Disa mendime e vlerësime mbi Takimin Kombëtar i Orkestrave të Harqeve

Festivali i orkestrave të harqeve në Elbasan tashmë është një aktivitet unik në vendin tonë i cili po merr peshën e duhur në kulturën muzikore elbasanase. Duke dashur të shpreh disa mendime personale, jashtë rolit tim si kryetar i Jurisë do të nënvizoja së pari seriozitetin e organizuesve dhe pasionin e tyre per të vënë në jetë qëllimet e drejta dhe të rëndësishme që ka në themel të tij ky aktivitet.

Së dyti, duhet nënvizuar paraqitja e disa ansambleve me vlera artistike të cilat vendosën standarte të lavdërueshme interpretimi që vlejnë të përshëndeten. Do të permendja si shembull “Trion e harqeve” dhe “Trion me piano”, të përbëra nga të rinj mjaft të talentuar dhe premtues, që fatkeqësisht janë edhe të papunë. Megjithë potencialin e tyre artistik ata refuzohen edhe nga institucionet tona, që mbushen përmes ulluqeve të tjera, edhe me mjaft të paaftë. Duket sikur kërkojmë t’u krijojmë kushte që të mendojnë të largohen nga vendi për “ta lënë rehat” moçalin e disave. Mendoj se ka ardhur koha dhe arsyeja që, Ministria e Kulturës të paraprihet në strategjinë e saj nga Kultura dhe të hapë projekte të veçanta për mbështetjen e ansambleve muzikore (duo, trio, kuartet) dhe të ndihmojë keshtu  gjallërimin e jetës muzikore me ansamble të qëndrueshëm dhe të vlefshëm profesionalisht. Kështu mund të shmangen formacionet e improvizuara që ashtu si firmat fantazëm marrin fonde korruptive.

Së treti, duhet nënvizuar se jemi të vonuar në mbështetjen e orkestrave të çdo qyteti. Nëse deri me sot kemi dëgjuar refrenin e mërzitshem: “S’kemi fonde” duhet theksuar se fondet për kulturën nuk rëndojnë, por kursejnë ekonominë e një vendi (megjithëse janë “të hedhura kot” për ata që duan t´i përvetësojnë ato). Nuk ka sens që qytete me shkolla të mesme muzikore, me një numër të madh instrumentistësh që kanë mbarur Universitetin e Arteve të mos kenë Filarmoni apo të paktën Orkestra Harqesh në nivelin e institucioneve. Atëherë përse shërben gjithë ai Universitet? Për të furnizuar Tiranën? Qytetet e tjerë kanë nevojë vetëm për aheng?

Së katërti, mendoj se në një takim të tillë duhet të marrin pjesë detyrimisht qyteti i Shkodrës, i Durrësit, i Fierit, i Gjirokastrës, i Beratit, të cilët kanë shkolla Muzike të mesme. Përndryshe lind pyetja çfarë bëjnë këto shkolla muzike në këto qytete? Cila është jeta kulturore muzikore në to? Cili është produkti final i tyre dhe çfarë raporti kanë me financat që thithin? A ka menduar ndonjëherë Ministria e Arsimit për to apo trajtohen si rudimente të parëndësishme?

Së pesti, është vënë re me kohë mungesa e dirigjentët profesionistë. Këtë edicion i vetmi dirigjent ishte Oleg Arapi, (pa marrë parasysh ansamblin përshëndetës) i cili të paktën komunikoi në linja zanati e skema profesionale me instrumentistët. Si ilustrim mund të paragonojmë se: në piano luajnë shumë persona, por pianistë koncertistë janë pak dhe vetëm ata janë në gjendje të mbajnë koncerte. Nuk besoj se pretendohet të ndiqet shembulli i Daniel Banembojnit pasi, mendoj se i takon sferave shumë më të larta  se ato tonat.

Në përgjithësi formacionet drejtohen nga muzikantë të sprovuar, që mund të sjellin produkt të nivelit të lartë, por që nuk janë dirigjentë. Kjo dukuri lidhet me faktin se shkolla e dirizhimit tek ne ka të paktën 20-30 vite që nuk nxjerr asnjë emër dhe ky fakt kalohet në heshtje hyjnore. Nga ana tjetër ka pothuajse 40 vite që nuk formohet një orkestër e re në të cilën të hypë në podium ndonjë djalë a vajzë e re e talentuar për ta freskuar sadopak ajrin përreth pellgut tonë gri.

Së gjashti, ky aktivitet është vërtet “Takim Kombëtar”, por a nuk ka ardhur koha të quhet “Takim Mbarëkombëtar”? Sivjet kishte instrumentistë nga Maqedonia e Veriut e me siguri vitin tjetër do të afrohen edhe orkestra nga Kosova. Prishtina, Prizreni, Gjakova etj. të cilët kanë formacione të mira harqesh, që mund dhe duhet të jenë prezent në këtë kompeticion. Nëse Festivali “Kamerfest” u shtri sivjet dhe në Tiranë e Shkup, patjetër që është i gatshëm të marrë pjesë edhe në Elbasan. Kështu do të rritet edhe më tej konkurenca artistike dhe në përgjithësi niveli i “Takimit”.

