Çfarë do të duhet të bëhet me TOB-in?

Në fakt, kjo pyetje ka dekada që rri pezull në hyrje të kësaj godine e cila pas ndryshimit të sistemit nuk ka më vlerë në rolin edukues, si institucion qëndror i propagandës komuniste, por vetëm si materie pra, si godinë, si përfitim nga vlerat financiare të projekteve artistike, e së fundi nga rrogat e sigurta për artistët e mbetur në Shqipëri. Përse vijmë në këtë përfundim?

Së pari, ato financime, ai “kujdes” dhe ai menaxhim i komanduar dhe i kontrolluar kanë rënë me ndryshimin e sistemit që në vitet 90’. Shteti i rrënuar ekonomikisht pas viteve 90′ nuk pati dhe ende nuk e ka një vëmendje të veçantë mbi kulturën kombëtare veçse me fjalë e me parrulla. Në këto kushte Teatri i Operas u shndërrua nga një “luan” i propagandës në një strofkull të sigurt përfitimi nga drejtuesit e deri tek koristi apo balerini i fundit. Vlera e saj e vetme mbeti godina dhe rrogat e sigurta të atyre, që për shans mbushën vendet e artistëve të aftë që ikën e me të cilët ende mburremi. Sado që të përpiqemi të gjejmë argumente në mbështetje të figurave “të mëdha” që sot debutojnë në këtë Teatër nuk mendoj se do të marrim guximin t`i krahasojmë me ata, që të sigurt në afësitë dhe aftësimin e tyre artistik gjetën vend me dinjitet në të katër anët e botës muzikore evropiane e më tej.

Në këtë mënyrë u tërhoq zvarrë e gjithë problematika e këtij institucioni duke zgjeruar metastazat e veta në të gjitha sektorët. Dhe çelësi magjik mbeti financa: Ajo ulte numrin e shfaqjeve, ajo ulte nivelin e tyre, ajo ç’motivonte artistët, ajo ç’drejtoi strategjinë drejtuese të institucionit dhe motivonte orekset e drejtuesve, ajo çoi deri tek gjenerimi mjeshtëror i intrigave e thashethemeve, si zhurma në kosheren e grenzave brenda trupës. Por çelësi është financa apo kultura, vizioni e njohja e funksionimit të botës së sotme të artit?

Aty nga viti 2014, në një bisedë me mendimtarin e shquar Dritëro Agolli ai u përgjigj kështu pyetjeve të mia mbi gjendjen e kulturës në vend: Përnjë çast i zhytur në mendime ngriti sytë dhe më thotë: “Në Gjermani, pasi ra muri i Berlinit vetë Kancelari u kujdes për atë vlerë kombëtare kulturore gjermane që ishte Teatri i Brehtit. Ai vendosi që një industri e madhe farmaceutike të merrte në patronazh ekonomik këtë qendër të njohur kulturore në gjithë botën teatrale dhe të bënte të shkëlqente edhe në të ardhmen emri i saj“. Agolli i madh edhe në atë moshë ishte më vizionar, patriot dhe i ndershëm me përparimin e kulturës se udhëheqësit tanë “të shquar” të të gjitha niveleve. Pyetjes se nuk dinë apo nuk duan gjithmonë i jemi bishtnuar me dhelpëri e nuk kemi kurajo ta themi haptas.

Propaganda e sotme buçet: “Ky institucion do të kthehet në një tempull të muzikës lirike, baletit klasik me kushte moderne dhe e krahasueshme me skenat europiane“. (ATSh në artikullin: Teatri i Operas dhe Baletit, me pamje të re pas 6 dekadash). Por si do të bëhet? Duke u privatizuar? Jo. Këto privatizime na kujtojnë fabrikat e uzinat e dikurshme të cilat i rrënuan për t`i blerë me pak dollarë. Tani ndoshta duan ta blejnë edhe të restauruar!

Në analizën 4 vjeçare  të TOB-it ofrohet së pari “zhvillimi i limituar” apo “lufta e ekzistencializmit” që gjoja po vuajnë teatrot botërore, duke u fshehur pas kësaj “të vërtete” dështimet e përjetuara, në këtë periudhë. Flitet për “strategji”, apo për “ridimensionim rrënjësor të TOB”, por realiteti është ndryshe: Ka shumë shumë vite pa një vepër kombëtare operistike apo koreografike. Kështu ripërtypim në varjante të niveleve të ulët veprat e huaja botërore, të cilat gjithkush mund ti dëgjojë në varjante shumë më të mira në you tube. Origjinale – Asgjë. Kombëtare – Asnjëherë.

Nuk dihet se çfarë sugjeron Këshilli Artistik i TOB-it, që në fakt është një grup njerëzish pa ide, të fosilizuar e që nuk kanë gojë përpara drejtuesve të TOB-it. Nëse do të dëshëronin të kishin një Bord të rëndësishëm konsultues e drejtues të politikave kulturore të TOB-it do të ftonin emra të tillë si Ermir Krantja, Eno Koço, Zhani Ciko e mjaft të tjerë, por janë të interesuar “të mos shqetësojnë” idetë e tyre të nivelit të shkollës së mesme për kanto, që mendon për artin si mjet dëfryes pasi nuk është në kulturën e tyre arti i ideve të vërteta që mund t`i japë shoqërisë Opera dhe Baleti. Sigurisht nuk mund të bëhet shumëgjë pa fonde, siç nuk mund të bëhet asgjë pa kulturë e horizont, përvojë e kompetencë, autoritet profesional dhe vizion për kohën. Mendoj se levat e bindura të pushtetit duhet të zëvëndësohen me kapacitete drejtuese e vetdrejtuese, pasionante dhe të kulturuara.

Zëri i artistëve?

Asgjë nuk mund të pritet prej tyre, në kushtet e rrezikimit të mbijetesës dhe të represionit “të ëmbël” që u bëhet, madje as që është kërkuar ndonjëherë debat me ta. Madje ata konsiderohen si një turmë e bindur e që kush ngre zërin mund të dalë në rrugë. Edhe ata që kanë një dinjitet të spikatur artistik nuk pyeten e nuk flasin. Fakti është që pas 30 vitesh dishezë, tani që vijnë idetë “e ndritura” për “dhënie me konçesion” e TOB-it, të prekur në kockë ata kanë filluar të belbëzojnë ndonjë mendim kundër. Por nuk kanë folur për mungesën e strategjisë kombëtare të kulturës nga shteti, për cilësinë e Drejtuesve, për përbërjen e Bordit Drejtues Artistik, nuk folën për mungesën e veprave kombëtare, nuk flasin kur dëgjojnë se fondet fluturojnë, nuk flasin për rritjen e pagës së tyre si pjesë e dinjitetit që u takon, nuk flasin për mënyrën se si zhvillohen konkurset për të rinjtë e të tjera me rradhë.

Tani në këtë derexhe shumë gjëra mund të bëhen por pak shanse ka për realizime të mira drejt ngritjes e jo shembjes së TOB-it.

I shprehim këto mendime duke besuar se, siç konfirmon Ministria jonë e Kulturës se: “Ministria ka qëndruar e do qëndrojë gjithmonë një institucion me dyer të hapura për debatin konstruktiv dhe gjithmonë e distancuar nga dizinformimet dhe keqinterpretimet e fakteve”.

 

Nestor Kraja

 

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...