Redi Lamçja, karriera ndërkombëtare e instrumentistit shqiptar

Redi, përshëndetje dhe faleminderit që pranuat të ndanit me lexuesit tanë këtë intervistë! Si ka nisur lidhja juaj me muzikën? A ka ndonjë njeri apo ngjarje që ju e kujtoni se ka përcaktuar pikërisht rrugën që ju morët?

R. Lamçja: Përshëndetje dhe faleminderit ju për mundësinë që po më jepni! Takimi im i parë me muzikën ka qenë në familje. Nëna ime në fëmijëri ka ndjekur shkollën e muzikës në qytetin e Elbasanit. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë dhe është vlerësuar me çmime në disa festivale. Im atë, ishte i apasionuar pas kitarës dhe vazhdon t’i bjerë edhe sot. Megjithatë, ata nuk janë bërë muzikant profesionist. Unë  nuk do ta kisha marrë seriozisht kurrë rrugën e muzikës nëqoftëse s’do të kisha takuar disa mësues të pasionuar në shkollën tetëvjeçare “Virginio Muzio” ku kam studiuar në qytetin e Bergamo-s.

Si e kujtoni daljen tuaj të parë në skenë?

R. Lamçja: Koncerti i parë ka qenë pikërisht me orkestrën e shkollës. Natyrisht provova emocion, por vetëm në muajt që do të vinin për mua do të bëhej e qartë se cila do të ishte rruga që do të zgjidhja në jetë.

Fillimisht konservatori për mandolinë në Milano dhe tashmë konservatori për kitarë në Bergamo. Cili është roli i këtyre institucioneve prestigjoze në formimin tuaj artistik?

R. Lamçja: Përpara se të flas për konservatorin, do të doja të përmend rolin që ka luajtur për mua shkolla tetëvjeçare dhe, paralelisht me të, orkestra e mandolinës dhe kitarës “Estudiantina”. Kitarja ishte vegla e parë që kam studiuar, ndërsa orkestra më afroi me repertorin orkestral për mandolinë. Ndjekja e Konservatorit “Giuseppe Verdi” në Milano për mandolinë ishte një esperiencë e domosdoshme për formimin dhe edukimin tim përmes zbulimit të repertorit të kompozitorëve të mëdhenj. Mandolina është një vegël pak e njohur jo vetëm nga njerëzit qe nuk merren me muzikë, po edhe nga muzikantët me përvojë. Pikërisht kjo përbën një sfidë për mua. Dua të veçoj ndihmesën e maestros Ugo Orlandi, që është jo vetëm një nga solistët më të rëndësishëm të këtij instrumenti, por edhe një muzikolog. Ai ka rizbuluar shumë kompozime brenda dhe jashtë Italisë që mendoheshin të humbura, o qe nuk njëfishin fare, për t’i interpretuar nëpër skenat të ndryshme.

Pas përfundimit të studimeve në Milano, mendova që të vazhdoj edhe për kitarë në Konservatorin “Gaetano Donizetti” në Bergamo. Po frekuentoj vitin e fundit. Kjo, sepse vetëm kështu do të ndihesha i plotësuar në profilin tim. Kam kënaqësinë të citoj edhe profesorët Luigi Attademo edhe Nicola Jappelli, për ndihmesën dhe rolin e rëndësishëm në formimin tim si kitarist.

Përse kitarë? Po mandolina si ushtrohet sot në skena dhe si mund të afrohet një i ri apo e re me këtë instrument?

R. Lamçja: Unë zgjodha kitarën sepse kam patur mundësinë ta shoh dhe ta njoh nga afër dhe më ka pëlqyer shumë. Babai im i binte kitarës dhe unë u rrita me tingujt e saj. Kur fillova kursin për këtë vegël në klasat 6-8 të shkollës tetëvjeçare, mësuesi im, Pietro Ragni, ishte jo vetëm kitarist po edhe mandolinist.

