La Traviata në Pallatin e Kongreseve

“La Traviata” kjo kryevepër verdiane, ndoshta më e ekzekutuara nga të gjitha simotrat në teatrot e botës u rivu në skenë edhe në vendin tonë disa ditë më parë. Munda të shoh vetëm natën e fundit në Pallatin e Kongreseve me protagonistë: VioletaValery – Nina Muho, Alfredo Germont – Nestor Losan, Giorgio Germont – Matic Dragutin, Baroni Douphol – Aurel Thëllimi Flora Bervoix – Shpresa Beka, Annina – Ina Gaqi. Besaj se netët e shkuara mund të ketë qenë edhe më mirë por le të ndalem në disa çështje të kësaj shfaqjeje.

Jemi në kohën e reklamës ku dhe bluzat i veshim për të thënë diçka dhe jo vetëm si veshje, por reklamat televizive përpara shfaqjes së operas më duken të papranueshme. Publiku vjen dhe ndërkohë që zë vendet fillon të hyjë në botën e përjetimit artistik aq të domosdoshëm për të përcjellë një opera. Dikur publiku aristokrat, ndoshta niste bisedat e pshprimat përpara operave por, me siguri ne e kemi kaluar atë fazë. A nuk do të ishte më mirë një fletushkë ku të ishte dhe subjekti i operas, sado e njohur ajo? A nuk do të ishte më mirë të paraqiteshin të gjithë pjesamrrësit e solistëve e së bashku me këtë informacion të bëhej dhe ndonjë reklamë në heshtje? Reklamat me zë të lartë nuk i shkojnë një publiku të kulturuar siç dhe duam të kurojmë.

Skena e parë dukej e mrekullueshme, me efekte të gjetura dhe kreative në ekranin e madh, me skenografi interesante minimaliste e të domosdoshme dhe me një gjetje. Uvertura e mrekullueshme e Verdit shoqërohet me një balet. Ajo nuk është vërtet vetëm një hyrje por një përmbledhje e të gjithë veprës. Enada dhe Gerti tregojnë me këtë rast gjithë ngjarjen dhe idenë e saj brenda këtij kërcimi. Por, nëse uvertura e Verdit fillon me nota të pikëlluara, gjuha koreografike e çiftit të njohur flet më tepër për dashurinë. Eshtë një ndryshim, një përplasje, një disonancë e vogël për një publik të pamësuar por e  shurdhët, e rëndë, e papranueshme për një publik të ndjeshëm dhe të mësuar. Ndoshta koreografi nuk e ka kuptuar këtë, po udhëheqësi artistik nuk ja ka shpjeguar?

Violeta mbi krevat. Një violetë e re. “E freskët dhe e sigurt” tha një shikues ngjitur meje në italisht. Kishte të drejtë. Sopranoja Nina Muho ishte ngjitur për herë të parë në atë skenë, pasi ishte sëmurë solistja që ishte përcaktuar. “Ajo luftoi sonte për jetë a vdekje dhe fitoi” tha pas shfaqjes dirigjenti ynë i madh Ermir Krantja, i cili i bën nder Teatrit tonë sa herë që vjen të mbajë baketin. E ndoqa me vëmendje gjithë performancën e Ninës. Ajo pikturoi një violetë të vërtetë, të besueshme, e madje shumë ekspresive. Trajtoi çdo moment të operës me një forcë talenti që ngjallte admirim. E gjatë, e bukur, e hijshme, me timbër të bukur dhe zë potent, me dipazon të mjaftueshëm, një Violetë e vërtetë dhe kur mendon se ishte debutimi i saj i parë në skenën e një opere, ndoshta pas disa viteve kur kishte debutuar në skenën e shkollës, në klasën e operës, duhet thënë: Po ku ka qenë kjo vajzë këto vite? Si nuk e kanë provuar një herë më parë. Si e kanë lënë të papunë? Si ka mundësi që disa këngëtare, apo “llafazane” që nuk bëjnë as për në korr paguhen si soliste dhe disa të tjera shumë më të mira janë pa punë? Dhe e di që nuk është kjo e vetmja!

Alfredo, një timbër jo shumë i këndshëm, me zë të vogël. Nuk e di ku i gjejmë këta këngëtarë për pesë lekë, ndërkohë që kemi kaq të rinj që po na ikin jashtë se nuk u japin role të këndojnë në opera. Sistemi duket se jo vetëm nuk funksionon por prodhon atë që nuk duhet.

E kuptoj kalova nga tema, por mendimet rrjedhin natyrshëm dhe pasioni të rrëmben pa pasur mundësi të ndalesh.

Pikërisht personazhi kryesor – Violeta hap perden në krevat dhe përfundon në po atë krevat. Kjo është ngjarja e Dumasë. Kështu e imagjinoi edhe Verdi. Por ka këtu një ndryshim të vogël. Nëse për Dumanë (Alexandre Dumas – i biri) Violeta, apo Margarita në romanin “Zonja me Kamelia” ishte një kurtizane pariziene Verdi nuk mendoj se e ka trajtuar si të tillë apo nuk ka theksuar asgjë që kishte të bënte me prostitutën. Krevati në mes të skenës jo vetëm tregon varfëri por nuk është në thelbin e operës së Verdit, apo bën pis pikërisht atë që Verdi hyjnizoi me muzikën e tij për të krijuar një vepër sa të moralshme aq mahnitëse. E kuruar në çdo ind si një pikturë e gjallë e Rafaelos apo Mikelanxhelos. Në Pallatin e Kongreseve dukes sikur ai krevat i mëkatit ishte qendra e të gjithë dramës operitike verdiane. Traviata e Verdit është një opera që hyn në veprat me temë shoqërore dhe Violeta është roli kryesor i cili vishet nga autori me ndjenja e cilësi pozitive pavarësisht kushteve të jetës. E më e paparanueshme ishte se mbi atë krevat apo rreth tij zhvillohet e gjithë ngjarja. Aty luhet poker, aty këngëtarët hipin për tu dukur më mirë madje në fund pamë se në atë krevat ishin futur dhe dy Violeta: njera në ëndërrimin e Violetës, që kërcente me të dashurin e saj dhe një e vërtetë që nuk lëvizte e sëmurë. Mendoj se kjo përbënte një zgjidhje diletante. A nuk do të ishte më mirë të mësonim nga vëniet në skenë të teatove të mëdha e jo të bëjmë eksperimente të tilla e të shëmtuara?

Nuk e kuptoj pse nuk pyesni atë që e ka kënduar me dhjetra herë këtë opera në mbarë botën e që jeton pikërisht në Tiranë – Inva Mulën. Përse ajo nuk afrohet me Teatrin tonë të Operës? Mbetet gjithashtu e pakuptueshme se përse disa eksponentë të kulturuar e me eksperiencë të regjisë operistike mbeten në hije, nuk pyeten apo bëjnë vetëm rolin e ndihmësit.

Megjithatë Traviata e këtij viti ishte një sukses. Jemi vend i vogël, i varfër i pamësuar të menaxhojmë risorset dhe përgjithësisht pa kulturë. Kjo duket që në përtacinë e publikut për të duartrokitur. “Shumë zhurmë për pako gjë” – tha dikush pas shfaqjes dhe ndoshta jam me një mendje.

As nuk mendohet se pas shfaqjeve trupa e operës mund dhe duhet të bëjë ndonjë diskutim ku të dëgjohen mendimet e cilitdo: Siç duket kjo duket komuniste sot.

Nestor Kraja

Kompozitor

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...