Nga letra e një miku të mirë

Mesazhet e shumta të japin kënaqësinë që ndonjëherë të marrësh edhe lajme të bukura, lajme që ngrenë krenarinë kombëtare, që të plotësojnë me informacione kulturore, apo ti rifreskojnë ato e së fundi të bëjnë të ndjehesh edhe i respektuar për nivelin e raportit mbi të cilin vendoset dialogu dhe forma e kulturuar e tij.

Kjo të bën përshtypje pikërisht kur jeton, në përgjithësi, në ambjentin tonë, ku dialogu shpesh mbart vese, ku gjuha mbart ashkla, ku sytë nuk të shohin në sy pasi vendin e tyre e ka zënë mburrja, biseda e tërthortë, interesi, apo në varjanti më i shpeshtë  – ironia.

Nuk kam nevojë të krijoj “suspance” dhe po e zbuloj menjëherë që bëhet fjalë për një mesazh që kam marrë nga një prej njerëzve të kultururar të këtij kombi, nga një prej violoinistëve më të shquar të tij dhe sigurisht një prej shqiptarëve më aktivë në jetën kulturore të Spanjës – violinistit Florian Vlashi.

Tani që do të desha ta ngre emocionin e leximit, ndokush do të mendojë me vehte: “Epo sigurisht që Floriani. Ai njihet”. Por ka ndoshta me mijëra që nuk e njohin, që e konsiderojnë një emër, që në rastin e të kuptuarit se jeton dhe punon në Spanjë prej kohësh, duket sikur është nga një planet tjetër dhe në rastin më të mirë në mendje u vijnë fjalët: “E po sigurisht. Sipas vendit dhe kuvendi“. Unë, megjithëse nuk e kam njohur veçse tani vonë Florianin, nuk ruaj asnjë nostalgji të rinisë dhe jashtë ideve ksenocentrike apo etnocentrike për të si personazh. Thjesht e kam vlerësuar atë nga ajo që bën, mënyrën si e bën dhe idetë që përshkon produkti i tij.

Le të jam më konkret: në mesazhin e tij ai, pas një falenderimi fin dhe të sinqertë më tregon për një projekt të Universitetit të Santiagos, i cili ka marrë në dorëzim  arkivën muzikore të “një prej muzikantëve violinistë më të mëdhenj spanjollë: Andres Gaos. Ndër to edhe violinën e tij. Dokumentat flasin për një Amati”. (Mendja fluturon mbi pyetjen se çbën Universiteti ynë) Kjo më kujton kishën e famshme “Santiago di Kampostella” si dhe Universitetin e vjetër dhe prestigjoz. “Viti 2019 është Viti i Gaos dhe violina e tij do të dëgjohet për herë të parë pas 60 vjetësh” – shkruan ai.

Fare thjesht dhe modest, madje pa e shprehur direkt, por duke i rënë tangent Floriani më komunikon se është përzgjedhur pikërisht ai, për të luajtur për herë të parë, pas 60 vjetësh me këtë violinë. E thënë thjesht, mund të duket e zakonshme por nëse mendon pak më thellë kupton se personaliteti i tij në Spanjë si violinist dhe njeri i kulturës është  i padiskutueshëm. Dhe kjo të mbush me krenari dhe admirim për bashkëkombasin që vlerësohet kështu nga një vend me kulturë të spikatur, por menjëherë u ndjeva keq: Më tregoi thjesht, se këtë vit do të organizojë koncertet e “Bienales” së tij të njohur, siç shkruan: “në datat 1 – 7 gusht“, por që nga nënteksti kuptova se ky Festival nuk është mbështetur nga Ministria jonë e Kulturës. Fjalët e tij “Ajo që s’të vret, të bën më të fortë” më vranë. Ai nuk u ankua për këtë por mua më erdhi rëndë për mosrespektin kundrejt një Festivali që ka prurë vazhdimisht ide të reja, profile bashkohore dhe nivele interpretimi nga më të lartat në vend. Madje gjithnjë kam menduar se përse nuk bëhet çdo vit. Por meqë jemi mësuar me “të vrara”, “të prera” apo mosrespekt për artin, artistin dhe vlerën në përgjithësi, përqafova heshtjen.

– Do të të shkruaj më gjatë për temën e këtij viti – tregon ai dhe sigurisht pas memories së freskët të kuartetit të Oliver Mesianit “Quatuor pour la fin du temps” të ekzekutuar mrekullisht dy vite më parë në Festivalin e tij dhe idesë së shkëlqyer të këtij aktiviteti elitar fillova të mendoja për atë që do të mësoja këtë vit.

Kështu nga letra e një miku mund të marrësh disa informacione që të mbushin me kënaqësi, por që edhe të tregojnë lëngatën e vendit tënd, injorancën, dëshpërimin dhe çmotivimin për të shijuar bukuritë e kësaj bote këtu.

Nestor Kraja

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...