Në Itali, në ditët e sotme idea qe kanë njerëzit për mandolinën është se ajo është një vegël popullore dhe në repertorin e saj ka vetëm muzikë popullore napoletane. E vërteta është se ajo ka një repertor koncertist pak të njohur por shumë interesant. Vivaldi, Mozart, Beethoven, Prokofiev, Mahler, Schönberg edhe shumë te tjerë kanë shkruar për këtë vegël. Veç kësaj shumë kompozitorë më pak të njohur kanë shkruar për këtë vegël duke eksploruar të gjitha kapacitetet e saj timbrike, teknike, muzikore dhe ekspresive, si një instrument solo dhe në formacione të ndryshme (duet mandolinë-kitarë, mandolinë-piano, kuartet me mandolinë, orkestra “a pizzico”, qe janë ato me mandolinë edhe me kitarë).

Për te rinjtë që duan ta zbulojnë mandolinën ne organizojmë kurse me Orkestrën “Estudiantina”. Prania e kësaj orkestre është tepër e rëndësishme. Si rezultat, ka gjashtë vjet që në Liceun me drejtim muzikor në Bergamo jepet dhe studiohet mandolina.

Sa i njihni muzikantët shqiptarë? A keni ndonjë me të cilin keni interpretuar apo do të donit?

R. Lamçja: Deri tani nuk kam patur shumë kontakte me muzikantët shqiptarë. Nga një anë jam njeri me shumë interesa, nga ana tjetër, pikërisht për faktin që aktivitetet e mia zhvillohen në drejtime të ndryshme, ka raste që kërkoj ta kufizoj kuriozitetin për të mos humbur. Vetëm kohët e fundit po i afrohem kulturës shqiptare.

Ju jeni vlerësuar me çmime dhe keni dhënë koncerte te ndryshme në Itali, Zvicër, Kroaci. Mund të na flisni më gjatë rreth këtyre përvojave? 

R. Lamçja: Pas Italisë, ka qenë Kroacia shteti ku kam dhënë më shumë koncerte. Atje kam marrë pjesë dy herë ne Orkestrën Europiane të të rinjve për mandoline e kitarë (EGMYO – European Guitar and Mandolin Youth Orchestra) edhe në shumë masterklase. Kam dhënë koncerte gjithashtu në Francë edhe në Gjermani si solist me mandolinë e me orkestrën e harqeve. Në Zvicër kam patur rast të jap koncerte në shumë orkestra me pendëz e kam marrë pjesë në një projekt që bashkon gjashtë orkestra rajonale. Kam pasur mundësinë të merrja pjesë në këto projekte në sajë të ndihmës të mandolinistes zviceriane Silvia Čičić.

Jam nderuar me shumë çmime për kategori të ndryshme në konkursin “Giacomo Sartori” në Ala të Trento-s.

Cili është aktiviteti juaj aktualisht?

R. Lamçja: Unë bëj pjesë në Orkestrën “Estudiantina” të Bergamo-s dhe në orkestra të tjera me pendëz si në “Orchestra Città di Brescia”, “Mandolinisti Bustesi” apo në Zvicër në Rrethin e Mandolinës (Circolo Mandolinistico) “Aurora” e në Grupin e mandolinës (Gruppo Mandolinistico) “Eliante”. Jap shfaqje si solist në formacione të ndryshme të muzikës së dhomës (shpesh në duet mandolinë-pianofort ose mandolinë-kitarë por edhe në të tjera).

Dhe e fundit, jam mësues në Liceun muzikor “Paolina Secco Suardo”.

A është Shqipëria një skenë ku do të donit të interpretonit dhe nëse po, si e përfytyroni publikun e Tiranës?

R. Lamçja: Pushimet e fëmijërisë unë i kam kaluar gjithmonë në Tiranë dhe Elbasan pranë gjyshërve të mi dhe ruaj plot kujtime të bukura. Pra, kam dëshirë të ngjitem në skenat shqiptare. Publikun e Tiranës e përfytyroj kurioz për njohuritë që kam mësuar duke jetuar ne Itali.

Opusalb

You may also like...

2 Responses

  1. Alfred says:

    Wonderful you Redi Lamcja . Congratulate.

  2. Anonymous says:

    Bravo . You should be proud of your mom. She was my friend .

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...