Artistja shqiptare Ermonela Jaho shkëlqen në Londër

Britanikja prestigjoze “The Indipendent” i ka kushtuar ditën e djeshme një artikull me pesë yje kushtuar artistes shqiptare Ermonela Jaho.

Në këtë kritike me tone sipërore media britanike çmon artin e  sopranos shqiptare duke e cilësuar interpretimin e saj në Wigmore Hall si ” një mbrëmje të paharrueshme”.

Ndiqni në vijim artikullin e shkruar nga Michael Church, sjellë në shqip nga Elvi Sidheri.

“Nuk ka asgjë prej dive në teatralitetin e saj të matur me tepër finesë.

Në një mbrëmje të paharrueshme, sopranoja shqiptare arrin të eksplorojë me një fuqi të papërmbajtshme muzikën e interpretuar nga një soprano e shkëlqyer, por e harruar.

 Kini besim te Ermonela Jaho për të shndritur me debutimin e saj në Wigmore, ngaqë duke arritur ta ndërlidhë me fushatën e saj për të ringjallur kujtesën e një këngëtareje padrejtësisht të harruar, ajo ia ka dalë mbanë që bota t’i kushtojë vëmendje çështjes së promovuar prej saj dhe asaj vetë njëkohësisht.

Do të ishte pikërisht sopranoja italiane Rosina Storchio që Puccini do ta përzgjidhte në rolin kryesor në premierën e Madama Butterfly të tij në vitin 1904. E njohur për rafinimin lirik të mënyrës së saj të të kënduarit, Storchio do të bëhej sopranoja e parapëlqyer për premierat e shumë operave; ajo do të vihej në rolet e Mimit, Manon, Violetës dhe Norinës.

“ Ajo nuk kishte ndonjë zë kumbues” thotë Ermonela Jaho, “por ajo ishte një aktore e mahnitshme sakaq”.

E njëjta gjë është thënë edhe për vetë Ermonela Jahon, ndonëse jo në lidhje me zërin e saj. Kjo shqiptare e hajthme, fama e të cilës do të vinte ngadalë, duke u shndërruar në të stuhishme paskëtaj, do t’i bënte të qanin me dënesë publikun kur pati interpretuar rolin kryesor duke kënduar në Suor Angelica të Puccini-t në Covent Garden, e sërish do ta elektrizonte tërësisht publikun me interpretimin e Desdemonës së fundi. Të paktë janë këngëtaret e tjera që kanë aftësinë e saj për ta përqendruar vëmendjen e skenës drejt vetes duke arritur të na e grishë vëmendjen ndaj çdo nuance të të kënduarit të saj.

Këtu, në Wigmore Hall, kemi fatin të dëgjojmë ariet e kënduara dikur nga Storchio, e me përjashtim të tre syresh (nga Puccini, Bizet dhe Massenet) të gjitha tingëllojnë përtëritëse, sa edhe të panjohura: pjesë të rralla nga Verdi dhe Donizetti, Leoncavallo dhe Cilea, një botë plot gjurmë verismo dhe bel canto të vonë. Jaho si fillim shtendoset, duke e lënë Miminë e Leoncavallo-s të bëjë lozonjaren dhe dy këngë të Bellini-t të rrezatojnë me shkëlqimin e tyre të ëmbël, por shpejt vërehet se, falë shoqërimit të arrirë në piano nga Steven Maughan, ajo do t’i mishërojë plotësisht secilin prej 19 roleve të saj me radhë.

Disa syresh janë femra libertine, ndërsa të tjera digjen nga pasioni, ose marrosen dëshpërueshëm, por gjithsesi nuk ndihet asgjë për dive në teatralitetin e saj të matur me tepër finesë: sepse synimi i saj është pikërisht e vërteta emocionale. Tingujt e saj janë me radhë të lehta e të tejdukshme, ose të plota farfuritëse, duke arritur kulme madhështore kur është nevoja muzikore.

Kurse çfarë ajo arrin të bëjë me një skenë të çmendur 13 minutëshe nga Lodoletta rrallëherë e performuar e Mascagni-t, ngërthen një fuqi të papërmbajtshme. Një debut mirëfilli shtangës: më tutje këtë vit, Opera Rara, që kremton pesëdhjetë vjetorin, do ta publikojë regjistrimin”.

You may also like...

1 Response

  1. Josif Xharja says:

    Krenaria e kombit

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...