Kritika e “Kritikës”

Padashur lexova një shkrim të kompozitorit të ri kosovar Kreshnik Aliçkaj i cili trajtonte pakënaqësinë e tij mbi vlerësimet e një komisioni mbi veprat muzikore të këtij viti. Mbeta i dëshpëruar pasi kuptova se niveli intelektual i të rinjve kompozitorë nuk është ai që duhet, nuk rezonon kulturën evropiane dhe as finesën e artistit. Sigurisht kjo është një sëmundje që vjen ndoshta nga anët tona por që fatkeqësisht paska sintoma të qarta edhe në Kosovë.

Mund edhe të sillesha indiferent për shkrimin, siç sillen shumica, por ndoshta e mira kërkon që disa koncepte, disa rregulla, disa norma duhet të diskutohen e të vendosen midis nesh nëse kërkojmë të sillemi si njerës të kulturuar. “Bota është një vend i rrezikshëm – thoshte Ainshtanji – jo prej atyre që kryejnë aksione dhune, por prej atyre që vështrojnë pa bërë asgjë”

Për tju kthyer temës:  Mendoj se askush nuk duhet të ketë të drejtë të gjykojë vendimin e një komisioni. Vendimi i tij duhet të pranohet pa ekujvok. Mund të gjykohet organizimi i Jurisë nga Ministria apo dikasteri, përbërja e tij ku shpesh vërejmë se grupazhe të ndryshme penetrojnë në këto komisione por asnjëherë nuk duhet të gjykohen vendimet apo vetë anëtarët për vendimet e tyre.  Në një garë ashtu siç ka disa rregulla ka dhe një gjykim që nuk mund të diskutohet.

Së dyti: Askush nuk mund të bëhet gjykatës në tërësi i krijimtarisë së dikujt, përveç se kur, krijimtaria e një kompozitori, merret në shqyrtim, në rolin e muzikologut, pas një pune të mjaftueshme analizuese e studjuese. Eshtë shprehje injorance dhe e shëmtuar të ulësh pa argumente figurën apo krijimtarinë e dikujt. Sipas mendimit tim çdo kompozitor, kryesisht ata që kanë një krijimtari të pasur, ka vendosur gurin e tij në murin e vlerave krijuese muzikore të kombit tonë. Krahasimet i bëjnë specialistët përkatës dhe këto nuk janë objekt i diskutimeve në rejtet sociale. Konkretisht mendoj se Zeqirja Ballata është një nga krijuesit e spikatur të muzikës profesioniste Kosovare dhe i nderur në vendin që i takon, ndërsa Dafina Zeqiri një nga tingëllimat e reja të muzikës kosovare të kohës.

Së treti mendoj se gara e interpretimit të veprave nuk është baraz me vlerën e tyre. Nuk mund të vlerësohet krijimtaria muzikore profesionale me numrin e klikimeve. Shpesh një pjesë e veprave ekzekutohen falë lidhjeve shoqërore apo miqësive të cilat nuk analizojnë vlerat por  nderet e ndërsjellta. Pa paragjykuar aspak me rastin, dëshëroj të nënvizoj se analogji të tilla mund të jenë bindëse për rrafshet populiste por jo për artistët e profesionistët.

Së fundi, nuk më duket e bukur dhe e mençur të gjykohen veç të tjerash edhe komisione të tjera siç mund të jetë ai për pranimin e Zeqirit në Fakultetin e Arteve apo të Ballatës në Akademi të Shkencave. Këto misione të pamundura jo vetëm që ulin inteligjencën e shkruesit dhe tregojnë vetëm nivelin e inatit të tij, por nga ana tjetër bëhen shembull i keq për shumë të tjerë përfshirë edhe studentët e rinj muzikantë. Të qenët pedagog mund të përmbajë mendime të thëna direkt dhe të vërteta të mprehta të argumentuara, por kurrsesi pezicione apo gjendje a ide çedukuese për studentët, paçka se ata mund të dëfrejnë e të na mbështesin me naivitetin e tyre.

Një gjë mbetet për të vlerësuar e madje ndoshta duhej të gjeja një fjalë më sipërore për të shprehur vlerën e këtij fenomeni. Kreshniku shprehet hapur, krejt hapur dhe këtë e konsideroj vlerë e cila nuk është vetëm muzikore, artistike, por dhe njerëzore, paçka se aspak edukuese.

Shtyhem të prononcoj mendimin tim edhe për simpatinë që kam për krijimtarinë e Kreshnik Aliçkajt, e cila nuk ka nevojë të mbështillet me këtë ambalazh të kalbur shprehjesh e mendimesh, që nuk i shkon aspak.

Nestor Kraja

 

 

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...