këtë sfidë?

D. KURAJA: Më pëlqejnë sfidat, procesi i kapërcimit është shumë intrigues, kërkon vendosmëri, forcë dhe kurajo, asgjë nuk duhet të arrihet lehtë në art pasi do ta çvlerësonim e përçmonim atë.

Në rastin e “Lakuriqit të natës” ku do të vecoja dy shfaqjet që u dhanë në qytetin e Fierit dhe dy në qytetin e Korçës, të cilat pamvarësisht kushteve jo te përshtatshme teknike dhe mungesës së hapësirës, vepra dhe angazhimi i gjithe trupave artistik te TKOB-it e përmbushi misionin e saj, duke përcjellë një atmosferë mjat argëtuese e festive tek publiku i cili reagoi me mjaft entuziazëm.

Në të vërtetë “Die Fledermaus “është  një sfide për të gjithë interpretët e saj, përsa i përket virtuozizmit, finesës dhe mjeshtërisë së orkestrimit.

Kontrastet e dinamikave, larmia e ngjyrave, ndërtimi i frazës, lehtshmëria e tingullit, thyerjet emocionale dhe realizimi i rubatove në mënyre sa më të natyrshme pa ekzagjerime ishin pikat e orientimit të punës sime.

Nëse do pyesni një dirigjent/e se cila është shkolla më e mirë e dirigjimit, pa dyshim do të përgjigjej: “Die Operette” (buzëqesh).

OPUSALB: Kur një dirigjenti i jepet një vepër, cfarë kërkohet konkretisht prej tij? Teknika dirigjuese, imagjinata apo ekspresiviteti në pod?

D. KURAJA: Duke qenë që arti i te dirigjuarit është kompleks ,nuk mund ta percaktosh vetem me nje element shprehes, do të ishte njësoj sikur të kishim një trup të gjymtuar, pa kokë, duar apo trung, pra nuk do të kishim një strukturë.

Qëllimi i dirigjimit eshte transmetimi i informacionit muzikor nëpërmjet disa mjeteve shprehëse si: kryerja e gjesteve, shprehja e mimikës dhe fjala. Pa dyshim që kusht themelor për të koordinuar apo orientuar një grup orkestrantesh, këngëtarë apo korist është gjesti, qartësia e tij përmbush nevojat gjatë një procesi pune. Kur flasim për teknikën gabimisht e karakterizojmë atë si diçka motorike por që teknika është njëkohësisht dhe ekspresion, aftësi për të treguar nëpërmjet një gjesti të qartë, artikulimin, dinamikën, ritmin dhe tempin.

OPUSALB: Lidhur me operetën “Lakuriqi i natës” vepër që e drejtuat në tre shfaqje, ishit ju që e zgjodhët ta dirigjoni apo jua propozuan?

D. KURAJA: Vepra mu propozua ose le të themi më mirë mu besua nga drejtoresha e TKOB znj. Zana Cela si dhe me përkrahjen e drejtoreshës artistike znj.Abigeila Voshtina, ku përfitoj nga rasti të shpreh falënderimet e mia.

OPUSALB: Cila është përshtypja juaj për publikun shqiptar?

D. KURAJA: Do të doja ta njihja më shumë (buzëqesh).

OPUSALB: Si e ndani ju jetën private nga jeta në skenë ?

D. KURAJA: Pyetje e mirë (buzëqesh) duke ju referuar kushteve aktuale të punës dhe kërkesave të tregut kufijtë mes jetës private dhe asaj në skenë pothuajse janë zhdukur.

Dukuria e të qenët  i arritshëm nëpërmjet telefonit, laptopit apo tabletit kudo dhe në çdo kohë i ka neutralizuar rolet ku më tepër “vuan” jeta private.

Ndikimi i profesionit në jetën private është mjaft i madh, sidomos për një artist i cdo fushe qoftë, kur dita nis me prova, më pas i kushton kohë studimit dhe në mbrëmje  duhet të jesh i fresket dhe energjik për shfaqjen e radhës.

Po për të percjellë energji duhet të marrësh energji, për të frymezuar  duhet te gjesh muzen dhe që t´i karikosh këto ndjesi duhet t´i dedikosh kohe, te cilen duhet ta menaxhosh ne menyren me te mire të mundshme.

Për të qenë i gjallë dhe kreativ në profesion duhet te merren hera -herës distanca nga vendi i punës, duhet të përjetosh ngjarje, çaste mbresëlënëse, të cilat do të mundnim t´i asociojmë më pas në muzikë.

Jeta private dhe ajo skenike luan një rol mjaft të rendesishem në mirëqenien dhe personalitetin tim dhe mundohem të gjej një balance midis të dyjave duke i kuruar këto  vlera me shumë dedikim.

Opusalb

 

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...