Së shtati, duke iu referuar shumë “Takimeve ndërkombëtare”, mendoj se kërkesat e pjesmarrjes do të duhet të rriten deri në nivele të larta profesionale, duke vendosur mbi të gjitha në mos një repertor të detyrueshëm kombëtar, të paktën një repertor të mirëpërcaktuar, i cili do të ndihmojë edhe gjykimin e drejtë të Jurisë. Konkretisht: dikush vjen me muzikë divertuese, dikush tjetër me vepra të vështira romantike, dikush me aheng popullor e dikush tjetër me vepra baroke dhe gjykimi për nivelin e e formacionit bëhet shumë më i vështirë. Sigurisht, edicionet e para nuk mund të realizohen mbi kërkesa të rrepta, por tashmë mendoj se po afron koha që të ballafaqohemi me shembujt më të mirë ndërkombëtarë. Mendoj se serioziteti i përzgjedhjes së repertorit nuk mund dhe nuk duhet të bëhet sipas shijes së publikut dhe nuk ka përse të mendohet thithja e duartrokitjeve të furishme me elementë jashtë artistikë. Qëllimi duhet të konvergojë në gjetjen e një repertori që evidenton cilësitë e formacionit, pa e rënduar, por përkundrazi ta stimulojë atë.

Së teti, ditët gjatë Takimit do të duhet të jenë ditë feste për popullin Elbasanas dhe kjo arrihet duke servirur mikrokoncerte në mjedise të ndryshme të qytetit, për ta sensibilizuar publikun. Kjo ide konvergon edhe me shqetësimin e Drejtorit të këtij aktiviteti Blerim Narazani për të patur mundësi që formacionet pjesmarrëse të mblidhen gjatë gjithë ditëve të festivalit në Elbasan, për shkëmbim përvoje, për masterkalse, për mikrokoncerte, duke krijuar atmosferën e festës muzikore. Por fondet e pakta e rrudhin idenë dhe zverdhin edhe dashurinë e elbasanasve për artin muzikor profesionist.

Së nënti, veprat e muzikës së kompozitorëve shqiptarë do të duhet të zenë një vend edhe më të rëndësishëm në këtë “Takim”. Kishte ansamble të cilët luajtën vetëm repertor të huaj  duke anashkaluar muzikën shqiptare të cilën platforma e Takimit e ka në qendër të vëmendjes. Por, si krijues do të preferoja krijimtarinë e re, e cila ruan në brendësinë e saj befasinë e ideve të reja, individualitetin stilistik, interesin për filozofinë e kohës, sumumin e ngjyrave të kohës që jetojmë duke u kthyer në gjuhë komunikative për spektatorët e në rradhë të parë për instrumentistët. Ripërsëritjet stilistike, rimodelazhet me karakter dëfryes dhe romantiçizmat e së shkuarës nuk mendoj se i shërbejnë krijimit të shijeve të mira tek spektatori. Ato dëshmojnë vetëm nivelin e ulët të artistëve që i paraqesin. Muzika e dëfrimit nuk mund dhe nuk duhet të ulet këmbëkryq në këtë aktivitet i cili ka fuqi të madhe ndikuese për shije të niveleve të larta. Ulja e kërkesave nuk afron spektatorin, përkundrazi i varfëron shijet e tyre.

Së dhjeti, të gjitha akivitetet kanë rëndësinë apo peshën e tyre sipas specifikave të veçanta, por Takimet apo Konkurset shquhen për peshën monetare të çmimeve që japin, apo për motivimin që përmbajnë. Sa për dijeni: në Lion të Francës Çmimi i parë për Konkursin e Orkestrave të dhomës është 24.000 Euro, përveç beneficeve të tjera; në Suedi, (Konkursi i Orkestrave të harqeve nordike) çmimet  konvertohen me 6 – 10 koncerte të siguruara në Kinë, ku fitimet merren nga biletat; Në Filadelfia Çmimet nuk janë më poshtë se 3000 Euro, etj. A nuk do të ishte më mirë që p.sh. “Sigal UNIQA Group Austria” të akordonte një çmim për formacionin fitues se sa të dërgonte Orkestrën si përshëndetëse të Festivalit? A nuk do të ishte nder për Reiffaisen Bank, Kurum International, apo Telecom Albania të akordonin një çmim për këtë Takim të mrekullueshëm?

Jetojmë me divizën: Durim dhe Shpresë!

 

Nestor Kraja

You may also like...

1 Response

  1. Edmond says:

    Konkluzione pergjithsisht te sakta dhe te drejta…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...