Kultura e tenxheres me presion

Seria "Jeta lakuriq"Nga Seria “Jeta lakuriq”

Ndonjëherë më duket sikur jemi ende në kohën e xhaxhit.

Të krijohet ideja se jetojmë në një botë iluzore e opake pa mundur të dallojmë se çfarë ndodh rreth nesh.

Le t’i hedhim një vështrim të shpejtë zhvillimeve tona muzikore. Pas një shekulli të pasur me teknika, forma e shprehje të reja muzikore evropiane, ne vazhdojmë të luajmë ende “vallen me dajre”, ndërkohë që vëllezërit tanë në Kosovë, aktualisht organizojnë koncerte madhështore të muzikës bashkëkohore dhe ekzekutojnë premiera të tilla si për shembull: vepra vokalo instrumentale “In A” e kompozitorit Rafet Rudi; i riu Kreshnik Aliçkaj fiton Çmimin e parë në konkursin “Artistes en Herbe”, në Luksemburg; së afërmi do të organizohet edicioni 12 i Festivalit Ndërkombëtar, shumë interesant, DAM etj. Ku i gjen në Shqipëri këto aktivitete të këtij formati dhe tëkëtij niveli apo fryme bashkëkohore? Edhe në një nga Festivalet më të suksesshëm si ai “Different trains”, që në fakt duhej të kishte edhe një emër shqip, përgjithësisht nuk luhet muzikë shqiptare. Ne vazhdojmë, në krijimtari, të mburremi duke hedhur “valle me dajre”.Mendoj se ankorimi i dëshpëruar vetëm tek veprat e sprovuara të së shkuarës na ka çuar në një ritual ripërtypës. A nuk është kultura muzikore një proces komunikues shumëplanësh? A duhet të flasim për një kulturë muzeale në zhvillimet tona muzikore?

Ku t’i kërkoj në Shqipëri kontaktet kulturore me botën?  Në kontaktet që kanë artistët dhe pedagogët tanë me kolegët e tyre në universitetet evriopiane? Në hulumtimet që bëjnë andej këndej? Në repertorin dhe partiturat që përdorim? Mburremi me rivëniene operës Traviata dhe me O sole mio, me mohimin e vlerave të reja të kohës dhe përtypim atë që mësuam në kohën e xhaxhit? A nuk punojnë të gjithë, studentë e pedagogë, me partitura të fotokopjuara? Pse, si në Evropë është kjo?Në librarinë e Universiteti Nacional të Muzikës në Bukuresht, për shembull, të gjitha partiturat janëtë edicionit “Peters” dhe nuk lejohen fotokopjet. Në fakt,kontaktet me botën kanë “ngrirë” vetëm në përdorimin e disa fjalëve anglisht për të treguar se jemi me kulturë dhe, siç i them unë,  të “trenduar”.

Na rroftë që kemi instrumentistë të mirë, por që rrallë kanë referenca me muzikën e sotme dhe aq më paktë jemi të zot të projektojmë aktivitete me repertor të kohës.Edhe Orkestra e RTSH-së luan akoma vepra të shkruara në kohën e xhaxhit.Tenxherja me presion zien vetëm repertor klasiko-romantik e rrallë ndonjë Debussy a Prokofiev.Idetë e ngurtësuara, se bravura instrumentale gjendet vetëm në këtë repertor dhe jo në atë bashkëkohor janë rrënjosur edhe tek instrumentistët shumë të mirë. Mund të flasim këtu për mendje të hapura apo për kapak të mbyllur!?

Festivale si “Vjeshta e Tiranës” apo “Ditët e Muzikës së Re” kanë mbetur vegime të largëta. Nëse do të gjesh diçka për të promovuar nga muzika jonë duhet të vështrosh e të kërkosh jashtë vendit për të gjetur ndonjë bashkëpatriot të zotin e të mënçur që ka bërë udhë,ndër të cilët do të veçoja Thoma Simakun. Duket sikur jemi përsëri në tenxhere me presion. Bluajmë forma të ndryshme të injorancës sonë dhe shtypim më të mirin pasi: – Pse, çfarë ka ai më shumë se unë? Hapësirat për muzikën e re janë aq sa është tenxherja.

Sigurisht ka edhe personalitete të apdeituar. Ka dhe do të ketë, por sa ndihmohen ata nga politikat kulturore të vendit? Mos deformohen gradualisht nga trysnia e tenxheres?

Të paktën duhet të pohojmë, se tek të rinjtë po vendoset mentaliteti i konkursit, i lëvizjes, i kontaktit dhe bashkëpunimit. Kontaktet me programet Erasmus, apo të tjera përpara këtij, kanë çuar disa studentë të shkëlqyer në mbarë botën, por rikthimi në atdhe a do t’i rreshtojë ata në tenxhere?A nuk ndihet mungesa e projeksioneve drejt shtigjeve më pjellore dhe a nuk është e ndërvarur kjo nga politikat kulturore të vendit? Kështu pra, a nuk jemi akoma te koha e xhaxhit që rreshtoi gradualisht, me hir e me pahir, të gjithë artistët tanë të kthyer nga studimet në “vendet e demokracisë”?

A nuk jemi akoma në kohën e tij?

Nestor Kraja

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...