Kush po e mbanë peng Shkollën e Muzikës në Gjilan?

 Në redaksinë e Opusalb ka ardhur një shkrim, me titullin e mësipërm, i cili na tronditi. Shkrimi përmes portretizimit të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë shpjegon fatin e një të riu nga Gjilani i Kosovës i cili edhe pse ka mbaruar ciklin Bachelor dhe atë Master profesional në Universitetin e Tiranës për fisarmonikë ka 3 vite që nuk gjen një vend pune në shkollën e muzikës së Gjilanit. Ai quhet Shkumbin Miftari dhe është ndër të parët që ka mbaruar për këtë instrument në Kosovë.

Përse ndodh kjo?

Duke diskutuar brenda redaksisë e me miq të afërt në Shqipëri e në Kosovë dikush hodhi idenë se studentët e ardhur nga Shqipëria në Kosovë jo vetëm nuk shihen me sy të mirë por edhe me një lloj xhelozie dhe përçmimi për shkollën shqiptare.

Ky ishte dhe mendimi më i shëmtuar gjatë diskutimit, pasi i jep udhë dasive, krijon përçarje midis shkollave e popujve tanë dhe çon ujë vetëm në mullirin e antikombëtarëve. Ky mendim nuk ka asnjë bazë pasi shkolla e Tiranës e ka provuar me fakte se ka nxjerrë me dhjetra e qindra studentë që punojnë të nderuar në mbarë botën muzikore.

U hodh mendimi se ndoshta Shkumbini nuk e meriton pasi mund të jetë i dobët.  Atëherë mora në telefon pedagogun e tij në Universitetin e Arteve dhe mu shpreh që Shkumbin Miftari ka qenë një student i devotshëm dhe shumë i apasionuar, që brenda urtësisë së tij fshihej një dëshirë e madhe për të shkuar në Kosovë e të jepte mësim për fisarmonikë.

Atëherë përse tri vite me rradhë i presin ëndrrën një të riu. Mos ndoshta duan ta detyrojnë të largohet edhe ai nga vendi si mijra të tjerë?

Ndoshta nuk ka vend të lirë në shkollë u hodh një mendim. Por gjatë shkrimit të Shkumbinit përshkruhet fare qartë: “Shkolla e Muzikës në Gjilan nuk ka mësues të kualifikuar për këtë instrument. Unë qysh në vitin 2017 kam njoftuar Drejtorin e Shkollës së muzikës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit se i plotësoj të gjitha kriteret për të dhënë mësim në këtë instrument, por akoma sot në vitin 2020 unë nuk kam marrë një përgjigje zyrtare! Gjatë kohës së studimeve në kontakte me drejtorin aktual, premtimet ishin se shkolla ka nevojë për një mësues të kualifikuar. Përfundova studimet por e njejta histori vazhdon, por me arsyetim tjeter: “Nuk ka mjaftueshëm nxënës që konkurojnë për instrumentin e fizarmonikës“.

Po ja arsyeja u hodh dikush. Nuk ka mjaftueshëm nxënës për këtë degë. Kjo degë është shumë e rëndësishme jo vetëm pasi lidhet me një instrument shumë të dashur e popullor por dhe sepse ndikon direkt në muzikën dëfryese të një vendi. Nivelet e fisarmonikës në vendet sllave janë sipërore dhe kjo duhej të ishte edhe një arsye më shumë për përpjekjet që duhen bërë në Kosovë për zhvillimin e këtij instrumenti.

Atëherë le ta heqin mësuesin e pashkolluar e ta çojnë diku, konform pregatitjes e shkollimit të tij dhe t’i hapin vend në punë atë që është i ri, me dije, me aftësi. Këtu nuk ka vend për justifikime ka apo nuk ka fëmijë më shumë. Përse do të duhet të lihen fëmijët të drejtohen nga një mësues i pashkolluar? Këto raporte quhen  “familjaritet” dhe këto e dëmtojnë shkollën e dëmtojnë shoqërinë dhe ulin treguesin më delikat të një shoqërie që është – Niveli arsimor.

Nga ana tjetër Shkumbini, me sinqeritetin dhe çiltërisnë e tij është gati edhe të konkurojë me këdo. Ai shkruan: “Si ka mundësi që nuk hapet konkurs për mësimdhënës në instrumentin e fizarmonikës që nga viti 2017, kur atë instrument e ligjëron dikush që është i pa kualifikuar (pa diplomë) për atë instrument ?! “

E më pas sqaron: “Pas disa takimeve me drejtorin e Shkollës së Muzikës, vendosa që të paraqes problemin në instanca më të larta, në DKA (Drejtoria Komunale e Arsimit). Por më kot!

Edhe aty kërkesat e mia nuk merreshin parasysh. Drejtori i DKA, kërkonte që drejtori i Shkollës së Muzikës, të dërgonte kërkesën me shkrim në DKA për hapjen e konkursit në këtë instrument, ndërsa Drejtori i Shkollës së Muzikës, thoshte ”kërkesat që unë po ua dërgoj nuk po i merr parasysh DKA”. Gjithashtu as njëra dhe as tjetra nuk më kanë kthyer ndonjë përgjigje zyrtare edhe përkundër shumë kërkesave që kam bërë, të paktën të marr një përgjigje ose një dëshmi nga DKA, se ka pasur ndonjë kërkesë nga ana e shkollës së muzikës apo jo. Topi hidhej nga njëra anë te tjetra që plot 3 vite. Ankesat e mia vazhdojnë edhe në instanca më të larta, dhe njëkohësishtë i zhgënjyer nga të gjitha këto institucione: Komuna e Gjilanit, Inspektoriati i Arsimit në Gjilan; në Inspektoriatin e Punës, tek Inspektoriati pranë Ministrisë së Arsimit, por gjitha këto ishin orvatje të kota pa marrë asnjëherë përgjigjje zyrtare nga asnjë institucion ose njeri kompetent për këto çështje“.

Kuptohet qartë se Drejtori i shkollës po luan një lojë jo të ndershme, antiligjore, antikombëtare, e antikulturore. Këtë lojë po e luajnë gjithshtu edhe të gjithë ata që nuk veprojnë e që heshtin përpara këtij fakti.

Opusalb nuk merret me çështjet e punësimit apo çështje sociale, por në këtë rast e gjejmë me vend të prononcohemi me forcë dhe të ngremë zërin edhe më tepër, pasi këto janë shenja të vdekjes së celulave të vogla e të reja të muzikës por që mund të çojnë edhe më tej, në amortizimin total të saj.

Opusalb

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...