Unë, ti, ne dhe Liria

Në redaksi ka ardhur një shkrim, i cili edhe pse nuk lidhet drejtëpërdrejtë me muzikën ka një lidhje integrale me filozofinë e muzikës, me aktualitetin muzikor, me konceptet e jetës sonë si objekt muzikor. Me këtë motivim, por edhe sepse na pëlqeu pa masë,  po e botojmë.

Opusalb

(Bashkëbisedim nënë e bir)

Liria është e madhe sa qielli, me reliev si globi dhe e padukshme si ajri. Unë kam menduar se linda e lirë në kohën e monizmit, Ti, biri im nuk ndjehesh i lire edhe pse jeton sot jashtë vendit. Kjo ndoshta se qyteti yt i madh të ka ngushtuar hapësirën me kullat e larta, ose ti kërkon hapësirën e tyre vetëm për vehte. Dikur shtëpitë tona ishin të ulta e të pakta dhe midis tyre kishte bahçe e kopshte plot, të cilat ne na dukeshin të gjera e të gjelbërta. Ishim të vegjël atëherë. Megjithëse sot mund të jetë “Nostalgji e pleqërisë” siç thua ti. Unë shumë vonë u revoltova dhe u hodha në ndeshje për më shumë liri, apo si i thoshim ne atëherë “për demokraci”, ti e kërkon atë që në mëngjes, duke kërkuar të flesh më shumë, madje edhe më shumë se ç’duhet. Në fakt unë mendoj kështu – “dhe më shumë se ç’duhet”, por ndoshta unë nuk e kam idenë e masës, ose ti e kërkon atë “pa hesap”, siç i them unë, ose unë nuk arrij ta kuptoj “lirinë”  e të ndjehem e lirë siç thua ti. Unë jam ndjerë mirë dikur edhe në zbor, edhe në aksion, edhe në mbledhjet e rrezikshme të kolektivit. Ndoshta isha mësuar me qëndrimin në kutinë e sardeleve, ndoshta nuk dija tjetër,  se unë dija shumë pak për këtë frymën që sot quhet liri. Unë atëherë njihja shumë më tepër atë frymën që quhej “punë” dhe “idealizëm”, madje ajo frymë më ka “veshur cipën e trurit edhe sot” thua ti. Kurse ti nuk ngopesh me lirinë e lëvizjes, me lirinë e komunikimit me lirinë e veprimeve dhe unë nuk arrij të gjej püikërisht “punën” dhe “mundin” tek ty. Ti kërkon të çlirohesh edhe nga punët e krahut, megjithëse e di që ato të sjellim të ardhura edhe pse të pëlqen lëvizja që kërkon edhe më tepër para, apo të pëlqen komunikimi që kërkon gjithashtu më tepër para dhe njëkohësisht të pëlqen komoditeti. Dhe paratë e mija dhe paratë e tua nuk të mjaftojnë për të qenë komod siç do ti, për të qenë i lirë. Dhe madje edhe në këtë rast unë ndjehem fajtorja. -Pse liria është e barabartë me paratë? S’ma ka thënë e s’ma ka dëgjuar veshi të ishte kështu. Dikur liria nuk kishte qenë materie. Ta merrnin kur mendoje ndryshe, sot nuk ja marrin as kriminelëve e as hajdutëve e as kapove të të gjitha fushave. Dikur mendoja se liria është hapësira e dijes, e aftësisë për të frymëzuar të tjerët, dhe në atë kohë mundësia për dije ishte e kufizuar. S’kishte internet, s’kishte libra dixhitalë. Nuk njiheshin gjuhët e huaja kështu si sot. Por ti ankohesh edhe se ke shumë për të lexuar, edhe se nuk je shumë i lirë; ankohesh edhe për të njohur mundësinë e jetës në Mars edhe se s’mund të rrish gjithë natën në pab, pasi të fillon mësimi në orën 8.

