FEIM IBRAHIMI – Misionari i muzikës moderne në Shqipëri

(Me rastin e 85-vjetorit të Lindjes)

Para pak ditësh, kompozitori i shquar shqiptar Feim Ibrahimi, mbushi 85 vite nga lindja e tij dhe në këtë përvjetor mendimi shkon natyrshëm në fokusimin e arritjeve që autori i dha kulturës së vendit dhe sidomos trajektores që ai i dha muzikës sonë, e cila përjetoi një zhvillim të vrullshëm të saj brenda kontureve të politikës së kohës. Në këtë optikë Historia e Muzikës sonë relativisht të re konfirmon se:

“Feim Ibrahimi ishte misionari i muzikës moderne në Shqipëri”[1]. Që në nisëm të rrugëtimit të tij krijues tronditi botën e vogël muzikore të kohës me 2 Koncertet për piano. Ndërkohë u dha impuls dhe u nxiti fantazinë e dëshirën për njohuri të reja bashkohore kompozitorëve të brezave të ndryshëm. Kjo goditje, shtytje, nxitje, shembull i përparuar, le ta quajmë si të duam ndodhi disa herë. Me koncertin për oboe, me suitën për flaut solo, me Poemën “Tan Shqipnia asht betue“, me Trion “Vikamë“, Simfoninë për orkestër harqesh, me Baletin “Gjergj Elez Alia“, me Simfoninë tragjike apo me shumë romanca e miniatura. Pas viti 90′ ishte i pari që aplikoi muzikën elektroakustike dhe vuri përsëri një piketë standarti me “De profondus“. Mendoj se ai ka mbetur dhe do të mbetet për shumë kohë shembulli më i mirë edhe për kompozitorët e rinj të muzikës sonë.

Nëse do të përpiqemi të pasqyrojmë digramën historike të gjinive tona muzikore do të vërejmë se emri i tij qëndron në shembujt më të shquar e më të arritur të llojit. Le të përmendim: Koncertet, Baletin, Simfoninë e Muzikën e dhomës, Gjinitë e vogla e të mëdha vokale, etj.

          Bashkëjetesa me kohën nuk e pengoi të bëhej guidë e proceseve teknike të muzikës sonë për ta revolucionarizuar atë, për ta afruar me teknikat më të avancuara të shekullit. Kështu ndoqi neoklasicizmin në koncertet për piano, ndoqi serializmin në suitën për Flaut solo, për të gjetur rrugën e tij me veprat e mëvonshme deri në Simfoninë tragjike, një vepër e arritjeve më domethënëse të stilit të tij të pjekurisë. Nuk ishte një rrugëtim i thjeshtë, ishte plot pengesa, forma të stërholluara për të mos u denigruar nga injoranca që e rrethonte apo nga vetë ideologjia vigjilente, por ishte një rrugëtim i lavdishëm që është projektuar me vizion për nga e ardhmja e cila do ta konsiderojë gjatë si shembëlltyrën e pikarritjes së vet.

Në këtë përvjetor, mendoj se rikujtimi i figurës dhe veprës së tij i bën nder vetë kulturës në tërësi dhe vetë Historisë së Muzikës sonë Shqiptare.

 

Nestor Kraja

[1] Sipas analaizës së dirigjentit dhe kompozitorit Rafet Rudi

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...