Koncert për tu mbajtur mend

Mbrëmë në Sallën e rrënuar të Akademisë së Arteve u lartësua një koncert simfonik me pjesmarrjen e sopranos Adelina Paloja dhe pianistit Kosti Deti dhe orkestrës së RTSH-së nën drejtimin e Jetmir Barbullushit. Dy muzikantëte  rinj të skenës muzikore shqiptare,  si zgjedhje e suksesshme nga kjo orkestër prunë, secili në artin e vet interpretime të reja të një repertori impenjativ, tërheqës dhe me kontraste stilistike.

Sopranoja Adelina Paloja shumë e njohur në Kosovë për bashkëpunimet me Korin e Filarmonisë së Prishtinës e më gjerë surprizoi publikun për elegancën, cilësitë vokale, realizimin e sfumaturave të holla e të menduara të veprave të ndryshme, intonacionin preçiz dhe sidomos emocionet që përcolli. Pavarësisht se me një zë të vogël ajo diti të kompensonte këtë me kulturën dhe organizimin e mjeteve artistike deri në detaje për të krijuar një figurë sa poetike aq dhe ekspresive.

Pianisti Kosti Deti, i cili është dëshmi e nivelit të shkollës sonë pianistike që për hir të së vërtetës, ka treguar se ka patur një rritje konstante dekadat e fundit dhe kjo për arsye të nivelit por dhe rivalitetit brenda katedrës sës së pianos, tregoi një anë shumë interesante të kreativitetit të tij si instrumentist. Ai paraqiti një List improvizant, me risi të vazhdueshme brenda një leximi korrekt të partiturës. Teknika e lartë pianistike e Listit u shpreh në mënyrën më të natyrshme dhe më të thjeshtë nga Kosti Deti, duke arritur pikërisht pikën artistike të lojës së tij. Nuk u kuptua se përse ai luajti me një piano gjysmë të mbyllur, por ajo që u dëgjua ishte emocionuese. Në bis vepra e Satisë Gnossienne shprehu sensibilitetin delikat të pianistit, megjithëse ndonjëherë dora e majtë tingëllonte mbi të djathtën.

Valsi i Haçaturianit si dhe numrat nga baleti i Çajkovskit “Liqeni i Mjelmave” e  “Arrëthyesi” nuk prunë asgjë të re përveç ekzekutimit të saktë e ndonjëherë pa mundur të krijoheshin kontrastet e duhura dinamike. Madje mund të themi se orkestra tingëllonte disi më fort edhe në rastin e shoqërimit të këngëtares.

Nëse folëm më lart për sukseset e shkollës së pianos në Shqipëri mund të hedhim idenë se shkolla e dirigjimit krijon një kontrast të fortë dhe arsyen e kësaj do të duhet ta zbulojnë studiuesit dhe muzikologët, të cilët janë fshehur pikërisht në këto kohë të rëndësishme për të identifikuar sëmundjet tona edhe në muzikë.

Nestor Kraja

Kompozitor

 

 

 

 

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...