Mbahet mbrëmja e nëntë e Chopin Piano FEST Prishtina

Prej datës 8 prill ka nisur të mbahet në Prishtinë festivali “Chopin Piano Fest Prishtina”. Ajo që të bie në sy në këtë 10 vjetor të tij është gjeografia e pjesëmarrësve, ftesat ndaj muzikantëve që kanë prekur skenat ndërkombëtare, larmia e emrave të pianistëve që nderojnë me artin e tyre skenat ku interpretojnë. Nuk mund të mbesë jashtë kësaj përshtypjeje edhe prania e emrave prestigjozë të pianizimit duke filluar nga ai që çeli natën e parë pianisti i njohur italian Giovani Belluci, tek pianisti francez Eric Ferreri, për të vijuar me pianistin nga Norvegjia, Hakon Austbo që pas interpretimit në natën e tretë i parapriu pianistit Danijel Lubomir Gašparovič. Gjermani Clemens Rave dhe artisti nga Kosova Visar Kuçi i dhanë jetë dhe muzikalitet natës së pestë së këtij edicioni. E veçanta e kësaj mbrëmjeje ka qenë edhe interpretimi mes studentit dhe profesorit të tij, që gjithmonë mbetet një çast idilik artistik. Visari kishte bashkëpunuar me  pianistin e ftuar gjatë studimeve në Gjermani.

Pianisti gjerman Clemens Rave dhe violinisti kosovar Visar Kuçi interpretuan bashkë pas 13 vjetësh  dhe  për herë të parë në  skenën e Kosovës. Emocioni i kësaj mbrëmjeje ishte legjitim.

Si një gjetje mjaft e qëlluar ishte duoja Ariadita: dy pianiste dhe katër duar. Të dyja muzikantet udhëtuan njëra nga Austria dhe tjetra nga Zvicra për tu takuar në skenën e Prishtinës, vendin e origjinës së Ardita Statovcit. Pianistet Ariane Haering dhe Ardita Statovci ishin protagonistet e natës së gjashtë.

Në natën e shtatë të këtij edicioni jubilar publiku ndoqi nga afër pianistin hungarez Istvan Lajko.

Pianisti i njohur në skenat e botës,fituesi i çmimit në garat e Çajkovskit, britaniku Peter Donohoe shpalosi për publikun që e ndiqte në sallë, peshën që ka përvoja. Ai i interpretoi një program të pasur vepraah nga ShumanI,  Moxarti,  Çajkovskij, Skriabin dhe veprat e M. Musorskit. Në tri orë muzikë publiku i pranishëm në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare pati privilegjin të ndjekë një nga pianistët më në zë.

Kështu ky Festival ka mbërritur sonte në natën e nëntë. Mbrëmja e kësaj të premteje do të sjellë për publikun e Prishtinës tre muzikantë të diplomuar nga Akademia e Arteve e Tiranës që do të bashkohen sonte me një tjetër kolege në një mbrëmje vokalo-pianistike. Mexo-sopranoja Flaka Goranci, baritoni Armando Likaj, dhe pianistja Ardita Bufaj, vijnë nga e njëjta shkollë. Bashkë me ta sonte do të interpretojë edhe sopranoja nga Kosova Arta Jashari. Të tre zërat e tyre nën shoqërimin pianistik do të sjellin energjinë e bukurisë së zërave shqiptarë.

Kjo javë muzikore do të mbyllet me recitalin pianistik të së shtunës mbrëma ku pritet të jenë përpara publikut Malik Halce dhe Melos Buza.

Koncertet po mbahen në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë duke nisur prej orës 20.

Por siç edhe ndodh arti nuk ka vetëm synimin të argëtojë, edukojë e të zbukurojë botën mendore e shpirtërore, por ai kthehet në një nga përcjellësit më të denjë të çështjeve shoqërore.

Ky Festival ka treguar vëmendje të madhe ndaj brezave të rinj në disa dimensione. Së pari duke u bashkuar me fushatën ndërgjegjësuese për personat e prekur nga spektri i autizmit.

Me moton: “Të gjithë dallojmë, jo vetëm unë!” ky edicion tregoi pikërisht nevojën që ka shoqëria të kthejë sytë nga të gjithë këta qytetarë.

Së dyti, me master klasat e organizuara me studentët dhe nxënësit Chopin Piano FEST Prishtina në bashkëpunim Fakultetin e Arteve, po u jep një ndihmë të rëndësishme muzikantëve të rinj.

Për të ardhur edhe në nismën e fundit ku janë bashkuar një sërë emrash artistësh.

Fjala është për sfidën“Mbille një pemë” të mbjelljes së drunjve. Ardita Statovci dhe kitaristi i njohur Petrit Çeku, Lejla Pula, Visar Kuçi, Lirika Pula, Blerim Grubi, Kreshnik Aliçkaj, Besa Luzha etj. janë bashkuar kësaj nisme.

Sot në mesditë e së premtes ata realizuan mbjelljen e pemëve në Fakultetin e Arteve, Dega e Artit Muzikor.

Qëllimi i kësaj nisme është ai i ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës që të kujdesen për brezin e ri . Ashtu siç ka nevojë një pemë të rritet e të lulëzojë ashtu edhe ata kanë nevojë për kujdes duke filluar së pari nga një sallë e denjë koncertore. Të mos harrojmë se edhe të tjerë artistë nga Kosova e kanë bërë shpesh herë këtë thirrje për një sallë të denjë koncertore.

Drejtoresha e Chopin Piano FEST Prishtina është Lejla Haxhiu-Pula. Shoqata Kosovare e Shopenit po  sjell në këto  20 ditë festivalore (8 – 28 prill 2019) një aktivitet që mbahet nën moton “Muzikë, interpretim, kulturë”.

Chopin Piano FEST Prishtina po mban në edicionin e 10- të 16 koncerte ku në skenë vijnë  artistë nga Kosova, Shqipëria dhe nga  vendet e ndryshme të botës.

/Opusalb/

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...