Ditën e lirisë së shtypit

Nuk e kemi ditur që paska dhe ditë të shtypit dhe si çdo gjë e re në psikologjinë tonë shndërrohet në element tërheqës. Nuk besoj se e keni harruar se dikur, fiset indigjene afrikane apo të ishujve oqeanikë gëzoheshin shumë kur u dhuronin të huajt ndonjë pasqyrë, paçka se e këmbenin me fildish apo ar.

Në këtë ditë të shenjtëruar e të bekuar nga ata që duan ti ndrydhin e ti thajnë informacionet mbi prapësitë e tyre,  nuk kishte se si të mos buronte ideja se si do të jetë në të ardhmen  “albanian musicus“. Sot, të paktën mund të themi ç’të duam dhe pa u penalizuar nga rrjetat e fraksioneve të politikës.

Në kohën tonë,  që t’u imponohesh njerëzve duhet të hiqesh si i ditur, e në rastin e të treguarit i ditur duhet të thuash ndonjë frazë në gjuhë të huaj. Unë zgjodha të tregohem jo vetëm i ditur por edhe shumë i ditur pasi kam gjetur të shprehem me një frazë në dy gjuhë njëherësh. Sigurisht kjo do ti çojë njerëzit të mendojnë se duhet të presin ndonjë përfundim të madh apo një mendim që nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë, aq më tepër që kemi të bëjmë me parashikimin. Ideja është që ti largohemi sa më shumë të jatë e mundur modelit të parashikimit të motit që bëhet nga disa vajza ish modele, simpatike, elegante por që rrallëherë u del parashikimi. Jo! Këtu kemi të bëjmë me një bravurë të një stature të veçantë, të lartë dhe autoritare, prandaj hapni veshët!

Duke ndjekur trajektoren e zhvillimeve muzikore në vend parashikohet se në dekadat e fundit të këtij shekulli muzika shqiptare e rrafsheve profesionale do të mbesë vetëm në librat e vjetër, që do të ruhen nëpër biblioteka, apo nëpër muzetë digjitalë të hapur gjithandej. Nuk do të ketë më kompozitorë shqiptarë, nuk do të ketë më koncerte me muzikë shqiptare dhe ky koncept do të konsiderohet i huaj dhe i panevojshëm. Globalizmi do ti ketë ngrënë të gjitha idetë “e pavlera” që përjetojmë sot. Muzikë do të konsiderohen tingëllimat e çeljes së kompiuterit, tabletës, telefonit, apo kalimi nga një program në tjetrin, tingëllimat, apo siç quhen ringtonet e hapjes së dyerve të makinave, tramit apo hyrjeve nëpër shitore të ndryshme. Ndryshimi i tyre do të tregojë vlerën, karakterin dhe rëndësinë e ambjentit ku do të hyjmë. Kjo sigurisht do të jetë kompozuar në bazë të programeve matematike, logaritmat e të cilave do të prodhojnë të tilla për të gjithë botën. Muzika do të jetë e përgjithshme për të gjithë njerëzit kudo që janë dhe nëpër aparatet e ndryshme të tyre do të mbizotërojnë pjesë muzikore të veçanta për dy funksione: Dëfrim dhe psikoterapi. Sidomos këto të fundit do të jenë edhe më të përhapurat, sidomos për njerëzit nga 40 në 110 vjeç. Dëfrimi i të rinjve nuk do të mendohet të bëhet më me “muzikën arkaike shqiptare”, por me standarte të “larta” ndërkombëtare dhe të unifikuara.  Rrugët do të jenë mbushur me reklamat e këngëtarëve pa kombësi e që në vend të tyre do të kenë të stampuar në ballë siglën e kompanive të mëdha kontinentale muzikore. Pikërisht këto kompani do të bëhen dhe mbledhëse e shpërndarëse të asaj që sot quhet muzikë e lehtë. Këto kompani të mëdha dhe të shtrira në gjithë botën do të jenë dhe pronare të muzikës së eventeve të ndryshme si dasma ditëlindje festa shoqërore, pasi ato familjaret nuk do të njihen më, si dhe organizuese të festimeve të bashkive të qyteteve të ndryshme.

