Mbi emisionin: “Gjurmë Shqiptare” – Melodia e lashtësisë
Emisioni “Gjurmë shqiptare” që drejtohet nga gazetari Marin Mema, është një ndër ato të paktë emisione që ia vlen të shihen me dëshirë e kuriozitet në televizionet shqiptare. Dua të vlerësoj punën e palodhur, patriotike si edhe integritetin moral që Marin Mema përfaqëson. Mbrëmë në këtë emision u fol për instrumentin e Cules Dyjare apo Lungarin. Përgjatë emisionit, nga dëshira për të treguar lashtësinë e këtij instrumenti autokton shqiptar por dhe si pasojë e mungesës së informacionit, u dhanë shembuj të gabuar në lidhje me të. Pikturimet mbi vazot dhe gdhendjet e bazorelieveve të lashta greko-romake, nuk tregojnë aspak Culen Dyjare, por një tjetër instrument aerofon të antikitetit që grekët e lashtë e quanin Aulos, ndërsa romakët Tibius.
Aulosi përbëhej nga dy fyej autonomë të ndërtuar me kallama të thjeshtë e ku bashkoheshin bashkë vetëm në buzët e interpretit, ndryshe nga Cula Dyjare e cila përbëhet nga dy fyej të ngjitur në një trup të vetëm. Një tjetër karakteristikë specifike dhe kryesore e cila e dallon Aulosin nga Culja Dyjare është se, Aulosi ka në përbërjen e tij pipzat me kallam të dyfishtë, si Duduku armen dhe Oboja moderne, gjë që e bën këtë instrument të prodhojë një tingull më të thellë e dramatik, në ndryshim nga tingulli i hollë (imitues i zogjve) i Cules Dyjare.
Mungesa e fakteve dhe informacioneve që do dëshmonin lashtësinë e Cules Dyjare, nuk do të thotë se ajo nuk është e tillë, por duhet pasur shumë kujdes në hulumtime dhe në dhënien e shembujve përkatës, në mënyrë që ato të jenë sa më të saktë e jo të tërthortë. Mungesa ekspertëve të fushës dhe atashimi i atyre shembujve me subjekte apo objekte te tjera, siç ishte rasti në fjalë, do kalonte caqet e shkencës dhe vërtetësisë, duke rrezikuar të duket çdo gjë në kufijtë e qesharakes.
Së fundmi, poshtë është “link”-u i cili tregon studimet e financuara nga “European Music Archaeology Project” mbi Aulosin.
Në vitin 2016, Prof.As.Armand D’Angour i Universitetit të Oksfordit, ja doli të deshifronte një papirus i cili kishte të shkruar saktësisht momente muzikore për dramën “Oresti” të Euripidit. Përgjatë dramës në amfiteatër, këndoheshin vargje të dramës nga një kor dhe shoqëroheshin me një Aulos. Gjatë kërkimeve arkeologjike, në vitin 1996 në Pidna të greqisë u gjend një Aulos i padëmtuar. Pasi u shqyrtuan disa piktura, vizatime, bazorelieve e skulptura të kohës, studiuesi grek Stelios Psaroudakes bëri matjet e duhura dhe Robin Howell e riprodhoi saktësisht atë. Sot Universiteti i Oksfordit dhe instrumentistët Barnaby Brown dhe Callum Armstrong janë ekspertë të interpretimit të Aulosit duke dhënë koncerte për të prezantuar publikut tingullin interesant të këtij instrumenti që vjen nga lashtësia. Këto janë fakte dhe studime tërësisht shkencore, të ftohta dhe të distancuara nga çdo patriotizem.
I mbetem parimit se historia duhet të jetë e vërtetë dhe e orientuar nga shkenca deri në fund.
/Armand Broshka/