Muzika ne lidhje me fene dhe mitologjinë

Afërsia midis muzikës dhe dimensionit shpirtëror ka rrënjë shumë të lashta dhe, megjithëse në forma të ndryshme, është manifestuar dhe manifestohet në shumicën e kulturave njerëzore. Universi i miteve të origjinës, në të cilin muzika shpesh luan një rol kryesor, përbën provën e kësaj, si dhe një fushë të pashtershme të hetimit: këndimi i rrokjes OM nga antikiteti i largët i disa mitologjive orientale, zërat e perëndive formojnë realitetin në mitet nordike, e qeshura e Thot-it përkoi me krijimin e universit për egjiptianët e lashtë, në Indinë e lashtë universi lindi në ritmin e vallëzimit të Shiva-s, etj.

Studimi i pranisë së muzikës në mitet fetare, ritet dhe liturgjitë është kryer kryesisht nga etnomuzikologë dhe ka prodhuar kontribute të panumërta që kanë hedhur dritë mbi popuj dhe kultura po aq të shumta të planetit, një larmi e pamundur për tu përmbledhur këtu. Ne më pas do të ilustrojmë linjat e përgjithshme të temës, duke marrë kulturën perëndimore si referencën kryesore, por pa hequr dorë nga referencat dhe kalimet në perspektiva të tjera kulturore.

Muzika, miti dhe koha

Muzika është një prani e vazhdueshme në mitologjitë në të gjithë botën. Vetëm në mitologjinë greke ka dhjetëra personazhe të lidhur me muzikën, nga Apollo te Muzat, nga “shpikësit” e instrumenteve, si p.sh Pani – flautin me të njëjtin emër, Athinaja aulos-in, Hermesi lirën, etj. deri tek këngëtarët magjepës të tingujve, të tillë si Orfeu ose Sirenat; figura të ngjashme gjenden në kultura të tjera: në fillimet e Biblës Yuval (Jubal ose Jubal në transkriptime të tjera) përcaktohet “babai i të gjithë instrumentistëve në çetra dhe në flaut”, perandori legjendar kinez Ku konsiderohet krijuesi i shumë instrumenteve muzikore, dhe lista mund të jetë e gjatë.

Mund të identifikohen disa tipologji kryesore të ekzistencës së muzikës në mite, të cilat nuk janë vetëm të kulturës greke:

1) Ekzistenca e muzikës që në mitet e origjinës, si pjesë e aktit krijues hyjnor, si garant i urdhërit universal (harmonia e sferave[1]).

2) Mësimi, ruajtja dhe transmetimi i njohurive muzikore nga hyjnitë tek  njerëzit; miti paraqet sjellje muzikalisht të pranueshme si dhe rregulla që nuk duhen thyer.

3) Konflikti: muzika bëhet një armë në përballjen rituale midis njerëzve dhe hyjnive. Miti emblematik i Apollonit dhe i Marsia-s ka po aq vlera fetare – duke çensuruar satirën hibride të personazheve që dëshirojnë të jenë të barabartë me një zot – sa dhe muzikor, duke rikonfirmuar epërsinë me origjinë hyjnore të instrumenteve me tela ndaj instrumenteve frymore që ishin aq popullorë.

4) Magjia: miti tregon dhe rrit fuqinë magjepsëse të përvojës muzikore, me një mesazh fetar të dykuptimtë. Nëse figura si Sirenat riafirmojnë kufijtë që nuk duhen kapërcyer në kërkimin e njohurive, mitet si ajo e Orfeut tregojnë se si muzika mund të lartësojë shpirtin e njeriut dhe të zbulojë një urdhër superior përtej asaj që është e dukshme. Personazhi i poetëve këngëtarë është gjithashtu ndër më të përhapurit në mitologji dhe fenë në të gjithë botën (mendoni gjithashtu për Mbretin David, të cilit i atribohet shpikja e psalmeve).

Figura që përfaqëson llojet e ndryshme të lidhjes midis muzikës dhe mitit është ajo e aedi-t[2], një personazh i vërtetë i cili gjithashtu paraqitet mitologjikisht, mendohet se legjendari Homer të ketë qenë “shpikësi” i poemave epike apo personazhit të tij letrar Demodocus, këngëtar tek Odiseu. Nuk është rastësi që të dy janë të verbër: dëgjimi është kështu ndjeshmëria superiore muzikore që i vë ata drejtpërdrejt në kontakt me dimensionin hyjnor që i përshkon.

Aedët, rapsodët dhe këngëtarët epikë janë figura historike të pranishme në kultura të shumta dhe funksioni i tyre shoqëror si roje të kujtesës dhe vlerave fetare, për të cilat miti është i mbushur, nënvizon më tej se në çfarë mase përvoja muzikore dhe përralla mitike janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme: fjala e kënduar ka më shumë forcë dhe është më e shenjtë sepse shndërron dhe fisnikëron gjuhën e zakonshme.

