Finale e Kamerfestit 2019

Finale brohoritëse mund të quhet nata përmbyllëse e Festivalit Kamerfest 2019, në Prishtinë, që ishte dhe përvjetori i XX i këtij Festivali të organizuar nga Sihana Badivuku.

Njëzet vite më parë nisi thjesht, me pasionin për të ndezur një qiri, që mund të ngushëllonte hallet e Kosovës së rrënuar nga lufta, sot një Festival me emër në Evropë që ka mbledhur me qindra artistë të shquar, duke pasuruar shpirtin dhe krenarinë e publikut kosovar.

Natën e mbrëmshme, midis mijëra elementëve pak, apo më shumë të rëndësishëm, pati dhe dy tri fakte goditëse, të cilët ja vlejnë të komentohen e të analizohen.

Së pari ishte ekzekuztimi i mrekullueshëm i suitës së Baletit “Zogu i zjarrtë” i Igor Stravinskit nga Orkestra Simfonike e Prishtinës. Pavarësisht faktit se kjo vepër nuk ishte e panjohur nga kolektivi i orkestrës, në këtë mbrëmja pati tingëllime unike, kolorite të besueshme të pejsazhit artistik të Stravinskit, temporitëm ekzakt si dhe emocion e teknikë për tu lavdëruar. Fatkeqësisht nuk i kam dëgjuar asnjëherë kështu, sidomos sektorin e tunxhit dhe të frymës më bukur se në këtë koncert. Suita e baletit “Zogu i zjarrtë” i Stravinskit është nga tablotë shumëngjyrëshe dhe mjaft delikate e një stili krejt individual të fillimit të shekullit. Ajo shquhet njëherësh për copëzimin tematik dhe orkestral aq sa dhe për unitetin e saj. Subjekti bazohet në bëmat e Zogut me pendë magjike, të cilat shkëlqejnë dhe ofrojnë bukuri dhe mbrojtje. Pikërisht për këtë quhet dhe “Zogu i zjarrtë”. Princi Ivan kap zogun që po hante mollë të arta. Zogu i ofron një pendë magjike dhe ai e lëshon. Princi shikon 13 princesha dhe vendos ti shpëtojë ato nga Kashei i pavdekshëm edhe për arsyen se bie në dashuri me njerën prej tyre.  Princi arrin ti shpëtojë princeshat dhe të martohet me të dashurën e tij në sajë të pendës magjike të Zohut.

Erdha me paramendimin se barra e madhe e “Zogut të zjarrtë” do të shkërmoqte orkestrën por ky paragjylim u shkërmoq që në notat e masave të para. Sigurisht ishte dhe meritë e dirigjentit të ri amerikan Gregory Charette, i cili çuditërisht nuk la këtë përshtypje në dy veprat e para, por siç duket, i porerë për Stravinskin arriti të tërheqë e organizojë gjithë orkestrantët në një lojë sa unike aq dhe emocionante. Mendoj se ky koncert ka vënë një standart të shquar në ekzekutimet e këtij formacioni, që tashmë i plotësuar, po operon mbi bazën e një fryme të mirë bashkëpunimi artistik.

Fakti i dytë ishte plotësisht i pazakonshëm. Në sallë erdhi kryeministri i zgjedhur i Kosovës, zoti Albin Kurti, ashtu thjesht, pa roje, pa bujë, pa shoqërues. Madje në pushimin e koncertit e vura re se bisedonte me një nga muzikantët më të kulturuar të Prishtinës. Ndoshta, mendova, e ka vizionin të largët dhe di se si të dëgjojë specialistët dhe çështë më kryesorja, njeh vlerën e artit dhe kulturës. Pas koncertit uroi artistët me modesti dhe me atë konfidencë të cilën nuk e kam njohur në Shqipëri.

Pikërisht koncepti mbi vlerën e artit dhe kulturës na ka lënë prapa. Kërkojmë të rrisim ekonominë po frymëzuar njerëzit, pa i kthyer ata në qënie të ndjeshme e kreative që ndjekin me pasion ëndrën e bukur dhe fisnike.

Fakti i tretë ishte një vepër e shkurtër por mjaft e mirë e Valton Beqirit, ekzekutuar në violinë nga Sihana Badivuku dhe në violë nga Blerim Grubi e cila la përshtypje të thella dhe u duartrokit gjatë. Ishte një aliaxh i teknikave harkore me ato kompozicionale bashkohore, brenda një komunikimi të sinqertë me publikun e mbi një folklor të esencializuar. Pikërisht bravura e veprës dukej se kishte frymëzuar dhe instrumentistët në një lojë organike e të harmonishme në nivelin e emrit të tyre.

Sikur vetëm kaq do të mjaftonte për mbylljen e një Festivali si ai i Kamerfestit.

Megjithatë kishte diçka dëshpëruese: Trajektorja e zhvillimit muzikor në Prishtinë (e cila duhet shtrirë në gjithë Kosovën) po i kalon nivelet e zhvillimeve të muzikën në Shqipëri edhe pse dikur raporti ishte ndryshe.

Nestor Kraja

 

 

 

 

 

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...