Maria Callas e kohëve tona!
Sonte në mbrëmje ylli shqiptar i skenës lirike Ermonela Jaho do të interpretojë në Paris, një kryeqendër e kulturës botërore. “Madama Butterfly” e Puçinit sonte do të jetë madamë Jaho! Në muajin prill Ermonela e interpretoi këtë rol të Cio-Cio-San në “Teatrin Mbretëror” të Londrës. Mediat britanike pas shfaqjes shkruan se ajo ishte “Batërflai më e mirë që Londra kishte parë ndonjëherë!”. Në muajin maj Ermonela dhe Cio-Cio-San fluturuan drejt “Operës Kombëtare të Uashingtonit”. Kritika amerikane ndërsa njoftonte ardhjen e artistes shqiptare shkruante:”Ermonela Jaho është e paharrueshme” si dhe “Jaho ndryshon midis thjeshtësisë dhe ndjeshmërisë. Ajo është një aktore dhe interpretuese e gjallë dhe spektatorët e Uashingtonit duhet të rrinë në pritje të një nate të paharrueshme”. Ermonela Jaho pas pushtimit të sallave operistike në Nju Jork, Londër, Bolonjë, Paris dhe Venecia interpretoi në këtë sallë madhështore. Më 27 dhe 30 qershor 2017 ajo e interpretoi Madamën Batërflai në “Teatrin Mbretëror” të Madridit. Ermonela këndoi në këtë Teatër të famshëm veprën e Puçinit për shtatë ditë gjatë muajit korrik. Pas suksesit të saj në Londër e Uashington, artistja shqiptare me famë ndërkombëtare rikthehej në Evropë duke vazhduar gjatë muajit gusht në Peralada të Spanjës. Ndërsa mediat spanjolle shkruanin se: “Ermonela mallëngjen Peraladën”, revista franceze “Opera magazine”, një ndër mediat prestigjoze në fushën e artit lirik shkruante: “Triumf mbrëmjen e djeshme në festivalin e Peralada për Ermonela Jahon në “Madama Batërflai”, dukshëm një nga interpretimet e saj më të mira. Sopranoja me origjinë shqiptare e tronditi publikun me bukurinë dhe intensitetin e tingujve të zërit të saj”. E ndërsa në shkurt të këtij viti Ermonela shkëlqeu në Operën e Sidneit në Australi tashmë me “La Traviatën” ajo e interpretoi sërish Violetën në veprën e Xhuzepe Verdit në 12 shtator në teatrin “Colon” të Buenos Ajresit në Argjentinë. Aty ajo këndoi bashkë me tenorin shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu, në një shfaqje të mrekullueshme. Prestigjozja argjentinase “Tiempo de Musica” e cilësonte Ermonelën si “këngëtaren e shekullit XXI”. Sonte ajo do të interpretojë në “Teatrin Shamp Elize” të Parisit dhe në shkurtin e vitit që vjen ajo do ta interpretojë këtë rol, disa herë, në Operën Metropolitane të Nju Jorkut. Por lajmet e mira për sopranon shqiptare nuk përfundojnë këtu! Ajo ka njoftuar se në verën e vitit që vjen do të jetë përkrah artistit të madh Placido Domingo. Në 26 korrikun e vitit 2018 të dy artistët do të interpretojnë në Madrid operën “Thais” nga Jules Massenet. Ermonela Jaho është sot një yll në arenën botërore operistike dhe një role model për shumë artistë të tjerë shqiptarë! Ajo gëzon një mbështetje të pakufij, simpati dhe dashuri nga publiku shqiptar kudo ku ai jeton i cili ndjek zemërhapur çdo lajm që vjen nga karriera e saj e adhurueshme dhe e merituar! Ajo karrierë që dikur, 10 vite më parë nisi në mënyrë fatlume në Londër, ndërsa artistja shqiptare zëvendësoi denjësisht një divë të skenës botërore, Ana Netrebkon në operën “La traviata” në “Covent Garden”, duke u bërë një Maria Callas e kohëve tona!
/Opusalb/