Eh, si ndryshojnë kohërat! Liria për mua dikur ishte të dashuroja një princ dhe të martohesha me të. Madje s’më hiqet nga mendja akoma skulptura monumentale e një femre e cila në sheshin e Republikës në Paris, simbolizonte Lirinë me pishtar në dorë. Them të martohesha me të pasi aty, brenda këtij bashkimi femër-mashkull ishte tingëllima e akordit konsonat, ishte lumturia, ishte jeta, ishte dhe liria, paçka se asnjerën nga këto nuk shijova për më shumë se dy javë, apo pak muaj në një hark të gjatë vitesh. Për ty nuk gjendet liria as në të dashuruarit me disa femra, të martuarit me disa gra apo krijimit të disa barqeve. Të paktën edhe pse nuk i ke provuar ti këto, unë nga goja e shokëve të tu i kam dëgjuar.

Dikur kur fillonim punë e quanim vehten të zënë jo të lirë, kurse ti sot thua shpesh se po të filloj punë do të jem edhe më i lirë. “Liria – thua ti nga librat – është kushti në të cilin një individ vendos i lirë, mendon i lirë dhe shprehet i lirë, sipas vullnetit dhe zgjedhjes së tij. Në fakt ti mund të vendosësh ca gjëra, mund të mendosh ca të tjera, mund edhe të shprehesh lirshëm, por ty të mungon vullneti dhe kjo nuk është gjë e vogël që ke humbur rrugës. Ne dikur me vullnet kemi bërë gjëra që ti nuk i imagjinon dot! Me vullnet dhe pasion. Ndërsa ti tallesh sot me mua pikësht për atë pasionin dhe vullnetin tim për “punë koti”, siç thua. “Para, para, – thua ti, – s’ka më idealizma sot”. Por, sesi bëhen paratë aq shumë sa i do ti, unë ende nuk e kam kuptuar!  Sigurisht e di që janë hapur, apo janë mësuar shumë profesione të reja, si sekser, shitës droge, kambist, apo politikan, por unë nuk e kuptoj dhe nuk arrij ta shoh veten aty. E më pas më thua se do ishe krenar për mua nëse unë do të bëhesha më “trendy”, siç thua ti. Po, një gjë është bërë drejtë, por edhe atë e sollën përpjektjet e mija. Atë që ti mund të shkosh çdo të dielë në kishë apo çdo të premte në xhami. Të falesh e të lutesh, për t’i kërkuar Zotit nuk e di se çfarë, por këtu je dhe ndjehesh i lirë ama. Të them të drejtën unë tallem së brendëshmi me këto që bën ti, se jam e bindur në budallallëkun e ideve të besimit tënd, por megjithatë mendoj se edhe pse s’ka asgjë të mirë, në të njejtën kohë s’ka edhe asgjë të keqe. Aq më tepër kur kjo liri si dhe liria e shtypit është pa hesap, madje ndonjëherë edhe me ndonjë përfitim ekonomik, siç thua ti. Them kështu, ndoshta, sepse dikur nuk dinim shumë gjëra, madje edhe ligjet që ishin dikur ishin jo kaq të shumta sa sot. “Pak e saktë” – na thoshin. Këto janë ligjet e popullit, por zbatoheshin ama. Po të mos i zbatoje të ikte koka dhe familja në fshat. Sot ka shumë më tepër ligje, por pikërisht se janë shumë më tepër njerëzit nuk i mësojnë dot të gjitha përmendësh për ti zbatuar. Duket sikur ato i dinë vetëm avoketërit për të rrjepur klientët e tyre. Nuk e di ta them se kur ishim më të lirë; dikur me pak ligje apo sot me dhjetëfishin e tyre, dhe kur ishim më së sigurt dikur pa avokat apo sot me ta. Dhe për më tepër nuk di të them edhe se cilët ishin ligjet e mira dhe cilët janë të këqijat. Kështu mendoj për vete dhe për ty, por kur vjen puna të mendoj për ne të gjithë, çështja është edhe më e koklavitur. Kur imagjinoj të gjithë dikur, më shfaqet një vizion i tillë: me dhjetra mijëra kukulla që drejtoheshin në rresht nga një dorë e vetme, kurse sot me miljarda kukulla edhe më të vogla që drejtohen nga duar të ndryshme. Nuk di se cilat jemi apo ishin më të lirë: Ne apo ju! Mos nuk është kjo liria e vërtetë që kërkojmë?

/Dr. E. Ç./

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...