Çdo vit pas provimeve

I nxitur nga provimet e përvitshme të studentëve të mij, përjetoj në çdo stinë provimesh pothuajse të njejtat shqetësime. Për ti pozuar ato me pak fjalë mund të them se vërej se çdo vit që kalon thellohet niveli i përgjithshëm i tyre në këta tregues: Së pari, studentët paraqesin një informacion, apo njohuri, apo fakte gjithnjë e më të pakta mbi disiplinat në përgjithësi e sigurisht, më tepër mbi Historinë e Muzikës që studiojnë nën drejtimin tim. Kjo tregon se kontakti me lëndën në shkollat e mesme është në rastin më të mirë shumë i reduktuar.  Së dyti, ata paraqesin një nivel gjithnjë e më të ulët të forcës përgjithësuese mbi faktet që mësojnë, pra logjikë përpunuese gjithnjë e më të ulët. Kjo tregon se shkollimi i tyre i deritanishëm mbështetet kryesisht në informacion e jo mbi përpunimin e tij. Së treti, nuk njohin një metodologji të drejtë studimi dhe shprehin gjithnjë e më tepër dobësi në vullnetin e tyre për të studiuar. Dhe kjo e fundit tregon se  rrugëtimi gradual drejt kalitjes së durimit, vullnetit, të çuarit deri në fund të çështejeve apo puna këmbëngulëse si elementë i ndikimit nga kurrikula dhe edukata shoqërore në shkollë janë zëvëndësuar me rrëshqitjen e informacionit (siç rrëshqasim mbi instagram),  janë shkëmbyer me divulgacionin, me antivlerën që jepet me “humor”. Pra, inteligjenca zhvillohet vetëm në shinat e manovrës, të anashkalimit apo gënjeshtrës. Nuk është e rastit që çdo vit ka gjithnjë e më shumë studentë që kapen me kopje dhe kjo është kthyer në fenomen mbi të cilin ata mbështesin shpresat e tyre në marrjen e lëndës.

Sigurisht, e kuptoj që studentët që pranohen në Universitetin tonë janë të kategorisë së fundit të brezit të gjimnazistëve (mesatarja e pranimit eshte nota 6). P. sh ata të mjeksisë, ose ekonomikut, inxhineritë, janë krejtësisht tjetër, por në fund të fundit janë një brez që do të përcjellin artin në të ardhmen, i cili nuk mund të jetë vetëm pasion, por dhe logjikë, nuk mund të jetë vetëm dëfrim, por dhe arsye intriguese, nuk mund të jetë vetëm shprehje spontane, por kryesisht ekujlibër logjik, inteligjencë përgjithësimi e madje inteligjencë e lartë e rimodelimit artistik të jetës dhe shoqërisë.

Me sa kuptoj mentaliteti i tyre rrotullohet e përpiqet të gjejë gjithnjë e më shumë rrugë alternative e të pamundimshme për t’ju përgjigjur detyrave që u vendosen përpara, të gjejnë alternativa gjithnjë e më pak të “lodhshme” dhe të “shijojnë” jetën në qetësi e limonti. Shqetësimi i tyre ndoshta është përqëndruar në paraqitjen e jashtme, në pozat që do të marrin në bisedat e gjata në kafe, në suksesin sipërfaqësor në relacion me shokët apo shoqet, si dhe në të dukurit e jashtëm e jo në sinqeritet me vehten.

Të lexosh shumicën e detyrave të provimit, së pari duhet një intuitë e fortë dhe eksperiencë të deshifrosh kuptimin e asaj që është shkruar. Niveli i shkrimit në shqip është një tregues kuptimplotë i nivelit të disa treguesve të tyre. Së dyti, fjalitë e shkurtra, për të paraqitur një lëndë të historisë së artit muzikor përmbjanë mendime të cunguara, jashtë çdo figuracioni artistik dhe jashtë çdo kuptimi substancial të temës së trajtuar. Duket se në njohuritë e tyre mbeten vetëm informacionet që lidhen me botëkuptimin e tyre aktual pa pasur asnjë vlerësim mbi fenomenet apo faktet historike. Për ta komentuar më konkretisht mund të përmend se  fiksojnë shumë më tepër faktin e homoseksualitetit të Çajkovskit, se sa veprat apo internacionalizmin e muzikës së tij. Vlerësojnë shumë më tepër  sa herë u martua Bahu dhe sa fëmijë pati dhe jo karakteristikat e muzikës së tij të mrekullueshme dhe thelbin e vlerës së tij historike.

Sigurisht një arsye e fortë është demotivimi i tyre, që vjen si rezultat i mungesës së fronteve të punës, por dhe si rezultat i mosvlerësimit real dhe të barabartë që u bëhet. Eshtë kthyer në klimë të detyrueshme gjetja e një “miku” për të hyrë në shkollë, gjetja e një “miku” për të marrë disa provime dhe së fundit gjetja e “mikut të madh”, që edhe më shpesh është partia në fuqi që të gjejnë një vend pune. Por ka raste edhe më të imta kur një koleg i tyre “me mbështetje” shkon jashtë vendit për të studiuar me programin Erasmus edhe kur është i dobët dhe kthehet me notën 5. Në këtë rast ata kuptojnë se shkopat në rrotat e rrugëtimit të tyre janë kthyer në sistem dhe se duhet të kenë pa tjetër një apo disa “mbështetës” për të ecur përpara. Kjo vetëdije dhe ndërgjegje e shthurur shoqërore e realitetit i ndrydh ata dhe i bën të mendojnë shumë më tepër për manovrën se sa për bravurën e tyre, shumë më tepër për intrigën rrugëçarëse se sa për punën e drejtë e të ndershme.

