Alisa Katroshi dhe Akademia Muzikore e Danubit
Eshtë e zakonshme, që emrat e rinj të vërehen të paktën me mospërfillje, jo vetëm se janë të rinj, por edhe pse në konfigurimin e figurës së tyre ka pak vija që i njohim e pak ngjyra që mund të shquhen nga sytë tanë mbyllur përgjysmë. Kjo jo për faj të tyre, por për arsye të rrjedhës së jetës sonë e cila na merr përpara pa na lënë mundësinë të pushojmë në ndonjë breg të ndriçuar a ndonjë degë të qëndrueshme. Rastësisht dhe vetëm rastësisht kemi mundësi të kuptojmë se dikush, dikur student i shkëlqyer ka bërë hapa përpara, me mundim, me pasion, me këmbëngulje paçka se ne, në rrymë e sipër, e paragjykojmë. Një nga këto figura është pikërisht Alisa Katroshi. E papunë në Shqipëri (pasi Teatri i Operas nuk kishte nevojë për zërin, pasionin e talentin e saj) po shpalos jetën e saj koncertore e karrierën jashtë vendit. Duke mos u fokusuar në vlerat e karrierën e saj, të cilën herë pas here e kemi pasqyruar, së fundi mësojmë se ajo gjendet në rradhën e pedagogëve të Akademisë së Talenteve Muzikore Ndërkombëtare të Danubit (Danubia Talent International Music Academy 2019-2020, në degën e kantos. Kjo Akademi zhvillon edhe një konkurs e Festival on line këtë vit, (si çdo vit) që nis në fund të këtij Nëntori deri në Dhjetor. Konkursi përmbledh degët: Piano, harqe, instrumente fryme, kanto, muzikë dhome, fisarmonikë etj.
Një okazion edhe për studentët e shquar të Akademisë sonë.
Opusalb