“Anima Kineart” nga Ardita Bufaj

Këto ditë në ekrane të ndryshme televizive kemi ndjekur promovimin e Cd-së së Pianistes Ardita Bufaj e cila mbi materialet muzikore të disa filmave shqiptarë për fëmijë ka inçizuar  15 numra pianistike. Eshtë kjo një përmbledhje, që përveç nostalgjisë së filmave të bukur dhe edukativ, të regjisorëve të njohur shqiptarë si Xhanfise Keko, Gëzim Erebara, Dhimitër Anagnosti, Jani Tane etj., sjell dhe tingujt e njohur të kompozitorëve Tish Daija, Kujtim Laro, Robert Radoja, Aleksandër Lalo, etj. deri tek Endri Sina. Kështu, përveç të tjerave, kjo CD  ushqen kontribut në miniaturën shqiptare dhe njëkohësisht, pse jo,  edhe në repertorin didaktik për fëmijë të shkollave tona artistike.  Mendoj se kundruar në këtë optikë CD-ja merr vlerë për sot dhe për nesër. Ndryshe, po të mbetej në rrafshin e një muzike për tu dëgjuar në kohën e lirë të endërrimeve mbi të shkuarën, do të mbetej nostalgji e  demagogjisë të së asaj kohe të hidhur dhe nuk do të bëhej pjesë e së ardhmes.

Për të sqaruar çdo lexues sadopak cinik duhet të sqarojmë se, me gjithë respektin e kinematografisë së të shkuarës, në pjesën më të madhe ajo ka shërbyer si megafon i fuqishëm i ideologjisë së komunizmit specifik që kaluam, kohë nga e cila do të duhet me shumë kujdes të vlerësojmë atë që është krijimtari artistike e vlefshme nga ajo që ishte pjesë e ideologjisë dhe implementim i tjetërsuar i formimit njerëzor dhe lirisë së tij. Vetëm kështu, do të mund të shkelim në gjurmë të qëndrueshme e mund të ecim më tej. Pikërisht, kundruar në këtë optikë mendoj se CD-ja e përgatitur nga pianistja Ardita Bufaj ka vlerë të padiskutueshme.

Nga ana tjetër vërej se kjo është nga të parat CD të inçizuara nga pianistët e në përgjithësi instrumentistët tanë. Pra, në një atmosferë ku përgatitja e CD-ve është një vokacion i panjohur për artistët tanë të skenës, kjo CD vjen si një rreze dielli në dëborë. Atmosfera e pazhvilluar e muzikës shqiptare mendoj se shprehet edhe në këto karakteristika të trashëguara si mungesa e CD-ve të interpretëve të shquar, mungesa e faqeve personale Web, apo pjesëza të tjera të klimës sonë specifike artistike. Pak po të hedhim vështrimin përtej kufijve shtetërorë do të takojmë me dhjetra artistë të shkëlqyer shqiptarë që jetojnë në një klimë krejtësisht tjetër artistike. Kjo sigurisht do të duhej të përgatitjej nga politikat inteligjente dhe largpamëse të Ministrisë së Kulturës, por mund të realizohet, madje edhe më me sukses, nga iniciativa individuale e vetë instrumentistëve tanë. A nuk përbën dhe CD-ja që kemi në duar një kontribut në këtë drejtim? Në të ndjehet kujdesi artistik që karakterizon artisten, sensibiliteti i saj artistik,  eleganca në artikulimin e çdo fraze muzikore, bazuar mbi një aparat të mirëzhvilluar teknik.

Në këtë pikë do të ishte e nevojshme që CD-ja, në vend të faqeve me foto nga filmat, të shoqërohej me partiturën muzikore, duke marrë kështu edhe vlerë praktike nga pianistiët tanë të kudondodhur dhe mjaft të shquar.

Në përfundim do të dëshëroja të nënvizoja se asnjë kritikë nuk mund të jetë e vlefshme mbi punën e vërtetë dhe pasionale. Pikërisht këto dy karakteristika bazale vërehen mirë në CD-në e pianisties Ardita Bufaj.

Nestor Kraja

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...