Për tu rikthyer në ndjesinë që sugjerojnë çdo vit e më me forcë provimet duhet të theksoj se vërehen fenomene të çuditshme me të cilat nuk merret askush. P. sh. niveli i vitit të parë dhe të dytë u paraqit këtë vit më mirë se ai i vitit të tretë. Përse? Mundet që kanë rastisur të tillë, por mundet që të jetë rezultat i një ndryshimi në sistemin arsimor që ka kaluar, apo i një ndryshimi të mësuesve të tyre në shkollën e mesme. Mund të ketë ndikuar fluksi i ndryshueshëm i “të ikurve jashtë vendit” për studime. A duhet të merret ndokush, apo ndonjë institucion me këtë analizë? A nuk duhet të shqetësohet shoqëria për të kuptuar fenomenet që përshkon? Për të mos e fryrë shkrimin me pyetje të tjera që mund të gjenerohen nga vetë lexuesi është e rëndësishme të theksojmë edhe një fakt tjetër.

Ka shumë vite që shkollat e Mesme të muzikës në gjithë vendin nuk kanë tekste adeguate për të gjitha lëndët. Ato zhvillohen “ad libitum” nga mësues të niveleve të ndryshme të cilët në rastet më të mira shfrytëzojnë “shënimet” e leksioneve të kohës së tyre si informacion për nxënësit. Askush nuk mendon për përgatitjen e teksteve të tyre pasi ato nuk janë objekt fitimi për shtëpitë botuese e aq më pak për Ministrinë e Arsimit. (Aty ska se çfarë të fitohet). Ato shiten me pakicë dhe askush nuk merr mundimin ti hartojë, ti shtypë e ti shpërndajë. Por mendoj se ky është një faktor përcaktues i ruajtjes së nivelit arsimor në këto shkolla. Tekstet e vjetra janë jashtë përdorimit jo vetëm se u është zverdhur letra, por dhe se u është zverdhur lënda që përmbajnë. Ideja e mbivlerësimit të përkushtimit vetëm në instrumentin bazë (violinë, piano, violonçel, etj) është sa e gabuar aq dhe e një kohe të shkuar. Sot instrumentisti i mirë është ai që di të mendojë dhe të rikrijojë figurat artistike mbi bazën e kulturës së të gjitha periudhave historike e njohurive që gjeneruan ato.

Gjithmonë është folur mbi domosdoshmërinë e një lloj varësie apo komunikimi profesional të Fakultetit të Muzikës me këto shkolla si raportet e prodhuesit me qëndrën përpunuese. Asnjë hap përpara! Programet e shkollave të mesme i hartojnë njerëz të pavarur, mbi informacione të pavarura dhe të pavarur nga proceset e zhvillimet e botës së qytetëruar. Madje dhe shkollat e Muzikës lëkunden në spangon e pavarësisë që u ka lënë Ministria dhe mburren vetëm me ndonjë talent natyral. Por kush mendon që ta zhvillojë atë talent dhe gjithë të tjerët? Kush mendon për edukimin e informimin e saktë. Kush mendon për edukimin?

Nëse këto rradhë do të imagjinoheshin në formë sonate, ky moment do të ishte kulminacioni përpara reprizës. Sigurisht, të gjitha përmblidhen me atë që quajmë thjesht edukim. Fjala, procesi më i nënçmuar në ditët tona. Njehsuar me diktatin dhe antipod i lirisë. Elementi më i trazuar e i nëpërkëmbur, ndërkohë që e gjithë bota e mban në qendër të podiumit të shkollimit. Ai nuk është libër, nuk është materie por vjen tek ne si frymë, erë e ngrohtë e mardhënies njerëzore, rregull, disiplinë, vullnet, humanizëm, qasje e mençur, takt e të gjitha me rradhë. Nëse do ti mbledhnim bashkë të gjitha këto e të tjera, a nuk do të jenë shumë më tepër se realiteti i egër që përjetojmë?

Një aspekt i rëndësishëm i edukimit është media: Emisionet zakonisht ç’edukative, pa nivel, pa kulturë, lajmet mbi mashtrimin, drogën, korrupsionin e gjithë të tjerat, keqtrajtimet e shqipes, të historisë sonë, të të gjitha vlerave me të cilat duhet të krenohemi e ti propagandojmë. Gjithë ky ajër vicioz i ndotur thithet së pari nga të rinjtë dhe modelon strukturat psikologjike e morale të tyre. Gjithmonë kam menduar se nuk është faji i tyre…..

Provimet çdo vit më ndjellin të njejtat mendime të shqetësuara!

 

Nestor Kraja

 

 

.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...