Koleksionistët do të ruajnë akoma inçizime digjitale të muzikës së dikurshme, por vetëm atë të kompozitorëve shumë të njohur, ndër të cilët asnjë shqiptar. Për stilin e muzikës që do të krijohet mund të parashikojmë se muzika e krijuar nga robotët muzikantë do të jetë shija më e përparuar e jetës dhe titujt e tyre do të jenë në anglisht, rusisht, kinezçe dhe pak arabisht. Kjo edhe për arsyen se gjuhët e tjera do të reduktohen në masë dhe se do të mbesin vetëm si rudimente. Gjuha shqipe do të jetë pothuajse e zhdukur apo do të shfaqet ndonjë fjalë e vetme midis fjalisë në anglisht apo kimezçe. Hymë të parashikojmë edhe të ardhmen e gjuhës pasi edhe muzika sot, apo më mirë dje konsiderohej gjuhë. Në periudhën për të cilën po flasim muzika do të ruajë karakterin ndihmës, (apo utilitar), por jo si mendim me peshë filozofike, apo komunikim idesh. E gjithashtu edhe filozofia vetë do të jetë transformuar në një rudiment historik vetëm për kuriozitet.

Do të ketë ende disa individë, këngëtarë lirikë, apo instrumentistë, të cilët duke debutuar në skena të ndryshme do të përmendin në CV-të e tyre se rrjedhin nga kombi shqiptar, paçka se nuk do të dinë të flasin shqip. Gjuha e tyre do të këmbehet me një flamur të vogël shqiptar në reklamat e stërmëdha që do të afishohen në rrugët e kontinenteve të ndryshme. Këta do të jenë shumë të pakët pasi një pjesë e madhe prej tyre do të jenë të detyruar të deklarohen nënshtetas të vendeve të mëdha të cilët edhe i menazhojnë. Një pjesë tjetër do të kenë emra e mbiemra artistikë që nuk do të mund të identifikohen si prej gjaku shqiptar.

Elementi më tradicional do të mbetet të mësuarit e instrumentave, kryesisht pianos, por me ndryshime të mëdha. Mësimi i pianove digjitale tridimensionale do të jetë një aplikim i përdorimit të programeve të ndryshme nga fëmijët për të krijuar tinguj të timbreve të ndryshëm të lidhur në mënyrë shumë të lirë dhe individuale me njeri tjetrin. E meqë programet e shumta për të krijuar kështu muzikë do të jenë të përhapura gjerësisht në atë që sot quhet nivel amatoresk, nuk do të ketë nevojë që muzika të mësohet nëpër shkolla. Kushdo që do të më kundërshtonte për këto do ti vendosja përpara tekstet e dekadave të shkruara e deri më sot për të konstatuar me sytë e tyre shkërmoqjen e informacionit muzikor në to dhe rrugën drejt këtij projeksioni.

Parashikimet nuk mund të mos prekin edhe një zbulim të madh. Një student i doktoraturës në një vend të madh Evropian duke studiuar mbi ish muzikën polifonike shqiptare do të zbulojë pesë individë të cilët jetojnë në vendet skandinave e që do të konsiderohen bartësit e fundit të kësaj polifonie. Gjithashtu ai do të zbulojë edhe një tjetër në Kanada që akoma i bie fyellit të gjatë karakteristik të Gramshit, i cili për hir të kujtimit të gjyshit të tij do të mund të interpretojë akoma muzikën e dikurshme për qëllime të kënaqësisë personale dhe nostalgjisë për të parët e tij.

Ky parashikim është hartuar dhe projektuar duke u mbështetur mbi trajektoren e zhvillimeve të deri më tashme të politikave kulturore në vend dhe është i sigurtë.

Megjithatë,  teorikisht ka mundësi që të ndodhë ndonjë revolucion i madh kulturor, që të  thyejë këtë parashikim megjithëse propabiliteti është 1 me 99.

4.05.2019

Nestor Kraja

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...