KamerFest në Tiranë, dy mbrëmje për t´u mbajtur mend

Në data 10 dhe 11 tetor, siç edhe ishte lajmëruar, në Tiranë u zhvilluan dy koncerte të programit të Festivalit “Kamerfest”, që këtë vit u shtri edhe jashtë hapësirës së Kosovës, në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut.

Koncerti i parë kishte si protagoniste këngëtaren amerikane Katerina Vetington (Caterine Wethington) shoqëruar nga pianisti Derek Han dhe në flaut nga Zanë Abazi.

Që në fillim goditi zëri i ngrohtë, plot ngjyra dhe detaje të spikatura teknike i sopranos koloraturë Vetington. Pianisimot e saj sugjestionuese, por dhe fortet e fuqishme tregonin për një potencial vokal jo të zakonshëm.  Ajo u imponua menjëherë tek spektatorët me eksperiencën, dipazonin e gjerë por dhe ndjeshmërinë e saj vokale, timbrin e bukur e të veçantë, diksionin e qartë, elegancën dhe mimikën shprehëse që ishin të jashtëzakonshme. E pajisur kështu, nga një arsenal aftësishë muzikore Katerina Vetington dukej qartë se ishte e aftë në përballimin e çdo programi. Dhe pikërisht,  programi i kësaj mbrëmjeje ishte zgjedhur mbi dy tematika specifike. Të parën do ta quanim si një buqetë veprash të shkruara për këngën e dashuritë e bilbilit,  ndërsa të dytën buqetë veprash vokale amerikane. E para, që i përkiste dhe kulturës muzikore Evropiane ishte sa tërheqëse aq dhe delikate. Në rolin e saj sopranoja u mbështet me shumë kulturë e bravurë të spikatur tashmë, nga pianisti Derek Han si dhe nga flautistja korrekte Zanë Abazi.

Pjesa e dytë me vepra të repertorit nacional ishte e larmishme, por pa atë veçanti dhe  tis artistik të pjesës së parë, që përveç ndonjë lëvizje të vogël intonative e të rastit nguliti në memorie, ndoshta këngëtaren më të shquar që ka debutuar në vendin tonë nga SHBA.

Koncerti i dytë, edhe për jehonë të të parit, pati shumë më tepër spektatorë, aq më tepër pasi nuk është e zakonshme e madje e rrallë që në  Tiranë të dëgjohen brenda një nate tri sonata të një autori, e aq më tepër të Johannes Brahmsit. Krijimtaria e tij e vendosurt mbi dy shina të fuqishme, njëra formale – klasike e tjetra me përmbajtjeje thellësisht romantike përmban filozofinë e veçantë të fundit të romantizmit gjerman të shek XIX. Sidomos, sonatat e tij për violinë mbrujten nga mendime të thella që gërshetohen e përplasen polifonikisht me njera tjetrën duke krijuar kështjella të larta të cilat vetëm piktorët e mëdhenj të violinës mund t´i ripikturojnë e aq më pak t´i rikrijojnë në frymën e kohës.

Pikërisht këtë kishte dhe si qëllim koncerti i dytë i violinistes Sihana Badivuku dhe pianistit Derek Han, të cilët, në kuadrin e Festivalit të shquar “Kamerfest” u paraqitën në Tiranë me gjithë dinjitetin e seriozitetin e tyre.

Sonata e parë, të cilën Brahmsi ia ka kushtuar violinistit Jozef Joakimit (Joseph Joachim) shquhet për vështirësinë e saj teknike. E dyta, lirike, pothuajse një këngë dashurie dallohet për peshën e partit të pianos por dhe për idetë e imta që kundërve në gjithë tesutin muzikor. E treta, shumë më e dëgjuar në Shqipëri, e mrekullueshme, dhe sa e përsosur aq dhe e veçantë. Interpretimi i Badivukut ishte ai i një violinisteje me eksperiencë e cila punon dhe mendon çdo detaj me individualitet, duke rrezatuar vibrim të fuqishëm emocional. Duke mos vlerësuar ndonjë fragment të vogël intonativ apo pasazhi, mund të pohojmë se ajo është instrumentistja koncertiste më e shquar në Kosovë e cila guxon dhe arrin maja të koncertizmit, me sinqetitetin artistik, dhe diapazonin e saj të gjerë shpirtëror. Brenda vështirësisë për të artikuluar një mendim konçiz mund të pohoj se ato 90 e ca minuta të koncertit, tepër impenjativ për një spektator të zakonshëm, fluturuan me një frymë duke lënë një shije të mirë dhe emocione të forta.

Pianisti i shquar Derek Han, si fija lidhëse, por dhe elementi esencial i nivelit të të dy koncerteve tashmë përbën një figurë të konsoliduar artistike që në kuadër të “Kamerfestit” në fakt shquhet si shenjë e ajkës së koncerteve të organizuara.

Ka kohë që në Tiranë janë rralluar artistët koncertistë dhe ngjallin interes vetëm “të ftuarit” e institucioneve apo festivaleve të ndryshme. Arsyeja është motivi, e së pari ai ekonomik. Për deri sa nuk do të ndërhyhet në politikat kulturore, përmes ndonjë studimi e riorganizimi radikal në sferën koncertale  artistike, të gjitha koncertet do të mbushen me “të ftuar” duke shtuar kështu mllaçitjen e ushqimit kulturor të huaj e duke humbur atë vendas. Në këtë sens jeta artistike në Kosovë duhet vlerësuar e madje duhet stimuluar edhe më tej.

Nestor Kraja

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...