Ja si nisi viti 2019 për Dua Lipan
Pas disa javësh do te kemi mundësi ta shohim artisten shqiptare Dua Lipa në ceremoninë e çmimeve “Grammy” ku ajo është dy herë e kandiduar. Dua është një nga kandidatet në garë për “Artisten më të mirë të re” dhe për “Rregjistrimin më të mirë dance” për këngën “Electricity”.
Por viti i ri sapo ka nisur me një dalje të re në tregun muzikor. Kënga titullohet “Swan Song” dhe është shkëputur nga kolona zanore e filmit “Alita: Battle Angel”. Kënga ka një perkusion që dëgjohet fort dhe një kor që e bën të denjë për një pjesë indie që është edhe shumë në modë. Zërat tribalë në sfond, perkusioni dhe elementët e vegjël orkestralë e justifikojnë edhe popullaritetin e këngës.
Koreografia e Duas është si një mësim xhudoje ndërsa fundi shfaqet si një metamarfozë: muzikantja shndërrohet në një robot. Dekori ku ndodh aksioni i klipit është pikërisht nga filmi.
Filmi “Alita” ka për producent një emër të madh si James Cameron ndërsa regjia nga Robert Rodriguez. Regjia e këtij klipi mban emrin e Floria Sigismondi, e cila dëshironte të trajtonte mesazhin e gjetjes apo zbulimit të vetëvetes.
Albumi debutues i Duas doli në vitin 2017 ndërsa vitin e kaluar ajo bashkëpunoi me tenorin italian Andrea Bocelin për këngë “If only”. Dua ka mbajtur edhe edicionin e parë të Festivalit të saj “Sunny Hill” në Prishtinë, si dhe ishte në grupin e artistëve shqiptarë të cilët u pritën nga Papa në Vatikan me rastin e mbylljes së Vitit të Skënderbeut në fund të vitit të kaluar.