Mos ishte më mirë, atëherë kur ishte më keq?

Pas rikonstruksionit të parë Liceu Artistik, apo Shkolla e Mesme Artistike “Jordan Misja” në Tiranë këtë vit kaloi edhe rikonstruksionin e dytë. Në fakt, ishte bërë për faqe të zezë, ndërsa tani feks, si një nuse e re, pas martesës së tretë. Llustër e mrekullueshme nga jashtë e nga brenda, mbushur me piano të reja e ndoshta edhe qylyma të kuq, por lind pyetja – A ka ndryshuar ndopak në brendinë e saj kjo shkollë, në kuadrin e revolucionarizimit të mëtejshëm… më falni, në kuadrin e reformës arsimore? Apo reforma qëndron në rregullimin e mureve dhe dyerve të jashtme? A është përgatitur ndonjë tekst që mungonte, a u shtua ndonjë fonotekë, ndonjë sallë koncertesh, ndonjë lidhje me institucionet analoge jashtë apo qoftë edhe me mendimin e përvojën më të mirë të Fakultetit të Muzikës së Universitetit të Arteve? Apo mbeti përsëri një shkollë e mesme me njohuri pak më të thelluara për muzikën? Mos ndoshta janë reformuar sipas mendimit bashkëkohor pedagogjik programet e vjetëruara? Mos janë përzgjedhur trupa pedagogjike, apo janë vënë ata në rrugën e specializimeve të domosdoshme?
Mbajmë mend se dikur, atëherë kur ishte më keq, kjo shkollë nxirrte talente të shquar, disa prej të cilëve sot jetojnë me dinjitet në mbarë botën. Mjaftojmë të kujtojmë vetëm disa. Nora Çashku, Tedi Papavrami, Inva Mula, Ermonela Jaho,  e me dhjetra e dhjetra artistë të mrekullueshëm. A e dini se sot  nxënësit që vijnë për konkurim në Fakultetin e Muzikës janë të dobët dhe shumë të dobët në lëndët: Solfexh,  Harmoni, Histori Muzike, Lexim Partiture etj.? A e dini se ata paraqesin dobësi dhe në formimin e përgjithshëm intelektual e në formimin bazë? A e dini që edhe niveli i përgatitjes në Lice, në instrumente të ndryshëm është ulur? A është kujtuar ndokush për t’ju përgjigjur ndonjerës nga këto pyetje?
Dikur në këtë shkollë jepnin mësim figura emblematike të pedagogjisë muzikore. Doni emra? Lume Mara, Elira Aliaj, Sonja Sulo, Ramadan Sokoli, Gjovalin Lazri, Robert Papavrami, Roland Xhorxhi, Eno Koço, Adriana Dizdari, Takuina Truja, Ermelinda Paparisto, Zana Frashëri, e shumë të tjerë, për të mos parashtruar një listë që do të zinte faqen e që do të duhej të vihej sipas radhës kronologjike.
Sot lexojmë emrat:……. që nuk mendojmë se rrezatojnë atë shkëlqim të mësuesve të kohës kur ishte më keq!
Sigurisht ka edhe mësues të nderuar, që punojnë dhe kanë kontribute konkrete, të çmuar edhe nga opinioni i stafit akademik në “Universitetin e Arteve”, por janë siduket më pak se atëherë kur ishte më keq!
Në Fb. të shkollës shkruhet : -Liceu artistik  -Shkolla më e madhe dhe më e mirë e artit sot për sot në Shqipëri i cili nxjerr talente te ndryshme ditë për ditë. (As gramatika nuk është në rregull, e le pastaj mendimi e gjykimi!)
Sigurisht në kohën tonë, që është më mirë, është rritur mburrja, por jo puna.
E dini se çfarë shkruan një Artiste e shquar e cila punon dhe jeton sot në Evropë, kur po i shkruaja mbi rëndësinë e shembujve pozitiv -…Nuk eshte se nuk kuptohen shembujt pozitivë apo negativë… e keqja është se atje mbizotëron fuqishëm arma e më të fortit dhe të mbështeturit…
Pikërisht, ajo shikon qartë diferencën midis seleksionimit sipas profesionalizmit dhe mbështetjes partiake e cila na mbeti peng nga koha kur ishte më keq.
Kjo nuk është nostalgji për kohën që kaloi. Nuk është ide për të goditur askënd, është një konstatim  i asaj që jemi ngërthyer brenda një sistemi të degraduar që degradon pak nga pak edhe të mirin, edhe të vlefshmin, edhe të aftin. Nëse kuptohet kjo, do të kuptohet se edhe rikonstruksioni është fasadë që nuk mund të mbulojë thënien: “Ishim më mirë atëherë kur ishim më keq”!

 

Nestor Kraja

You may also like...

1 Response

  1. Besa says:

    Shprehja ishte me mire atehere kur ishte me keq eshte bere per ti kompozuar dhe nje lejtmotiv e te degjohet ne cdo diskutim per artin, letersine, pedagogjine, shkencen…jetesen…pra kudo..mungesa e mundesive per te punuar pasqyrohet ne mungesen e interesit per pune e studim, si dhe ne rezultate te dobeta si ne lice, ( ku duhet shume ore studim per nje rezultat te mire), ashtu edhe ne gjithe sistemin arsimor …kjo teme vlen per tu analizuar e debatuar….

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...