Anxhela Peristeri dhe kënga “Karma” fituese e “FEST 59”
Është mbyllur dhe këtë vit Festivali i Këngës në RTSH. Në finale u kënduan 18 këngë dhe mes tyre doli edhe fituesja.
Me çmim të parë juria vlerësoi këngën me titull “Karma” të kënduar nga Anxhela Peristeri, me muzikë nga Kledi Bahiti dhe vargje nga Olti Curri.
Juria që u mësua vetëm natën e fundit përzgjodhi për të shkuar në finalen e 23 dhjetorit 18 këngë. Organizatorët ishin të mendimit se juria duhej të qëndronte larg ndikimit ndaj dhe ruajti anonimatin e saj deri në natën finale.
Juria përbëhej nga: Luan Zhegu, kantautor “Mjeshtër i madh”, Prof. Vasil Tole, Prof.Zana Shuteriqi, Ramë Lahaj – tenor me fame botërore, Preç Zogaj, shkrimtar Prof. Kastriot Çaushi, Rektori i Universitetit të Arteve, Andri Xhahu – Gazetar në Radio “Tirana”.
18 këngët finaliste të këtij edicioni ishin:
- Anxhela Peristeri – Karma
- Devis Xherahu – Peng
- Era Rusi – Zjarri im
- Evi Reçi – Tjerr
- Festina Mejzini – Kush je ti dashuri
- Florent Abrashi – Vajzë
- Giliola Haveriku – E lirë
- Gjergj Kaçinari – Më jep jetë
- Inis Neziri – Pendesë
- Kamela Islamaj – Kujtimet s’kanë formë
- Kastro Zizo – Vallja e jetës
- Mirud – Nëse vdes
- Orgesa Zaimi – Valixhja e kujtimeve
- Rosela Gjylbegu – Vashëzo
- Sardi Strugaj – Kam me t’ba me kajt
- Viktor Tahiraj – Nënë
- Wendi Mancaku – Si ajo
- Xhesika Polo – Më mbron
Nuk u paraqit në garë kënga me titull “Ora e jetës” e kënduar nga Manjola Nallbani.
Këngëtarja u tërhoq për shkak të problemeve shëndetësore, të shkaktuara nga Covid.
Në fund të votimit të jurisë jashtë finales mbetën këto këngë:
- Agim Poshka – Vendi im
- Enxhi Nasufi – Njësoj
- Erikson Lloshi – Jo
- Fatos Shabani – Ty
- Franc Koruni – E morën botën
- Klinti Çollaku – Do t’ja dal
- Stefan Marena – Meteor
Regjisori i këtij edicioni ishte Pali Kuke ndërsa prezantuesit ishin: Jonida Vokshi dhe Blendi Salaj.
Festivali i këtij vitit u përcoll në RTSH 1, në rrjetin social facebook dhe kanalin e youtube të RTSH, ose nëpërmjet aplikacionit RTSH TANI.
Kjo bëri të mundur që çdo element i Festivalit të njihej edhe më mirë nga një publik shumëplanësh dhe i kudogjendur.
Jo vetëm për hir të traditës, por edhe për shkak se aktivitetet muzikore jane pezull prej muajsh, interesi i publikut për të ndjekur Festivalin duhej të ishte me i lartë apo të shumëpritur.
Ky edicioni solli mesazhe mjekësh, personave me nevoja të veçanta, vullnetarëve të Kryqit të Kuq duke ju drejtuar edhe një publiku të interesuar jo vetëm për të dëgjuar muzikë.
Të ndikuar prej pandemisë, ky aktivitet i karakterit garues u mbajt në mjedis të hapur, jashtë dhe jo në sallë.
Nëpërmjet njoftimit të datës 17 gusht 2020 në faqen e internetit Radio Televizioni Shqiptar ftonte të gjithë krijuesit dhe interpretuesit të merrnin pjesë në konkurim për të qenë pjesmarrës në Festivalin e 59-të të këngës.
Në mesin e muajit tetor Radio Televizionin Shqiptar njoftoi këngët pjesëmarrëse. Komisioni për pranimin e këngëve, i përbërë nga: Alma Bektashi, Jonida Maliqi, Agim Doçi, Klodian Qafoku, Eugent Bushpepa, pasi kishte dëgjuar të gjithë produksionet e mbërritura në RTSH, kishte vendosur për 26 këngët pjesëmarrëse.
Në fillim të nëntorit në prani të autorëve, interpretuesve dhe gazetarëve te kulturës Drejtori i Festivalit të 59-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, Martin Leka, prezantoi ekipin organizator të këtij edicioni.
Regjizori i Festivalit të vitit 2020 do të ishte Pali Kuke, skenari ju besua gazetarit Blendi Salaj, ndërsa drejtimi aktores Jonida Vokshi dhe skenaristit Salaj.
Në fund vendimi i jurisë vetëm sa u lexua nga prezantuesit, votimi i drejtëpërdrejtë nuk u pa dhe as pikët e dhëna prej anëtareve.
Në fund të natës finale më 23 dhjetor u ndanë këto çmime:
Me çmim të parë juria vlerësoi këngën me titull “Karma” të kënduar nga Anxhela Peristeri, me muzikë nga Kledi Bahiti dhe vargje nga Olti Curri.
Me çmim të dytë u vlerësua kënga me titull “Ka me t’ba me kajt” e kënduar nga Sardi Strugaj, vargjet nga Sardi Strugaj, muzika nga Edesa Malci.
Çmimin e tretë e mori kënga “Kush je ti dashuri” e kënduar nga Festina Mejzini me tekst nga Jorgo Papingji dhe muzikë nga Flamur Shehu.
Këtë vit dha një çmim edhe Bashkia e kryeqytetit.
Sipas Bashkisë çmimi i saj shkoi për këngën me titull “Tjerr” interpretuar nga Evi Reçi me teksti të Florian Zykës dhe muzikë të Olsa Toqit.