Nexhmije Pagarusha – ikonë nacionale e kulturës sonë

Nga  Rafet RUDI

Nexhmije Pagarusha hyn në rradhën e atyre personaliteteve në muzikën tonë që fuqishëm e shënojnë kohën e vet. Praktikisht periudha kohore në të cilën ajo veproi, mjedisi në të cilën ajo zhvilloi aktivitet si dhe zhanri të cilit ajo i takon, identifikohen plotësisht me të, me zërin e saj me frymën e saj.
Nexhmija, ka përfaqësuar bukurinë e muzikës sonë popullore. Ajo ka qenë shenja me të cilën muzika jonë popullore është njohur në ish Jugosllavi, në Ballkan dhe më gjërë. Për më tepër, bukuria e zërit të saj (kjo është fatlumsia e jona), ka përcaktuar koordinatet njohëse dhe identifikuese të muzikës sonë popullore. Kornizat e kësaj muzike, historikisht, për të parën herë janë evidentuar sit ë tilla. Në mungesë të shenimeve, ne nuk i njohim veçoritë specifike të muzikës sonë të epokave të mëhershme psh., të shekullit XIX, aq më pak të një kohe më të largët. Disa vite pas luftës dytë botërore, në periudhën kur Nexhmija fillon të bënte inçizimet e para tonike, pikërisht në atë periudhë, ne kemi filluar ta njohim, më për afër, muzikën tonë. Andaj me zërin i saj, Nexhmije Pagarusha, me regjistrimet që na e ka lënë në trashëgimi, historikisht për herë të parë, e ka përcaktuar fizionominë e muzikës tonë popullore. Ne, përmes muzikës së saj, e kemi njohur më në fund veten.
Specifikat e “muzikës kosovare” në zërin e Nexhmijës
Ndonëse muzikën e Nexhmijes, ne e përgjithësojmë dhe e shkrijmë (me arsye) në nocionin “muzika shqiptare”, është interesant, gjithashtu, se me një analizë krahasuese, edhe më të thellë, shohim se ajo bartë një origjinalitet edhe më përcaktues, meqë përfaqëson karakteristikat këngës popullore shqiptare të veriut. Ajo e ka pasuruar në veçanti muzikën kosovare, duke e bërë të njohur si të till. Është e kuptueshme, ajo ka qenë tepër e veçantë, tepër a që të “shkrihet” në shumësinë e nocionit të “muzikës shqiptare”. Ndoshta ky dimension është vendimtar që ajo, si askush tjetër, ka qenë e adhuruar edhe në Shqipëri, si përfaqësuese më e denjë e muzikës tradicionale shqiptare në Kosovë.
“Impostimi natyral” i zërit të Nexhmijës
Kaptinë e veçantë e trashëgimisë që na len Nexhmija, është pa mëdyshje, fuqia e vokalit të saj. Nexhmija nuk iu ka nënshtruar një regjimi shkollor sistematik dhe më të gjatë, të zërit. Zëri saj është “i lindur”, dmth., ajo ka një “impostim natyral”, gjithsesi të jashtëzakonshëm, që shumë rrallë mund të haset. Kjo i ka mundësuar të arrin përmasat e artit të saj. Gjithmonë është thënë se zëri i saj ka shtrirje (diapazon) të gjërë dhe absolutisht të jashtëzakonshëm. Zëri i saj ka karakteristikat e një soprani të lartë (gati të një soprani koloraturë), njekohësisht ka karakteristikat e një soprani dramatik (ajo që befason së tepërmi!) dhe mbanë njekohësisht karakteristikat e një alti të thellë. Te Nexhmija “bashkëjetojnë” në mënyrë të pabesueshme të gjitha këto karakteristike. Për më tepër, në të gjitha këto regjistra, ajo gjithmonë e ruan veçantinë e ngjyrës së saj specifike.
Fakti se Nexhmija nuk pat fat të studjonte kanton, nuk mendoj se është ndonjë humbje e madhe për profilin vokal të saj. Paradoksale duket por e vërtet është se në perfeksionimin sistematik shkollor të zërit, në procesin e zhvillimit maksimal të teknikës vokale, krahas përparësive që nominalisht ky shkollim krijon, ekziston rreziku real që zëri të bëj transformim radikal në atë masë saqë i humbë veçoritë iniciale të ngjyrës, të karakterit identifikues, humbë butësinë intime, humbë afinitetin personal për melizma specifike etj. Duke iu nënshtruar literaturës të etabluar të zhvillimit teknik të zërit, pësojnë doemos disa parametra tjerë natyral të zërit. Kjo është sidomos e mundshme te zëret, sikundër që është ai i Nexhmijës, te zëret me impostim natyral. Në anën tjetër edhe në domenin e kulturës së frazimit, të shprehjes specifike, mund të zbehen karakteristikat që bartin një bagazh specifik nacional, meqë i nënshtrohen një literature të një muzike të standardizuer dhe unike. Por, me këtë impostim natyral, të lindur, dhe me një talent muzikor evident të jashtëzakonshëm, ajo arrin të përballon copëzat vokalisht të vështira vokale, sikundër që i gjejmë te “Baresha” dhe te “Nje Lule”.
Kënga jonë në duart e Nexhmijës dhe Rexhos
Kapitull i veçantë i jetës së saj ka qenë bashkëpunimi i dendur me kompozitorin tonë Rexho Mulliqin. Rexhoja, si një muziktar inteligjent, e njihte në thelb kapacitetin real të vokalit të Nexhmijës. Ai e optimizonte këto mundësi të Nexhmijës në mënyrë precize dhe në mënyrë unike. Këngët që ai i shkruante për të, janë ekzakt të kompozuara për mundësitë vokale të saja, për ngjyrën dhe karakterin e zërit të saj. Së këndejmi, “Baresha” dhe “Një lule” (këngët emplematike të saja) me vështirësi këndohen nga këngëtarë të tjerë. Nexhmija, është thjeshtë “bashkëautore” e këtyre këngëve, sado paradoksale që kjo duket. Bashkëpunim (i këtij qifti bashkëshortor), në mes këtyre artistëve të veçantë të muzikës sonë, të cilët gjenin frymëzim te njëri tjetri, në mes të cilëve qarkullonte një energji e një kreativiteti të lart, ka ndikuar direkt në profilimin artistik të saj. Për aq sa ata, njëri – tjetrit i dhanë, për aq fitoi kënga jonë.
Nexhmija – institucion kulturor
Në fund të themi se: atë që Edit Piaf paraqet për muzikën franceze (shansonën), Veçe Zela për muzikën në Shqipëri, Amalia Rodriguese për muzikën portugeze (fado), të cilat janë ikona kulturore nacionale dhe shtylla të kulturës së tyre, pikërisht atë paraqet Nexhmija për muzikën shqiptare. “Bilbili i Kosovës” është trashëgimi e madhe, e pakapërcyeshme e këngës shqipe. Ajo mbetet institucion i veçantë kulturor nacional.
Është pikëlluese që, Nexhmija Pagarusha, pos dashurisë dhe respektit të pakufishëm me të cilën ajo ishte e rrethuar në njëzetvjetëshin e fundit të jetës së saj, asnjë kompenzim institucional nuk ishte në përputhje me atributin për të cilën po flasim dhe për të cilën do ta mbajmë gjithmonë në mend.

 

08.02.2020, Prishtinë

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...