Hamide Stringa
Hamide Stringa, këngëtare, pedagoge, historiane dhe kritike e muzikës lindi në vitin 1932 në qytetin e Elbasanit. Ajo vjen nga një familje e madhe elbasanase, me një baba të shkolluar në Akademinë Ushtarake të Stambollit. Hamide Stringa njihet edhe si pjesmarrëse në dhjetë pedagogët e parë të Konservatorit Shtetëror të Tiranës, për çeljen e të cilit punoi paraprakisht së bashku me kolegë të tjerë muzikantë, përfshi drejtorin e ardhshëm të këtij Konservatori, muzikologun Albert Papariston. Ky grup muzikantësh i ngritur pranë Ministrisë së Arsimit të kohës, nën drejtimin e kompozitorit Nikolla Zoraqi, u bënë prjektuesit e shkollës së parë të lartë muzikore në Shqipëri. Si pedagoge themeluese e lëndëve të Historisë së Muzikës shqiptare e botërore, H. Stringa drejtoi dhe ishte bashkëautore e teksteve të historisë së muzikës botërore I-IV, bashkëautore e teksteve të historisë së muzikës shqiptare. Eshtë autore e shumë artikujve teorik dhe kritik mbi muzikën si edhe e dis botimeve monografike: Historia e Muzikës Botërore (v. I-IV), Lola Gjoka dhe Jorgjia Truja.
Jeta dhe veprimtaria
Prof. Hamide Stringa që në moshë të vogël spikati për aftësitë në këndim dhe për veshin perfekt. Ajo ishte një vajzë guximtare, e cila i doli përpara jetës me kurajo e me vullnet për të kapërcyer çdo vështirësi. Hamide Stringa lindi në qytetin e Elbasanit në vitin 1932, kreu studimet e mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja” nën drejtimin e Jorgjia Trujës dhe më pas vazhdoj studimet e larta në Konservatorin “Cajkovski” në Moskë për kanto, ku këndoi në disa opera si Dasma e Figaros (në rolin e Suzanës), Vajza prej dëbore etj. Nga viti 1956-1962 punoi pranë TOB dhe me themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës më 1962, filloi të punojë si pedagoge e historisë së muzikës, më vonë edhe kantos dhe muzikës së dhomës. Disa vite mbajti aty edhe detyrën e shefes së katedrës. Që pej kësaj kohe nisi të shfaqet në shtypin letrar dhe artistik, më pas edhe në emisione të RTSH, për problematikat e muzikës shqiptare dhe botërore.
Konsolidimi i shkollës së lartë muzikore dhe zhvillimi i ndjeshëm që mori muzika shqiptare pas viteve ’60, krijuan domosdoshmërinë e hartimit të teksteve të historisë së muzikës. Prof. Hamide Stringa ishte një ndër promotoret e kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme. Në fillim të viteve 1980 filloi të punonte si bashkëautore e tekstit të Historisë së Muzikës Shqiptare (dy volume; 1983), ndërsa më vonë ishte kryeredaktore përgjegjëse për katër volume e tekstit të Historisë së Muzikës Botërore (1987) si dhe autore e një lënde voluminoze të tyre. Vite më vonë (2000-2002) botoi katër volume të tekstit të vet integral të Historisë së Muzikës Botërore, me njërin prej të cilit fitoi çmimin e parë si “libri më i mirë studimor i historisë së muzikës në gjuhën shqipe”. Kësaj periudhe i përksin edhe dy botimet e saj monografike për dy artiste të njohura të skenës shqiptare, pianistja Lola Gjokën dhe këngëtarja Jorgjie Truja.
Krahas veprimtarisë pedagogjike dhe studimore, Hamide Stringa ka qenë një figure aktive e jetës muzikor shqiptare, sidomos gjatë periudhës 1962-1973. Në vitin 1962, në Kongresin e Dytë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ajo u zgjodh anëtare e kryesisë në funksionin e Sekretares për Muzikën. Këtë detyrë e mbajti deri në vitin 1973, kur u shkarkua e kritikuar për pikëpamje liberale, në frymën e Plenimut IV famëkeq të PPSH. Kjo ishte shuplaka e parë e rëndë që ajo mori në jetë, e dyta erdhi pak vite më pas me daljen e detyruar në pension të parakohshëm. Por realisht largimi prej radhëve të pedagogëve të punësuar mbeti thjesht formal për Hamide Stringën. Pasioni, këmbëngulja, dashuria për profesionin si dhe vlerësimi i kolegëve, nuk ja ngushtuan hapësirat e veprimit. Ajo mbeti pedagoge e ftuar e Universitetit të Arteve deri në vitin 2012. Në vitin 2015, me kërkesë të Fakultetit të Muzikës, Universiteti i Arteve përcolli propozimin për dekorimin e saj nga Presidenti i Republikës.
Në karrierën e saj të gjatë pedagogjike, Prof. Hamide Stringa, krahas drejtimit me autoritet profesional të kurseve të historisë së muzikës, ka dhënë kontribute të çmuara edhe si pedagoge e studentëve të kantos. Me pasion të admirueshëm dhe me kulturë të vërtetë profesionale, ajo e ka ushtruar këtë detyrë duke përgatitur disa breza këngëtarësh, ndër të cilët disa kanë bërë emër si brenda ashtu dhe jashtë vendit: Manjola Nallbani, Vikena Kamenica, Linda Kazani etj.
Hamide Stringa, kjo grua shtatvogël, por me një botë të madhe shpirtërore, sot buzëqesh dhe me modesti thotë se është e kënaqur nga jeta, pasi gjithëçka e ka arritur falë punës së palodhur. Ajo ende këndon, po aq e intonuar dhe me pasionin që vitet nuk ja kanë rreshtur. Tek e dëgjon të flasë, kur ja njeh jetën dhe karrierën, nuk ka se si të mos mendosh se ajo është një shembull real i gjithë atyre që kërkojnë suksesin. Jeta e saj të bën të reflektosh mbi muzikën dhe muzikantët shqiptarë. Ndonëse një vend i vogël, Shqipëria ka rritur e ushqyer në kopshtin e saj lule të bukura dhe ndër më të bukurat prej tyre është edhe Hamide Stringa.
Përgatiti Matilda Gjika
Personalisht e mbaj mend kur ligjeronte gjithe pasion dhe kompetence. Kur analizonte deri ne detaje operat apo veprat simfonike. Mund ta kujtoj vetem nenkete deciture: E mrekullueshme.