Gaqo Çako në piedestalin e artit lirik shqiptar

Portreti i një artisti është më i plotë kur të dhënave të CV-së faktike të jetës dhe veprimtarisë artistike të tij i shtohen edhe mbresat nga realizimet e tij të gjalla (live) në skenë. Veprimtaria faktike, nganjëherë duket e ftohtë dhe e thatë. Përmes CV-së jo gjithmonë lexuesi, që nuk ka informacion tjetër për kohën, jetën artistike të atëhershme, rrethanat socio-politike përcaktuese për zhvillimet artistike e institucionale të viteve aktive të artistit, mbërrin të krijojë portretin e vërtetë, të ndjejë cilësitë artistike, emocionet që ka krijuar tek publiku, rrugëtimin interpretues dhe personalitetin artistik dhe intelektual të tij. Sidomos për artistë si Gaqo Çako vlerësimi i tipareve që vlerësuam më lart është realisht i pamjaftueshëm, pa mbresat në dimensione shumë më të mëdha që krijonte figura e tij artistike e gjallë

Biografia artistike e tenorit shqiptar Gaqo Çako, lindur në Korçë në vitin 1935, është e pasur për vitet aktive të tij në artin lirik, që nga mësimet e para në klasën e kantos, pranë mjeshtrave Mihal Ciko dhe Jorgjia Truja, në Liceun Artistik. Më pas me studime në Konservatorrin “Çajkovskij” në Moskë me mjeshtren Ana Aleksandrovna Sallavjova. Me vlerë të veçantë ka qenë edhe kursi i perfeksionit pranë Akademisë Romane që drejtohej nga Massimo Bongiakino, drejtor artistik me personalitet në Itali. Në vitin 1961 fillon jetën artistike pranë “Teatrit të Operas dhe Baletit” në Tiranë, deri në vitin 1991, vit kur largohet nga jeta aktive duke vijuar periodikisht veprimtarinë pedagogjike pranë Akademisë së Arteve dhe në vitet në vijim jetën koncertore sporadike në evenimente të rëndësishme muzikore.

Ka realizuar rreth 20 role operistike rreth të cilave : -Pinkertoni, Almaviva, Kavaradosi, Rodolfo, Nadiri, Duka di Mantova, Alfredo, Canio, Turidu etj. Personazh kryesor në veprat shqiptare si Dhimitri, Agroni, Leka, Doda, Memo, Trimoni etj. Shumë i gjerë ka qenë repertori koncertor i artistit Gaqo Çako me gjithë gamën e gjinive muzikore, nga ariet antike, romancat, ariet e veçanta, këngët, këngët popullore e deri tek repertori i muzikës vokalo-orkestrore dhe Simfonia e 9-të e Beethovenit, në ekzekutimin e parë historik në Shqipëri (1970).

Gaqo Çako, si regjisor ka vënë në skenë disa nga operat më të njohura si “Pagliacci”,  “La Boheme”, operat shqiptare “Nëna e trimave “ të Avni Mulës dhe  “Maleve për liri”  të Dhora Lekës (1971).

Gaqo Çako ka përfaqësuar një artist produktiv dhe personifikim të heroit lirik në repertorin operistik. Përkushtimin dhe realizimin me plotësi të figurës artistike përmes asimilimit me profesionalizëm të roleve, vlerave të larta vokale dhe skenike. Përrveç roleve protagoniste, që shpresh kanë përcaktuar arritjet institucionale, Gaqo ka skalitur më së miri edhe gjinitë e vogla. Ai shquhet si artist lirik në shfaqjet skenike dhe mjeshtër i skalitjes së gjinive koncertore, romancave dhe deri tek këngët e skenave festivalore. Katalogu i pasur i regjistrimeve të tij dëshmon realizimet e nivelit më të mirë, jo vetëm për kohën por dhe për vitet në vijim. Shumë prej interpretimeve në të gjithë katalogun janë dhe mbeten arritjet më të mira të artit vokal lirik shqiptar. Përveç interesimit profesional, mbesat nga jeta dhe rruga artistike e Gaqo Çakos janë të hershme dhe në gjithë vijimësinë e saj. Si nxënës i atit tim M. Ciko, që në hapat e para të edukimit vokal Gaqo dhe nxënësit e tjerë të mjeshtrit ishin dhe bij në shtëpi. Vokalizat dhe  ariet antike ushtonin në dhomat e vogla të banesës sonë me kopësht rretheqark. E mbaj mend të veshur me uniformën e Ansamblit të Ushtrisë dhe pas disa vitesh, në kthimin nga Moska, në koncertin e parë tashmë me paraqitjen e një artisti elegant dhe të kompletuar. Aria “Ciello e mar” (opera Giaconda) e Ponchielli-t u bë kartvizita e tij profesionale. Menjëherë Gaqo Çako u bë idhulli i publikut. Kolona e tij zanore me linjën e drejtë të një regjistri deri në një “Do” perfekte shpalosej natyrshëm, sidomos tek Rodolfo i “Bohemës”, ku nëpërmjet një crescendo brenda saj rrënqethte artistë e spektatorë. Alfredo ishte gjithashtu një “kal beteje” që nga paraqitja e parë, në aktin e dytë dhe atë final, pasi veç sigurisë skenike, vokalit të tij lirik nuk i mungonin edhe notat e një dramaticiteti të spikatur. Gaqo Çako ishte bindës, si në rolet tenorile të repertorit të njohur ashtu edhe në ato kombëtare. Spikat roli i “Memo Kovaçit”, roli i titullit të operas madhore të Nikolla Zoraqit, opera që  mund të themi se i dedikohej figurës së Gaqo Çakos. Po kështu romancat koncertore të Limos Dizdarit, si “Fjalët e qiririt”, “Shkriu bora majave” janë modele të interpretimit jo thjesht për kohën por edhe pikëarritje të përhershme. Koha e mbylljes kulturore të vendit, që zuri vitet më aktive dhe të pjekurisë artistike, nuk e favorizoi “Artistin e Popullit”, por ndonëse i mungoi korniza ndërkombëtare, të cilën e justifikonte më parë se kushdo tjetër,  Ai e ka plotësisht të merituar vlerësimin e lartë të kohëve të fundit “Nder i Kombit” në piedestalin e të cilit qëdron tashmë përjetësisht.

Zhani Ciko

“Mjeshtër i Madh”

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...