On the borders of two worlds and two times.

Jeta muzikore e pasur Evropiane me emrat e shquar të artistëve të të gjitha sferave të tërheq, ashtu si sirenat e udhëtimit të Odiseut në ngasje të mrekullueshme e shumëngjyrëshe. Per në këtë larmi të xixëllimit të grëve të xhevahirtë vërehet një gamë ngjyrash  të ndërlidhura. Po të sforcohemi pak do të gjejmë nuancën e përbashkët: Vijnë një pjesë e madhe nga lindja. Doni emra:  Stravinskij,  Alfred Shnitke, Lera Auerbach, Mstislav Rostropoviç, Anasatasia Hupman, Katia Bunatishvili, Olga Scheeps, e mijra të tjerë. Sigurisht dikush do të argumentonte të kundërtën se artistët e talentet e famshme në Evropë janë edhe ata të panumërt dhe ky mendim nuk do të kishte të sharë nëse nuk do të kuptohej se ku dëshëroja të vendosja theksin. Dikur në stacionin qëndror të trenit në Romë, ndërsa isha me motrën time violiniste e që kishte instrumentin në dorë na ndalon një djalë simpatik i cili edhe ai mbante një violinë në krah.

-Ju lutem më ndihmoni  – na tha – jam violinist  nga Rumania dhe kërkoj të gjej punë në profesionin tim. Ishte viti 1998. Shtangëm.

-Nuk më besoni? – tha djali simpatik dhe hapi violinën duke lënë kapakun e saj në këmbët tona. Filloi ti binte një kapriçi të Paganinit shumë më mirë se çdo student i vitit të katërt të violinës në akademitë italiane.

-Me shumë dëshirë do të të ndihmoja – i tha motra. Më jepni një adresë apo numër telefoni dhe nëse kam ndonjë ofertë do t’ju telefonoj. Ai nxori menjëherë kartvizitën dhe ja dha, duke e falenderuar 100 herë, ndërsa unë thoja me vehte: Kjo jetë është e padrejtë. Kjo krijesë e bukur me kaq shumë aftësi duhet të lutet e të lypë ndërkohë që italianët e llastuar mendojnë vepëm se ku do të organizojnë festën e fundjavës.

Që të mos largohem nga tema duhet të pohojmë se popujt e lindjes, të shtypur dhe të varfër, të ndrydhur dhe të vuajtur janë adaptuar të mbijetojnë. Të mbijetojnë me durim, me vullnet, me sakrifica dhe çdo kush që kishte disa dhunti ka parë tek arti rrezen e dritës së vet. Ka parë mundësinë e daljes nga shtypja dhe për këtë është bërë jo vetëm i vullnetshëm, jo vetëm i durueshëm, por dhe i pajisur kësisoj me idealin e domosdosshëm që i shtynte përpara. Madje pas disa kohës ky durim, vullnet, rezistencë është kthyer në edukatë të jetës, në modën e të vepruarit të përdirshëm dhe kjo “modë” është kthyer në elementin e thyerjes së konkurencës në perëndim. Eshtë kthyer në elementin e fitores dhe triumfit. Madje tani së fundi është bërë e modës edhe nga shtetet perëndimore që tu japin nënshtetësinë e tyre, ti bëjnë të tyrit. Dhe në fakt kanë një të drejtë pasi në përgjithësi i kanë ofruar shkollimin e tyre të mrekullueshëm, i kanë ofruar punë, kushte dhe jetesë të mirë e si shpërblim kërkojnë të shtojnë peshën specifike të kombësisë së tyre.

Dhe në fakt, ajo ku do të dëshëroja të dilja me këtë hyrje të gjatë po e them shkurt: Ne, a i dimë këto? Nëse i dimë si reagojmë? A nuk do të ishte e drejtë të rrisnim me vetëdije kërkesën tonë për fëmijët, në vend që ti llastojmë ata me plotësimin e turli kërkesave? A nuk do të ishte më mirë ti edukonin, sigurisht me dashuri, të bëheshin plotësisht të vullnetshëm. Mendoj se vullneti është vitamina më bazale dhe më e rëndësishme e qënies humane. Me mungesën e saj mund të shpjegohen të gjitha ndyrësitë apo sëmundjet e kësaj bote. Por në fakt pak prindër e kuptojnë  se kjo “saktificë”, ky “shtrëngim” për fëmijët e tyre do të shndërrohej në një element të hapjes së rrugës së tyre për jetën në çdo fushë të artit apo shkencës, do ti vishte ata me imunitetin e duhur për të përballuar e për të fituar në çdo rrethanë. Por a e bëjmë ne me koshiencë këtë, apo justifikojmë pavullnetin tonë me tipin e fëmijëve, me dëshirat e tyre, duke i transmetuar atyre pikërisht dobësitë tona?

Kjo nis që me bindjen se edhe fëmija ka detyrat e tija të cilat duhet ti kryejë me çdo kusht, ashtu si prindi ka për detyrë të shkojë në punë në orar çdo ditë dhe ta kryejë atë më së miri pasi kjo siguron të ardhurat për familjen. Nëse nuk përpiqemi ta bindim fëmijën se jeta shtron përpara kujtdo detyrime për ti zbatuar edhe nga ata vetë, as nuk kemi nisur të rrisim krijesa të afta për jetën dhe praktikisht shoqëria qëndron në vend apo shkon prapa. Dikur një instrumentist shqiptar u detyrua të flinte disa ditë në një barkë të braktisur, ndërsa sot është një nga muzikantët e shquar të botës perëndimore. Me këtë dua të nënvizoj se sa më e madhe puna e mundi, aq më i madh suksesi. sa më e madhe energjia e akumuluar, aq më i madh fruti që lind nga ajo.

Dikur një mik më tha: Kam 3 fëmijë dhe nuk kam luksin të kem televizor në shtëpi. Ai jetonte në perëndim. Ishte mësimi më kuptimplotë që më mbeti në mendje përgjithnjë. A e bëjnë prindërit e sotëm këtë “sakrificë”?

Midis këtij raporti ka dhe një element destabilizues, që fsheh këtë të vërtetë, që është korrupsioni. Ai bën që me pak punë (por të pisët) të kemi përfitime të mëdha dhe kjo humbet mendjen dhe perceptimin e drejtë të njerëzve e prandaj duhet të çrrënjoset sa më parë.

Jemi një popull i varfër dhe i ri, që me mençuri, me kulturë dhe vetëm me kulturë mund të kemi një të ardhme shumë më të mirë.

 

Nestor Kraja

You may also like...

1 Response

  1. Anonymous says:

    PROF , TE LUMTE ,, NE NJE SITUATE TE TILLE NUK JANE VETEM MUZIKANTET POR PROFESINISTE TE TE GJTHA FUSHAVE , QEC FATKEQSISHT LENE CDO DITE SHQIPERINE,

    NELA

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Subscribe
No Thanks
Thanks for signing up. You must confirm your email address before we can send you. Please check your email and follow the instructions.
We respect your privacy. Your information is safe and will never be shared.
Don't miss out. Subscribe today.
×
×
WordPress Popup
error: Sorry! You don\'t copy...