Jehona e Shfaqjes “Thesaret e Zemrës” së Anyla Krajës në Romë

Një ditë pas spektaklit “Thesaret e Zemrës” që violinistja jonë Anyla Kraja organizoi në Teatrin Kuirino të Romës kanë dalë mjaft  artikuj të shtypit e kritikës muzikore. Një prej tyre i pasqyruar në “Il Foyer” (një nga mediat më të informuara për spektaklet dhe evenimentet artistike të Romës) e quan këtë shfaqje “Një spektakël intim dhe të rafinuar”

Ja si shkruan artikulli:

E shtunë 14 Dhjetor 2019 Teatri Kuirino në Romë ka shfaqur premierën absolute dhe prestigjoze “Thesaret e zemrës”, punuar dhe ideuar nga violinistja e njohur shqiptare Anyla Kraja. Një spektakël intim dhe i rafinuar, që ka dashur të prezantojë dhe solidaritetin dhe mbështetjen e artit dhe të publikut të sallës me Shqipërinë dhe popullin e saj krenar, të vënë dhimbshëm në provë nga tërmeti i nëntorit të shkuar, i cili mori 51 viktima.

“Thesaret e zemrës” është një margaritar i vogël që ka ditur të përmbledhë në mënyrë harmonike brenda një shfaqjeje katër gjuhë të ndryshme të artit: muzikën, vallëzimin, recitimin dhe deri dhe artin viziv, përmes ndriçimit të realizuar nga mjeshtri Pino Quini.

Siç sugjeron dhe titulli, filli drejtues i spektaklit është pikërisht ajo çka zemra është e mundur të shprehë. Zemra, që jo rastësisht, është organi i parë i njeriut e që formohet në agimin e jetës embrionale dhe që bëhet në ekzistencën tonë tokësore përkthyes i të gjitha ndjenjave. Sepse këtu zemra është vetë shpirti dhe shpirti njerëzor bëhet i aftë të japë përgjigje për të gjitha pyetjet ekzistenciale që na shtron mendja, vetëm nëse do ta lemë Zotin që është brenda secilit prej nesh të flasë, dhe që quhet “dashuri për jetën ”.

Teksti i thellë dhe intensiv i shfaqjes është shkruar nga regjisorja Angela Ceruti dhe nga aktori dhe interpretuesi shqiptar, i cili ka jetuar që i vogël në Itali, Alen Xhafa. Pjesa muzikore i është besuar mjeshtërisë së një dueti me vlerë të njohur si: Maestro Fausto Di Cesare-s, një nga pianistët më të dalluar në skenën muzikore italiane, dhe Anyla Krajës, një violiniste me famë botërore që shpesh e ka vënë artin e saj në shërbim të kauzave sociale. Botat magjike dhe herë pas here të vrazhda të violinës dhe pianos në skenë janë shndërruar në gjuhën e heshtur të vallëzimit falë koreografive elegante dhe të rafinuara të Diana Ferrara-s (tashmë interpretuese e një Giselle të shkëlqyeshme krahas Rudolf Nureyev-it). Shtatë valltarët e mrekullueshëm të kompanisë Astra Roma Ballet, megjithë moshën e tyre të re, kanë arritur të nënvizojnë gjendjet e ndryshme muzikore me mjeshtëri të madhe dhe precizion teknik, tani marramendëse dhe melankolike, e më pas të gëzueshme e të gjalla. Në këtë lidhje të padiskutueshme dhe të suksesshme midis muzikës dhe vallëzimit, aktrimi poetik dhe i hollë i Alen Xhafës ka arritur të marrë për dore shikuesin për ta çuar të rizbulojë parimet e vërteta të ekzistencës njerëzore, të cilat shpesh na shpëtojnë për shkak të mungesës së kohës ose shpërqëndrimit. Në një vizion gati budist, ai na nxit të jemi të vetëdijshëm për çdo moment të jetës sonë pa e humbur vëmendjen nga thelbësorja: të jetuarit e jetës së përditshme në mënyrë që mendimet, veprimet dhe fjalët tona të jenë gjithmonë shfaqje të një qëndrimi pozitiv dhe të njerëzor ndaj botës.

Veçanërisht prekës ishte momenti në të cilin motivi i famshëm “Schindler’s list” nga John Williams interpretohet dhe vallëzohet me mjeshtëri, ndërkohë që fjalët prekëse të Xhafës pyesin veten: “Kur një jetë nuk është e mjaftueshme për të dashuruar, ku e gjejmë kohën për të urryer?”

Në fund të shfaqjes, pas duartrokitjeve të gjata, të ngrohta dhe të merituara nga publiku, ju dilni nga teatri me një ndjenjë plotësimi dhe lehtësimi së bashku, ndjenjë e të ndjerit të një vlere shtesë në zemrën tuaj.

Opusalb

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...