Lidhjet midis muzikës dhe mitit kanë qenë subjekt i një analize të antropologut të famshëm Claude Lévi-Strauss (1908-2009), të përfshira në vëllimet “I gjallë dhe i pjekur” dhe “Njeriu i lakuriq”. Ideja e Lévi-Strauss është që muzika dhe miti kanë rrënjë në gjuhën verbale (shih “Muzika dhe gjuha”) dhe përfaqësojnë një version të papërsosur të saj: miti bazohet në kuptimin, por jo në tingullin – e rëndësishme është historia, jo fjalët me të cilat shprehet – anasjelltas muzika bazohet në tingullin por jo në kuptimin. Të dy përpiqen të korrigjojnë mungesën e tyre: muzika përpiqet të organizojë tinguj sipas një kuptimi, miti kërkon – përmes formulave të përsëritura, këngëve rituale, etj. – për të rimarrë dimensionin e tingullit.

Muzika në këtë optikë, nuk është vetëm një plotësim i tregimit mitik, por ndan me të të kodin e saj gjenetik dhe natyrën paradoksale, duke përfaqësuar pikën e bashkimit midis fundit të kohës njerëzore dhe përjetësisë hyjnore. Një teori që, megjithëse ka qenë objekt kritikash të ndryshme, ndriçon jo vetëm fatin e mitit si një element frymëzues i krijimtarisë muzikore – veçanërisht në operën lirike dhe në fenë e artit të romantikëve e në veçanti të Richard Wagner-it – por edhe tendencën këmbëngulëse të feve dhe praktikave kultike për të përdorur muzikën si një instrument rituali të komunikimit midis njerëzve dhe hyjnive, siç do të përpiqemi ta ilustrojmë në paragrafin vijues.

Muzikë dhe rit fetar 

Eshte e rrallë të hasësh në ceremoni dhe rite fetare në të cilat muzika nuk luan një rol përcaktues. Mund të identifikohen tre nivele të ndërveprimit midis muzikës dhe ritualeve, me një shkallë në rritje të bashkëpunimit midis dy fenomeneve. Në fazën e parë, muzika përbën një plotësim të thjeshtë të liturgjisë, shoqëron gjithë kohën ceremoninë, dhe është kryesisht një tipar karakteristik i riteve kristjane dhe në veçanti i asaj katolike. Në një nivel të dytë, muzika mund të bëhet hyrëse në dimensionin e ndërmjetëm, i cili, është karakteristikë e përvojave të shumta fetare, nga Sufizmi te Hinduizmi, nga Islami te Budizmi. Muzika dhe rituali arrijnë më në fund një pikë të identifikimit pothuajse total në praktikat e ekstazës, posedimit dhe shamanizmit, në të cilën thirrja dhe evokimi hyjnor ndjekin formula të sakta muzikore dhe koreografike e ku mbizotëron figura e priftit muzikant.

Në kulturën perëndimore, ku mbizotërojnë dy nivelet e para, ndërhyrja e muzikës në ritual është e lidhur me marrëdhënien e privilegjuar midis tingullit dhe fjalës. Në botën greke uniteti i poezisë, muzikës dhe vallëzimit – i cili del me prova të veçanta në strukturën dramaturgjike të tragjedisë – buron nga praktikat e kultit dhe zhvillohet për të amplifikuar elokuencën e tregimit mitik (sipas një procesi i cili, i shkëputur nga sfera fetare, është gjithashtu karakteristikë e “liturgjisë” së operës në muzikë).

Në liturgjinë e krishterë dhe veçanërisht në atë katolike, lidhja midis fjalës së shenjtë dhe muzikës është një e dhënë themelore: fillimisht kënga dhe pastaj instrumentet hyjnë në ceremonial duke iu përgjigjur nevojës për të amplifikuar (edhe në një nivel thjesht akustik) arritjen e fjalës së Zotit tek besimtarët në ambiente gjithnjë e më të mëdha dhe më të mbushura me njerëz, por në radhë të parë muzika vlerëson dhe rrit efektivitetin komunikues dhe ndikimin emocional të tekstit të shenjtë.

Marrëdhënia fjalë-muzikë në Perëndim zhvillohet në një mënyrë të dyanshme: muzika çon në shfaqjen e sugjestimeve dhe kuptimeve të fshehura në tekstin fetar, ndërsa dëshira për të lartësuar fjalën e shenjtë e shtyn muzikën në një shkallë kompleksiteti në rritje. Në fakt, brenda praktikave të kultit u zhvilluan format e para të polifonisë dhe nevoja rrjedhimore për të arritur format tingëllore gjithnjë e më komplekse (shih “Monodia dhe polifonia”), e cila është vendimtare për lindjen e notcionit muzikor (shih “Oraliteti. dhe shkrimi”).

Përktheu nga portali: “Hyrje në mendimin dhe praktikën muzikore” 

(Studimet e Universitetit të Sienës), 

Megi Frroku

[1] Harmonia e sferave është një koncept filozofik i antikitetit mbi botën, që e konsideronte universin si sistem proporcionesh numerike që prodhonin një lloj muzike të padëgjueshme nga veshi njerëzor por që gjendej në konceptet harmoni-matematikë

[2] Aed quheshin këngëtarët shëtitës të cilët edhe u binin instrumentave dhe që tregonin histori në vargje nga eposi i vendit

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...