Elina Duni mes fituesve për Çmimin Zviceran të Muzikës 2017
Zyra Federale e Kulturës Zvicerane në Bernë ndan prej katër vjetësh “Çmimin Zviceran të Muzikës”. Për këtë, çdo vit, kjo zyrë krijon një ekip prej dhjetë anëtarësh që përbëhet nga ekspertë të muzikës, muzikantë dhe nga gazetarë të muzikës. Pas propozimeve që bëjnë ata të kandidatëve nga të gjitha zhanret muzikore dhe nga i gjithë vendi, propozimet i dërgohen jurisë që përcakton fituesin. Çmimi i madh këtë vit do të jepet në datën 22 shtator. Elina Duni, artistja shqiptare e xhazit, mjaft e dashur në Shqipëri sidomos tek të rinjtë për veçantinë dhe origjinalitetin e saj artistik, është një ndër pesëmbëdhjetë emrat e përfshirë në listën e më të mirëve për “Swiss Music Prize”, edicioni IV.
Zyra Federale e Kulturës në Bern dhe Collection, Paris/Lausanne kanë bërë këtë prezantim për artisten nga Tirana: “E lindur në Tiranë në vitin 1981 ajo këndon dhe shkruan muzikë që është thirrje për një Evropë të hapur. Me zërin e veçantë dhe paraqitjen në skenë, ajo ngre urat mes traditës së Ballkanit dhe xhazit bashkëkohor zviceran, gjë që duket në albumet e saj të suksesshme me kuartetin e përbërë nga Colin Vallon, Patrice Moret and Norbert Pfammatter. Dy prej albumeve ajo i ka rregjistruar me shtëpinë diskografike ECM. Në vitin 2015 albumi i saj “Muza e zezë” e evidentoi si këngëtare dhe si kompozitore ndërsa me këngën “Partir” ajo na tregon në nëntë gjuhë migrimin, humbjen dhe sesi tensioni midis vendit të lindjes dhe të huaj ka ripërtërirë në mënyrë të qëndrueshme artin e saj”. (http://www.schweizermusikpreis.ch)
/T.K/